Shqiptarët në Luginë nuk arrijnë ta zgjedhin kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, reagon Shaip Kamberi

Aktuale

Shqiptarët në Luginë nuk arrijnë ta zgjedhin kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, reagon Shaip Kamberi

Më: 14 janar 2023 Në ora: 15:00
Shaip Kamberi

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi tri partitë shqiptare në Luginë të Preshevës nuk arritën një ditë më parë ta zgjedhin kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Përmes një sportivi në Facebook, Kamberi ka shkruar se me këtë rast u degradua vullneti i popullit në funksion të praktikave destabilizuese.

“LPD ka insistuar në postin e kryetarit të KKSH me mandat 4 vjeçarë, ndërsa, PD ka vazhduar me strategjinë e vet të kalkulimit, pa ofru zgjidhje, “mernu vesh ju dy”, duke e kontestuar kështu parimin e fituesit.

Ndërkohë që PDSH ka dhënë një propozim që Ragmi Mustafi, nga lista fituese e zgjedhjeve të zgjidhet për një mandat 1 vjeçar, ndërsa, pas një viti të rishqyrtohet edhe njëherë marrëveshja. Edhe ky propozim është refuzuar nga LPD.

Me qëllim të daljes nga kjo situatë, e përtej asaj çfarë ka ndodhur në Prishtinë, PVD, i ka dhënë propozim LPD-së që mandati katërvjeçarë të ndahet nga dy vjet mes këtyre subjekteve. Edhe ky propozim është refuzuar nga LPD”, ka shkruar ndër të tjera Kamberi.

Ai e ka përmendur se në gjetjen e një zgjidhjeje është angazhuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Në takimin e ditës së fundit, të organizuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, për të gjetur një zgjidhje për të ndërtuar shumicën qeverisëse dhe për t’i ikur masave të dhunshme që do t’i vendosë Beogradi pas të hënës, asnjëra nga këto parti nuk ka reflektuar”, ka shkruar Kamberi.

Sipas tij, në përpjekjen e fundit, PVD ka ftuar seancë duke i thirrur gjithë këshilltarët e të gjitha subjekteve politike, përfshirë edhe APN-në, për tu takuar në selinë e KKSH-së për dakordim për t’i ikur masave të dhunshme dhe ka shtuar se asnjë këshilltarë, përveç atyre të PVD-së nuk morën pjesë.

“Në këtë mënyrë dështoi çdo përpjekje që zgjedhjen e organeve të reja të KKSH-së të mos i transferohet ministrisë në Beograd.

PVD, shpreh brengosjen më të thellë për shkak të degradimit të skajshëm të vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhje, por, edhe të institucionit të vetëm shqiptar në Luginë të Preshevës.
PVD e konsideron si të rrezikshëm dhe destabilizues instalimin e rregullave të reja të mosnjohjes së fituesit të zgjedhjeve.

Ky parim, i cili, në Bujanoc është respektuar prej 2002, ditën e djeshme është shantazhuar dhe korruptuar nga dy partnerët tanë në qeverisjen komunale në Bujanoc, duke çuar në destabilizim jo vetëm Këshillin Kombëtar por edhe institucionet tjera në Bujanoc dhe Luginë të Preshevës.

Ditëve në vijim, PVD, do të shqyrtojë dhe vendosë për strategjinë e vet të veprimit politik, pjesë e pandashme e të cilit koncept është “Më shumë Kosovë e më shumë Shqipëri në Luginë” që, dje, u përdhos nga dy partnerët tanë të koalicionit lokal në Bujanoc.

Dje përfundimisht, kryetari dhe zv/kryetari i Bujanocit i thanë JO Kosovës në Luginë.

Kjo politikë që ka për qëllim shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Kosova do të marrë përgjigjen e duhur dhe të përgjegjshme nga PVD”, ka shkruar ndër të tjera Kamberi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat