​Reçaku, masakra që zgjoi vetëdijen ndërkombëtare

Aktuale

​Reçaku, masakra që zgjoi vetëdijen ndërkombëtare

Më: 15 janar 2023 Në ora: 14:48
Ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker

Ish-shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kujton mirë 16 janarin e vitit '99, kur të vështirë e kishte të ecte dhe të shihte trupat e vrarë e të masakruar të Reçakut. Ai tha se nga ajo kohë, pothuajse çdo vit ka vërejtur ndryshime në këtë fshat, e po ashtu numër më të madh të qytetarëve që vijnë në Kompleksin Memorial. Ai përmend edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, derisa tregon se këtij te fundit para tri viteve i kishte dhënë një trëndafil për ta kujtuar Reçakun.

Ambasadori William Walker tha se fshati Reçak ka kuptim të madh për të.

Në shënimin e 24-vjetorit të masakrës në këtë fshat, ai u shpreh i lumtur me ndryshimet që janë bërë këtë vend.

Walker: Vij çdo vit për të takuar njerëzit

"Çdo vit largohem nga këtu me një përshtypje edhe më pozitive për atë se çka ka ndodhur. 15 janari i 1999, moti në atë kohë ishte i tmerrshëm, kishte borë e akull, ishte vështirë të ecje dhe në këtë terren të shihje trupat e atyre se çfarë kishte ndodhur një natë më parë. Sot shoh dielli po ndriçon, qielli po ndriçon dhe kjo simbolizon se gjërat janë përmirësuar. Njerëzit e Kosovës kanë bërë gjëra të rëndësishme prej janarit 1999. Vij dhe kam qenë këtu, kryesisht për të parë njerëzit e fshatrave të Kosovës dhe tmerrin që kanë përjetuar me 15 janar 1999. Shumë prej tyre nuk janë sot me ne, plaku i moshës time që ishte nuk është më. Më pëlqen të shoh fëmijët. Çdo vit që vij, numri i atyre që vijnë duan të dëshmojnë respektin, çdo vit turma po rritet", ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në vitet e para të pasluftës nuk kishte numër të madh të njerëzve që vizitonin Kompleksin memorial në Reçak.

Walker: Çdo vit ka më shumë njerëz në Reçak

"Tri vite më parë, pata mundësinë t'i uroj mirëseardhje kryetarit të Republikës, Hashim Thaci, kur ai erdhi për herë të parë dhe ia dhashë një lule dhe i thashë që ta vendos atë lule në zyrën e tij dhe sa herë ta sheh atë lule, ai do ta mban mend Reçakun. Dhe ai tha që e ka bërë një gjë të tillë dhe nuk e di se ku është atje ku është ai sot a mund ta kujtojë Reçakun. Çdo vit ka gjithnjë edhe më shumë njerëz që ka indikacione që qeveria qendrore duan që të vijnë që të tregojnë se Reçaku përfaqëson tërë vendin. Kryeministri juaj vjen çdoherë, kam kënaqësinë që e shoh këtu si kryeministër, nuk ka qenë para 3 vitesh", tha ai.

Në fjalën e saj, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se synimi më i rëndësishëm është drejtësia për të vrarët dhe të masakruarit.

Në akademinë e mbajtur në Reçak, ajo shtoi se deklarata e Walker u kthye në jehonë kudo në botë.

Osmani: Mizoria e regjimit mori trajtën më çnjerëzore

"Mizoria e regjimit mori trajtën më çnjerëzore, por ngaqë shënoi një moment në të cilin vetëdija ndërkombëtare u zgjua përfundimisht. Masakra e Reçakut bëri që qendrat demokratike të mobilizoheshin për ta mbrojtur një popull që po vuante nën kthetrat e një regjimi gjenocidal, por edhe për të dëshmuar se qytetërimi perëndimor nuk mund të dorëzohej para hegjomonive, prandaj Kosova duhej të ndihmohej e të mbrohej. Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfida e përballjes së botës demokratike me këtë dilemë. A do të dorëzohej një qytetërim i tërë para një barbarie, apo do të vepronte në mbrojtje të vlerave të veta. Duke mbrojtur një popull të shtypur, që rrezikonte të shfarosej nga një regjim që kishte qëllime të pastra gjenocidale. Ky moment kthese lidhej me një emër dhe një njeri, ambasadori Willlam Walker, i cili kishte marrë përsipër të udhëhiqte misionin vëzhgues në Kosovë, William Walker" u shpreh Osmani.

Osmani shtoi se "Kodra e Bebushit" u shndërrua në vendin në të cilin krimet kundër njerëzimit nuk mund të fshiheshin më nga makineria e Millosheviqit.

Ajo përmendi edhe propagandën serbe dhe mohimin e kësaj ngjarje.

Osmani: Çdo varr në Reçak ka një histori tmerri

"Sot kur i kujtojmë me dhimbje të dashurit tanë, të cilëve makineria e dhunës Millosheveqiane ua këputi jetën vetëm e vetëm se ata ishin shqiptarë, pse donin të jetonin të lirë, detyrimi për të siguruar drejtësi për ta e për të gjitha viktimat gjithandej Kosovës, bëhet synimi ynë më i rëndësishëm. Historia e gjithsecilit prej tyre është vet historia e Kosovës, vendit që u ngrit mbi dhimbje, trishtimin për humbjen e njerëzve tanë të cilët prehën në varrezat e Reçakut, e në shumë varreza tjera anë e kënd Kosovës. Ata thërrasin për drejtësi sot e kurdoherë. Ata trokasin çdo ditë në ndërgjegjen e secilit prej nesh duke kërkuar që të bëjmë më shumë për drejtësi për ta, por edhe për gjetjen e mbi 1600 qytetarëve tanë te zhdukur me dhunë, të cilët Serbia e ministrit të atëhershëm të Informimit, e presidentit të sotshëm i mban ende peng duke dëshmuar se asnjëherë nuk ka ndryshuar as mendësi e as qëllim. Mos të harrojmë kurrë që çdo varr në Reçak ka një histori tmerri, secili prej tyre dëshmon për tmerrin e përgjithshëm që e përjetuan shqiptarët" ka shtuar ajo.

Kryeministri Albin Kurti tha se masakra e Reçakut nxiti reagimet më të mëdha në botë, ku përmes pamjeve të transmetuara në mediat botërore e vendore, u dëshmua krimi dhe gjenocidi serb.

Kurti: Reçaku nxiti ndërkombëtarët

"Janë ato pamje të transmetuara nga mediat botërore, të shfaqura përsëri, duke u kthyer ndër imazhet me të cilat bota na njohu si vend i viktimës ku Serbia kreu krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Në kronologjinë e luftës në Kosovë, masakra e Reçakut është një nga mbi 400 masakrat e kryera nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët, por në historinë e luftërave në Kosovë kjo masakër ndonëse është një prej tyre, është krimi i luftës që më së shumti i ka nxitur ndryshimet dhe qëndrimet te shteteve më të fuqishme. E dëshmuar nga shumë media vendore dhe ndërkombëtare, si dhe vazhduar nga misioni i OSBE-së, masakra e Reçakut u shndërrua në një nga argumentet më të pakontestueshme dhe fuqishme për ndërhyrjen e NATO-s e cila do të vinte pas dy muajsh", ka thënë Kurti.

Ai shtoi se ambasadori William Walker nuk foli me gjuhë diplomatike, por të humanizmit. Për çka Serbia, siç tha Kurti, ka tentuar që të turbullojë të vërtetën.

Kurti: Ata që mohojnë gjenocidin ëndërrojnë për përsëritje

"Para 3 viteve, ky presidenti i Serbisë deklaroi se masakra në Reçak është fabrikim dhe falsifikim. Dy vjet më vonë, shefi i inteligjencës së shtetit serb, në ditën e të drejtave universale të njeriut, më 10 dhjetor, e përsërit atë çka thotë presidenti i Serbisë. Ata që e mohojnë gjenocidin, ata ëndërrojnë për përsëritje të tij", ka shtuar Kurti.

Trupat e mbi 45 banorëve të Reçakut, janë të varrosur pak metra larg fshatit tek Kompleksi Memorial. Në afërsi të kompleksit është e ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu i cili për herë të parë masakrën e Reçakut e cilësoi krim kundër njerëzimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat