Prokuroria e Shtetit: S’ka aktakuzë kundër Martin Berishajt

Aktuale

Prokuroria e Shtetit: S’ka aktakuzë kundër Martin Berishajt

Më: 16 janar 2023 Në ora: 15:01
Martin Berishaj

Prokuroria Speciale nuk ka ngritur aktakuzë kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili po hetohet në Kosovë për shkak të implikimit të tij në një skandal financiar që prek tri shtete.

Nol Nushi, anëtar i Kryesisë së PSD-së tha sot se kanë informacione se Prokuroria tashmë ka ngritur kallëzim penal ndaj Berishajt.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi tha “nuk ka aktakuzë” të ngritur.

Paraprakisht, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se “s’mund të të them asgjë”.

Nushi, pas një aksioni që PSD-ja e zhvilloi te objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme, tha se Prokuroria po e heton Berishajn “për pastrim parash, shmangie të tatitimit dhe fshehje të biznesit”.

Në dy kohë, mediat në Slloveni dhe Kroaci kanë raportuar për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në një skandal të madh financiar që përmban miliona euro transaksione nëpër banka dhe qindra mijëra të bartura cash mes Kosovës, Malit të Zi e Sllovenisë.

Në Prokurorinë Speciale qëndrojnë dy kallëzime penale për këtë skandal dhe disa hetime kanë nisur. Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte nisur një hetim preliminar për mosdeklarim apo deklarim të rremë të pasurisë, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte dorëzuar aty një kallëzim penal.

Hetuesit e Policisë së Kosovës kanë ngritur po ashtu një kallëzim penal kundër ambasadorit Berishaj, të cilin e kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat