Krasniqi: Kurti thur elozhe për Ivanoviqin, nënçmon veteranët e UÇK-së

Aktuale

Krasniqi: Kurti thur elozhe për Ivanoviqin, nënçmon veteranët e UÇK-së

Më: 17 janar 2023 Në ora: 10:37
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, sot ka quajtur veteran të rrejshëm kryeministrin Albin Kurti, i cili sipas tij, po i nënçmon veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi ka potencuar se qeveria ia ka ndalur fjalën kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadanit në Akademinë Përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, “vetëm pse ai do të përmendte Hashim Thaçin e Kadri Veselin në fjalim”.

Duhet të jesh i paskrupullt dhe skajshmërisht mosmirënjohës, si Albin Kurti, që të të pengojë fjala e luftëtarëve të lirisë dhe prezenca e tyre nëpër aktivitete publike. Ndalimi nga ana e Qeverisë i fjalës së Kryetarit të Reçakut, ish-luftëtarit të UÇK-së, Adem Ramadani, në Akademinë Përkujtimore për 24 vjetorin e Masakrës së Reçakut, vetëm pse ai do të përmendëte Hashim Thaçin e Kadri Veselin në fjalim, fatkeqësisht, është në vazhdën e sulmeve të njëpasnjëshme që ky kryeministër po u bën vlerave të luftës çlirimtare dhe veteranëve tanë.

Gabim mund të quhet kur ndodh një herë, por kur diçka e tillë përsëritet në vazhdimësi, atëherë kemi të bëjmë me qasje e qëllim, me politikë të paramenduar qeveritare.”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shkruar se Kurti dje ka thurur elozhe për Oliver Ivanoviqin.

Ndërsa, si për ironi e pa fije turpi, Albin Kurti fjalë të mira dhe elozhe dje thuri vetëm për Oliver Ivanoviqin – të cilin sa ai ishte gjallë, edhe vet e akuzonte për vrasjen dhe dëbimin e shqiptarëve në Mitrovicë gjatë periudhës së luftës. E pas luftës, Ivanoviqi i dashur i Albinit, ka qenë shefi i "Rojave të Urës" që me dhunë e terror e kanë mbajtur të ndarë qytetin e Mitrovicës. E kuptoj deri diku xhelozinë historike të një veterani të rrejshëm si Albin Kurti, por, nënçmimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kaloj asnjëherë para nesh dhe qytetarëve të Kosovës. Turp!”, ka shkruar tutje Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat