Zyberaj thotë se në ç’njohjen nga Togo ka gisht “sekseri i Vuçiqit dhe Daçiqit”, Vladimir Cizelj

Aktuale

Zyberaj thotë se në ç’njohjen nga Togo ka gisht “sekseri i Vuçiqit dhe Daçiqit”, Vladimir Cizelj

Më: 17 janar 2023 Në ora: 11:39
Ana Bërnabiq, Robert Dussey dhe Vladimir Cizelj

Jetlir Zyberaj, këshilltar i kryetarit të AAK-së, Bexhet Pacolli, ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, i cili ka thënë se ky shtet ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Zyberaj thotë se në këtë punë, gisht ka pasur edhe drejtori i kompanisë “Vlatacom Institute”, Vladimir Cizelj, e që sipas tij, i njëjti është sekser i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Siç thotë ai, Cizelj vazhdon ta shtrojë “tepihun e kuq për diplomacinë korruptive të Serbisë”.

“Drejtori i Kompanisë ‘Vlatacom Institute’, Vladimir Cizelj, sekseri i Vuçiqit dhe Daçiqit, i njohur për afera korruptive në shumë vende afrikane dhe me çështje gjyqësore në Botsvanë, është personi që vazhdon të shtroj tepihun e kuq për diplomacinë koruptive të Serbisë, që ka prekur edhe ministrin e Jashtëm të Togos, Robert Dussey”, ka shkruar Zyberaj.

Teksa ka thënë se nuk pritet diçka tjetër nga Serbia, por problemi qëndron në Kosovë pasi siç thekson ai, ka nga ata që e përdorin këtë fushatë të Serbisë për sulme ndaj kundërshtarëve politikë.

“Nuk është se pritet diçka tjetër nga Serbia, ajo ka këtë formë të politikës së jashtme, duke mbështetur regjime që vrasin njerëz dhe korruptojnë diplomatë. Problemi është se në Kosovë ka nga ata që e përdorin këtë fushatë të Serbisë, e cila është kundër shtetit të Kosovës, më së shumti për sulme ndaj kundërshtarëve politikë, e ndaj Serbisë heshtin”, është shprehur Zyberaj në një postim në Facebook.

Në një konferencë për media, ministri i Punëve të Jashtme i Togos, Robert Dussey ka thënë se ky shtet ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Togo kishte njohur pavarësinë e Kosovës më 11 korrik të vitit 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat