Osmani: Liria mban edhe emrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës

Aktuale

Osmani: Liria mban edhe emrat e Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës

Më: 17 janar 2023 Në ora: 13:26
Osmani dhe Konjufca sot u pritën nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, zv.kryeministrja Donika Gërvalla

Presidentja Vjosa Osmani, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, sot u pritën nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në Dubovik, me ç’rast, Osmani u shpreh se nderuan kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës për çlirim kombëtar.

Osmani theksoi se liria mban edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse, “ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!”

“Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët. I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!”, shkroi Osmani në Facebook.

Më 17 janar të vitit 1982 janë vrarë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Ndonëse, kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht e organizativisht me veprimtarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat