Si u harrua kryeheroi shqiptar Skënderbeu në 555 vjetorin e vdekjes!

Aktuale

Si u harrua kryeheroi shqiptar Skënderbeu në 555 vjetorin e vdekjes!

Nga: Idriz Morina Më: 17 janar 2023 Në ora: 18:26
Pikturë, Skenderbeu duke luftuar kundër osmanëve

Një nga heronjtë më të mëdhenj kombëtar, një nga figurat më të paarritshme kombëtare e europiane, nuk është kujtuar sot fare, nga asnjëri shtet shqiptar. Kryeheroi, mbreti shqiptar Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur Skënderbe, për shkak të famës së madhe në perandorinë osmane, e cila e shihte një Aleksandër të Madh, tek ai, por edhe për shkak të besimit, se ai ishte i të njëjtës linjë gjaku, në kuptimin etnik, ka mbushur 555 vjet sot, nga fryma e fundit e tij!

Nuk është pra, thjesht një datë e radhës së ditëlindjes apo ditëvdekjes, por një vit jubilar për nga shifrat, interesant që më nuk do të mund të përsëritet, vetëm si 666, pas 111 vjetëve, atëherë kur nga të gjallët e sotëm, mund të mos jetë asnjë duke jetuar.

Vetëm si një datë e tillë, ishte shumë tërheqëse për ta kujtuar këtë kryhero, i cili është shndërruar edhe në një kryetip (arketip) i modelit heroik, që e kanë ndjekur dhe duhet ta ndjekin shqiptarët.

Image
Portret i Gjergj Kastriotit - Skënderbeut

Me Skënderbeun edhe sot mund të luftohet propaganda e çmendur serbe!

Por, ja që as në Shqipëri, dhe as në Kosovë nuk organizuan asnjë ceremoni.

Ndoshta, veçmas për Kosovën, ka qenë e udhës, që në disa ambasada kyçe të organizohej pritje, ndeja nga më të mirat, si në aspektin diplomatik edhe kulturor, për ta prezantuar figurën e Skënderbeut, shqiptarit më të njohur në botë, veçmas në kontekst të luftës në Ukrainë, ku i gjithë Perëndimi është duke e ndihmuar këtë shtet dhe liderin e tyre Zelenskin, për ta mbrojtur kundër pushtimit rus.

Ndërsa, sot Perëndimi po solidarizohet thuaja 100% me Zelenskin e ukrainasit, 555 vjet më parë, Perëndimi ishte i ndarë, dhe nuk e mbështeste mjaftueshëm, kryeheroin e shqiptarëve Skënderbeun, për ta luftuar perandorinë osmane. Madje Skënderbeu i fitoi vetë të gjitha betejat me pak ndihma, ndërsa Perëndimi kryesisht i jepte jehonë fitoreve të tij, e madhëronte, si mbretërit edhe vet Papët, por asnjëherë nuk dërgonin ushtri apo para të mjaftueshme, rroba e ushqime, sa kishte nevojë mbreti Skënderbeu, por ato ishin të pakta, dhe të pamjaftueshme për t’u vlerësuar si një kontribut i mirëfilltë për fitore.

Sot, Ukrainës i jepen, tankse, dron, rezerva armatimi, municione pa fund, e deri tek armët më të sofistikuara, si “Javellin” e raketat “Patriot”!

E çka merrte Skënderbeu? Venediku më shumë bënte tregti me osmanët se me Skënderbeun, madje shpesh nuk i shiste as materialet bazë për luftë!

Pavarësisht kësaj, Skënderbeu atëherë ishte heroi ideal për fitore, sepse po fitonte edhe pa ndihmën perëndimore.

Zulma e Skënderbeut u bë thuaja edhe më e madhe pas vdekjes së tij, për 25 vjet perëndimi nuk ia doli që t’i bashkonte forcat dhe perandorinë osmane ta dëbonte nga Europa, si synonte. Dhe këtij qëllimi nuk ia arriti kurrë më, përveç se duke u pajtuar që ajo të mbeste pjesërisht në dy kontinente, pas më shumë se katër shekuj luftërash, duke krijuar disa shtete, si Greqinë, Serbinë, Malin e Zi, Rumaninë dhe më në fund Bullgarinë e Shqipërinë.

Imazhi i Skënderbeut ishte aq i fuqishëm, sa edhe sot, ai konsiderohet si njëri prej strategëve dhe gjeneralëve më të mëdhenj të njerëzimit, si Aleksandri i Madh, Xhingis Kani apo Hanibali apo në modernitet si Napoleoni etj.

Pra, Europa sot duhet të rinjihet dhe të na rinjeh neve shqiptarëve, nëpërmjet kryeheroit Skënderbe, sepse ai nuk u konsiderua kurrë më nga europianët vetëm si një hero shqiptar, por si një mbrojtës e atlet i krishterimit.

Kjo anë e imazhit (apo anë e medaljes) të tij, është shumë përkatëse dhe reprezentative, për aktualitetin dhe imazhin e ndotur, përveç se nga gabimet shtetërore, qytetare, por kryesisht të ndodhur për shkak të propagandës serbe.

Andaj, ishte rasti nga më të mirët, dhe mbase edhe më mirë do të ishte që ta kishin organizuar së bashku me Shqipërinë, për të treguar se para Zelenskit, Perëndimi e kishte një hero super të shquar, madje që luftonte vet në beteja dhe po vet i udhëhiqte ato, dhe i fitonte, dhe se po ashtu kishte një popull shqiptar të bashkuar thuaja në gjithë Ballkanin, që shkonin në ushtrinë e tij, pa ditur kurrë për humbje, dhe se duke e mbrojtur tokën e shenjtë shqiptare, po e mbronin edhe tërë Europën, në kohën që nuk gjendej dot asnjë ushtri e fuqishme t’i mundte apo t’i dilte përballë!

Skënderbeu, megjithëse, krahasuar me zhvillimin e sotëm teknologjik duket i ngadaltë, kishte ndërtuar një rrjet informacioni të koduar, për kushtrim, e raste sulmesh të rrufeshme, apo edhe për lëvizje të fuqishme të ushtrisë osmane, sa që komunikimi kryhej thuajse në kohë reale brenda Mbretërisë.

Por, këto komunikime nuk mund të bëheshin përtej Arbërisë apo Epirit, kësaj mbretërie siç e quante Skënderbeu. Duheshin javë, e ndonjëherë muaj të tërë, për të udhëtuar drejt Romës, Papatit për të gjetur mbështetje, dhe edhe shumë më shumë kohë, që ndihma pastaj të nisej, ndërsa Europa ishte e përçarë rëndë, e fragmentuar sa s’ka, me përjashtim të disa mbretërive, por që thuaja asnjëherë nuk bashkëvepronin, as ndërmjet vete, dhe as me Skënderbeun.

Studiuesit ia kanë dalur të japin këtë shpjegim, për kurorën, përkrenaren e dhuruar nga Vatikani, që Papa e kishte përgatitur për Skënderbeun, siç besohet në vitin 1466, por siç mendohet që nuk arriti atë vit në Krujë. Mbishkrimi ndodhet në pjesën e poshtme të Përkrenares në një rrip bakri, që e mbështjellë rreth e rrotull atë, i ndarë në gjashtë rrokje:

IM*PE* RA* TO* RE* BT

- që shpjegohet nga studiuesit kështu:
Jezuj i Nazaretit *
të Bekon ty Skënderbe *
Princ i Matit *
Mbret i Shqipërisë *
Tmerri i Osmanlinjve *
Mbret i Epirit

Pra, sipas vlerësimeve të Papatit, nuk mund të kishte një bekim më të lartë, dhe nuk kishte një hero tjetër mbase, që mund të merrte këso atribuime.

Por, atë që e humbën me 17 janar, mund të mos e humbasin me 2 mars, si momentin e një Besëlidhje, një paraprijëse të aleancave ndërshqiptare, e jashtë tyre, dhe sot si duket në atë frymë, tingëllon se është krijuar NATO-ja, dhe vet pajtueshmëria kundër Rusisë në mbështetje të Ukrainës.

Image
Përkrenarja dhe shptatat e Skënderbeut, e madhja ishte ceromoniale, gjatë ekspozimit në Tiranë

Konteksti i brendshëm dhe rëndësia për shqiptarët

Skënderbeu me rikthimin e tij të befasishëm e tronditës për Sulltan Muratin II me 28 Nëntor 1443, pas pak muajsh me 2 mars të vitit 1444, i mblodhi princërit shqiptarë, në Kuvendin e Lezhës, ku e njohën për kryekomandant dhe udhëheqës të luftës. Besëlidhja mbet e pathyeshme, me ndonjë përjashtim të përkohshëm. Madje pjesërisht me në krye Lekë Dukagjinin, e vazhdoi rezistencën edhe për dhjet vjet në Krujë, deri më 1478, kur ra përfundimisht.

Modeli i Skënderbeut vazhdoi të jetojë e jehoj në kujtesën e shqiptarëve, aq sa edhe një kanun malesh mban emrin e tij, “Kanuni i Skënderbeut”, ndërsa thuaja të gjitha luftërat në shekuj më pas, të bëra nga shqiptarët, e kishin po atë model për motivim dhe atdhedashuri. Madje edhe Pasha i Shkodrës, Kara Mahmuti, sipas disa komunikimeve të zbuluara e kishte shpallur vetën si një pasardhës të Skënderbeut, me shpresën për t’u bërë i dashur dhe për ta përfituar mbështetjen për ta bërë Shqipërinë shtet të pavarur, të paktën pashallëkun ku sundonte.

Ndërkohë, që kishte edhe një përpjekje të përbashkët të të gjithë pashallarëve, në krye të së cilës nismë ishte Ali Pashë Tepelena, sipas studiuesit Irakli Koçollari, për krijimin e një shteti shqiptar, që sipas disa përllogaritjeve nëse realizohej do të krijohej një shtet prej mbi 150 mijë km katror e mbase edhe 200 mijë km/2. Kjo ishte e realizueshme, pasi ende nuk ekzistonin, as si shtet e as si principata të mirëfillta, as Greqia, as Serbia, as Mali i Zi, as Bullgaria e aq më pak Maqedonia.

Më pas erdhi Rilindja dhe romantizmi shqiptar, të cilat lëvizje (njëra letrare – formacion, dhe tjetra politike) e rikthyen në hero frymëzues, në rizgjimin e lëvizjes për liri dhe shtet shqiptar, e cila u përmbyll me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, por që nuk qe shpallur si u njoh, siç thuhet në kufijtë londinez.

Sidoqoftë, viteve të fundit është krijuar një lloj rezistence ndaj Skënderbeut nga ‘investitorët’ e huaj fetar, në sektet islamike, me qëllim të mbjelljes së përçarjes.

Investimin kryesor e ka bërë Serbia me ndihmën e Rusisë, duke u shërbyer me rrjetin e inteligjencës dhe diplomacisë, duke e përhapur me qëllim, të krijimit të një imazhi radikal për shqiptarët, në kulmin e luftës së perëndimit kundër terrorizmit islamik.

Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve shqiptarët, vazhdojnë ta nderojnë masivisht kryeheroin e tyre, Mbretin më madhështor, ndoshta në dy mijë vitet e fundit, që ka pasur bota!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat