Shqiptarët me një diplomaci të rrëmbyeshme ta pamundësojnë asociacionin antikushtetues

Aktuale

Shqiptarët me një diplomaci të rrëmbyeshme ta pamundësojnë asociacionin antikushtetues

Nga: Idriz Morina Më: 18 janar 2023 Në ora: 17:27
Foto ilustrim: Lajçak, kancelari Sholc, Makron, Kurti, Borell dhe Vuçiq

Cilat mund të jenë atributet e një asociacioni, për të cilin serbët dhe Perëndimi po këmbëngulë që ata ta kenë?

Dje ishte 555 vjetori i vdekjes së Skënderbeut, mbrojtësit të krishterimit dhe qytetërimit perëndimor, i cili për 25 vjet ndaloi dhe pengoi avancimin e pushtimeve turke drejt Europës. Ndoshta të paktën Vjena do të mund të kishte rënë, sikur të mos ishte suksesi i luftërave të Skënderbeut, që u kthyen në makth për dy sulltanët turq, babë e bir, Muratin e dytë dhe Mehmetin, e mbiquajtur “Fatihu” – “Pushtuesi”, pasi ia doli në vitin 1453 ta shuajë përfundimisht perandorinë mbi një mijëvjeçare romake, të mbiquajtur Bizant, me pushtimin e Stambollit.

Një diplomaci e re kundër tezave serbe

Dje ishte dita, por edhe ky vit do të mund të ishte i tëri për përkujtimin e historisë së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut nga diplomacia shqiptare, e veçmas ajo e Kosovës, i cili nuk ishte vetëm në shpëtimin e këtij qytetërimi, pasi e kishte popullin shqiptar, në të katër anët.

Ngjashëm shqiptarët do të shfaqnin shpirtmadhësinë e tyre, tashmë jo duke fituar luftëra të bujshme, por duke i mbrojtur hebrenjtë nga vrasja masive që i kërcënonte gjatë Luftës së Dytë Botërore. Atëherë kur, të gjitha qeveritë europiane, që ishin në aleancë ose vasale të Rajhut të tretë, ua dorëzonin ose i denonconin hebrenjtë te nazistët.

E vetmja qeveri, edhe pse vasale, ishte e Shqipërisë, pjesë e së cilës ishte tashmë edhe Kosova, nuk ua dorëzoi hebrenjtë gjermanëve, ndërsa po ashtu edhe shqiptarët refuzuan ta bënin këtë, duke rrezikuar edhe familjet e tyre.

Që të dyja herët, kjo ndodhi për shkak të besës së dhënë. Skënderbeu dhe shqiptarët e asaj kohe ishin betuar, kishin dhënë Besën publikisht për të luftuar së bashku dhe deri në fund kundër pushtimit nga perandoria osmane.

Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas zakonit mijëravjeçar, Besës, zotoheshin se do t’i mbronin dhe nuk do t’i tradhtonin në asnjë rast dhe me asnjë çmim, hebrenjtë që mund të kërkoheshin dhe rrezikoheshin.

Pra, Besa ishte institucioni, që i mbronte të rrezikuarit, madje nga një palë e tretë. Edhe Skënderbeu i kishte premtuar Papës se do t’i vazhdonte luftërat në mbrojtje të Epirit, dhe se sa të ishte gjallë ai, këmba e turkut nuk do të shkelte.

Këto dy ngjarje të pranuara nga historiografia botërore, duhet të shërbejnë si imazh i përhershëm i Kosovës dhe shqiptarëve përgjithësisht, ndërsa sa i përket disa ndodhive lokale, mund të argumentohet duke i fajësuar se ata, që u kanë bërë keq fqinjëve serbë pa luftë, në paqe, e kanë shkelur kodin e Besës, të dy ngjarjeve të përmendura dhe se ata do të japin llogari para ligjit.

Imazhi i vërtetë i shqiptarëve

Para Perëndimit ne duhet ta gëzojmë imazhin e vërtetë, se shqiptarët ishin mbrojtës të civilizimit europian dhe të krishterimit, dhe po ashtu në kohët moderne ne mbrojtëm dhe respektuam të drejtat e njeriut në maksimum, duke rrezikuar vetë qenien tonë. Kjo sjellje e jona nuk ishte taktike diplomatike apo politike e shtetit, ishte sjellje sipas identitetit tonë, etikës më humane e më të shenjtë njerëzore, burimore shqiptare.

Prandaj, këto dy ngjarje historike, atipike për kulturën europiane para shekullit 20-të, duhet të shërbejnë si postulate të politikës së jashtme të Kosovës, dhe njëkohësisht si pika kthese ndaj sulmeve serbe, ruse dhe të tjera, që mundohen t’i diskreditojnë shqiptarët si ‘fundamentalistë islamik’, sipas retorikës së regjimit të Millosheviçit, apo si ‘potencial terrorist’, sipas retorikës së mëpasme, të Moskës dhe Beogradit.

Pra, shqiptarët, duhet ta sigurojnë bashkësinë ndërkombëtare se për të paktën gjashtë shekuj, jo vetëm që nuk kanë qenë dëmtues, kishash, varresh apo shtypës ndaj besimeve të tjera apo popujve të tjerë, por ata e kanë kultivuar një tolerancë fetare e ndëretnike - model, edhe për kulturën më të lartë perëndimore. Duhet t’i sqarohet se ndodhitë negative ishin aksidentale, e madje mund të jenë kryer në bashkëpunim me agjencitë serbe etj.

Ndërsa, duhet të evidentohet maksimalisht, ajo se çfarë kanë fituar serbët në Kosovë, me pakon Ahtisari dhe marrëveshjet në Bruksel, pavarësisht që ishin agresor, dhe jo vetëm në luftën e fundit, por edhe gjatë gjithë regjimit të Millosheviçit, të diktatorit Tito etj., e për gati dy shekuj me radhë, që është përcjellur me gjenocide dhe dëbime masive të shqiptarëve, me përpjekje për zhdukjen e tyre.

Po ashtu duhet t’i kujtohen se nën këtë dhunë, aparati represiv, shqiptarët në rreth 5 mijë kilometra katror në Sanxhak janë buzë zhdukjes për shkak se shqiptarët nuk e gëzojnë asnjë të drejtë, as shkollimi, as festimi, as në shëndetësi, as në pushtet, përveç se si të asimiluar në boshnjak, një komunitet që nuk ka asnjë lidhje reale me ngjarjet atje. Ngjashëm po ndodhë me dëbimin në heshtje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe se në Medvegjë thuajse është realizuar projekti me shpopullimin masiv të kësaj komune.

Disproporcion dhe asimetri

Pra, angazhimi perëndimore është në disproporcion të plotë dhe asimetrik me fatin e miliona shqiptarëve në Serbi, dhe përgjithësisht në rajon, si në Greqi, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, krahasuar me atë që po bën për rreth 35 mijë serbë potencial në veri.

Mbi këtë paradigmë, mund të ndërtohet apo të pengohen paragjykimet e krijuara, mbi të cilat pretendohen edhe kompetenca ekzekutive për asociacionin.

Ndërkohë, ka disa ditë, që Dega në Prishtinë e Institutit gjerman Friedrisch Ebert Stiftung ka deklaruar se e ka përgatitur një draft për statutin që mund ta ketë asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Sipas disa botimeve paraprake, ky statut ka elemente jo të pakta antikushtetuese.

Kryeministri Kurti, disa mediave të ndryshme të huaja u ka thënë se nuk do të ketë asociacion me kompetenca ekzekutive.

Ndërmjetësuesi i BE-së Miroslav Lajçak, e ka shfrytëzuar forumin ekonomik në Davos të Zvicrës për t’i takuar aty, veç e veç, kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Sipas Lajçakut në takimet në Zvicër janë diskutuar hapat që do të ndërmerren në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve dhe për çështjet aktuale që nuk presin dhe janë të natyrës urgjente.

Lajçak do të vijë të premten në Prishtinë, së bashku me emisarin amerikan për Ballkanin, Gabriel Eskobar, e kësaj here të shoqëruar përveç se nga këshilltari i presidentit të Francës, dhe ai i kancelarit gjerman, do të jetë për herë të parë edhe këshilltari i kryeministres italiane, Meloni, ka bërë të ditur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Sigurisht se rritja e pranisë së shteteve perëndimore në bisedime, është përpjekje për më shumë presion, por ai duhet të shkarkohet ndaj serbëve - shkelësve të kodeve apo të të gjitha kodeve njerëzore, në gati dy shekuj ndaj shqiptarëve, që po ashtu s’ka ndaluar në dëmtimin, shtrembërimin dhe vjedhjen e identitetit të shqiptarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat