Pacolli: Çnjohja nga Togo ndodhi tash në Beograd, jo në vitin 2019

Aktuale

Pacolli: Çnjohja nga Togo ndodhi tash në Beograd, jo në vitin 2019

Më: 18 janar 2023 Në ora: 19:06
Behgjet Pacolli

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka demantuar kryediplomaten Donika Gërvalla pas deklaratës së kësaj të fundit se çnjohja nga Togo kishte ndodhur në vitin 2019, e jo tash.

Në atë periudhë, në krye të MPJ’së ishte vetë Pacolli. Ai tha se deklarata e Gërvallës nuk zë vend, pasi sipas tij, çnjohja ka ndodhur këto ditë në Beograd.

“Çnjohja”, nese doni me e quajt çnjohje, ka ndodhur këto ditë në Beograd. Ashtu si e konfirmonte ministrja e PJ (pak para se të ndodh paraqitja e ministrit të Togos në konferencë për shtyp në Beograd) ne këtu në Kosovë nuk kemi pasur njohuri që Togo ka tërhequr njohjen. Ka pasur vetëm zëra, propagandë nga Beogradi“, tha Pacolli.

Pacolli shtoi se ishte bërë punë intensive për të ardhur deri te njohja nga Togo, që tashmë ka prishur lidhjet me Kosovën.

“Nuk kisha dashur të hy në polemikë me zonjën Gërvalla duke ditur se është detyrë e saj te mirret me njohjet, çnjohjet apo kultivimin e marrëdhënieve të mira me botën. Njohja ka ndodhur në vitin 2014 si kontribut i një pune intenzive nga viti 2009“, u shpreh ai.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, dy ditë më parë kishte thënë se çnjohja e Kosovës nga Togo ka ndodhur në vitin 2019, e jo në mandatin e Qeverisë aktuale.

“Të gjithë të ekzaltuarve rreth ‘çnjohjes’ së Togos dhe propagandës së Daçiçit dua t’iu rikujtojë që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri. Më e pakta që do të duhej të ndodhte pas një propagande të tillë të përsëritur dhe fushatës kundër Kosovës është qëndrimi unik ndaj propagandës së Daçiçit dhe Vuçiçit, jo vetëm rreth “çnjohjeve”, ka shkruar Gërvalla në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat