“Kobra City” biznes “pasiv” në ARBK, ATK nuk e kishte inspektuar

Aktuale

“Kobra City” biznes “pasiv” në ARBK, ATK nuk e kishte inspektuar

Më: 18 janar 2023 Në ora: 20:15
Kobra

Objekti i “Kobra City” ku dyshohet që ndodhi një vrasje e një plagosje nuk ishte gjithmonë në këtë lokacion.

Në vitin 2016, objekti i vjetër, ishte djegur dhe pak më vonë, i njëjti ishte hapur në një lokacion tjetër.

Por për këtë, nuk ishin njoftuar institucionet.

“Objekti ku ky biznes ka operuar më parë është djegë, dhe ka dalë jashtë përdorimit e që pas kësaj, pa asnjë kërkesë për ndërrim të adresës biznesi ka filluar operimin në një lokacion tjetër, pa informuar ATK-në, as shërbimin e tatimpaguesve e as Drejtorinë Operative Rajonale ku biznesi ka qendrën tatimore, që në këtë rast në kemi marrë masa sipas ligjit ne fuqi”, ka deklaruar Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Në Agjencinë e regjistrimit të bizneseve,  biznesi figuron si i pasivizuar që nga data 9 qershor i vitit të kalaur, për çka Ministria e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë ka sqaruar se pse ndodh kjo.

“Sipas Ligjit për Shoqëritë Tregtare Nr.06/L-016 neni 266 paragrafi 3 – precizon se të gjitha Shoqëritë Tregtare ekzistuese që nuk i kanë përditësuar të dhënat e biznesit në tri vitet e fundit të futen në një listë të Shoqërive Tregtare passive”, ka shpjeguar Ministria e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë.

Pavarësisht kësaj, ATK-ja ka konfirmuar se të paktën pas periudhës së pasivizimit, nuk është bërë ndonjë inspektim i këtij biznesi, por kjo nuk është përjashtuar si mundësi në të ardhmen.

“Rrjedhimisht, bazuar në të gjeturat e kontrollit tatimor, departamentet kompetente të Administratës Tatimore të Kosovës do të vijnë në përfundim se a do të ngrihet kallëzim penal ndaj këtij subjekti tatimor”, sqaron ATK-ja.

Avokati i pronarit të “Kobra City” thotë se nuk është i njoftuar nga klienti i tij për ndonjë parregullsi administrative.

“Në bisedë me të vazhdimisht më ka thanë se dokumentat i kam çdoherë në rregull dhe nuk jam njoftuar dhe nuk e di momentalisht a ka qenë i pajisur me leje për ushtrimin e veprimtarisë ose jo”, ka thënë avokati i Dibran Hoxhajt, Nexhat Elshani.

Objekti i vjetër i biznesit “Kobra City” që u kthye në vëmendje të publikut pas vrasjes së një shtetasi të Shqipërisë e palgosjes së një tjetri në fillim të këfij viti, ishte djegur në janar të vitit 2016.

I dyshuari kryesor për këtë rast, është pronari Dibran Hoxha, recidivist, e i dënuar me dhjetëra herë për vepra të ndryshme penale, për të cilin, prokuroria e Prizrenit, sipas një përgjigje është duke vazhduar hetimet për rastin e fundit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat