Nuk kalon projektligji për Trustin, përfundon seanca, s’ka kuorum

Aktuale

Nuk kalon projektligji për Trustin, përfundon seanca, s’ka kuorum

Më: 19 janar 2023 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 18:34 më 19.01.2023
Kuvendi i Kosovës

​Përfundon seanca, s’ka kuorum

Kuvendi i Kosovës ka mbyllur punimet plenare të seancës së sotme, në mungesë të kuorumit.

Pas mos miratimit të tërheqjes së mjeteve nga Trusti, deputetët opozitarë dolën nga salla plenare, ndërkaq, megjithëse deputetët nga mazhoranca vazhduan shqyrtimin e Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, i njëjti nuk u miratua, pasi në momentin e votimin ishin vetëm 57 deputetë.

Rrjedhimisht, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, mbylli punimet dhe tha se kjo seancë do të vazhdojë javën e ardhshme.

Vetëvendosje kundër, nuk kalon projektligji për Trustin

Projektligji për trustin ka dështuar të marrë votat për miratim.

Nga 101 deputetë që ishin në sallë, 42 votuan pro, 55 kundër dhe një ka abstenuar.

Shumica e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ishin në sallë, votuan kundër këtij Projektligji, ndërsa tri partitë opozitare votuan pro.

​Deputeti i PDK-së kërkon nga Qeveria dhe FSK-ja të reagojnë për shkak të vërshimeve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka kërkuar nga Qeveria dhe institucionet të dalin në teren dhe mbështesin familjet në nevojë për shkak të vërshimeve.

Ai gjatë seancës së sotme plenare, tha se angazhim shtesë për shkak të vërshimeve duhet të ketë edhe FSK-ja.

“Vërshimet janë shumë të mëdha në qytetin e Skenderajt, Mitrovicës, Vushtrrisë, Istogut, Pejë dhe dukagjin përgjithësi. Në këtë drejtim, kërkojmë që të ketë një mbështetje më të mëdha nga Qeveria dhe institucionet siç është edhe Agjencinë i Menaxhimit të Urgjencave, por jo vetëm. Edhe FSK-ja dhe rezervistët në këtë rast është mirë që të reflektojnë dhe angazhohen që t’i mbështesin familjet në nevojë. Tash e pata një thirrje nga një familje e cila është dashur të pozicionohet në katin e dytë për shkak të vërshimeve në Skenderaj”, tha ai.

​Edhe një deputet i LVV-së kundër qëndrimit të GP-së, kërkon një zgjidhje për Trustin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka kërkuar që të arrihet një konsensus ndërmjet gjitha grupeve parlamentare për çështjen e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

Në seancën e Kuvendit, ku po shqyrtohet kjo nismë legjislative, Abazi dha disa propozime që sipas tij do të nxjerrtë vendin nga ngërçi për Trustin.

“Propozimi im me dashamirësi është nëse vërtet ia doni të mirën qytetarit, të tërhiqeni dhe gjitha grupet parlamentare të dalin me një zgjidhje. A është 10 për qindëshi tërheqje pa pagesë të tatimeve apo 30 për qindëshi i tërheqjeve të qytetarëve, meqë rast duhet të paguhen tatimet, pasi është tërheqje para kohe. A po është një modalitet i tretë brenda të cilit nuk ka humbës apo fitues, por ka zgjidhje për qytetarin, është çështje e një debati ku duhet të thirren edhe ekspertët për të ikur tutje”, tha ai.

Vazhdon seanca për trustin, ja sa deputetë janë në sallë

Deputetët e Kuvendi të Kosovës janë kthyer sërish në seancë pas pauzës së mbajtur.

Ata janë duke e vazhduar diskutimin për Projektligjin për tërheqjen e parave nga Trusti.

Momentalisht në sallë gjenden 33 deputet opozitarë dhe 50 nga mazhoranca.

Në vazhdën e diskutimeve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti pensional, në Kuvendin e Kosovës, ka folur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari.

Ai tha se qytetarët kanë shumë nevojë për të hollat e Trustit, por sipas tij nuk dihet nëse kjo do ta zgjidhte krizën.

Deputeti i LVV-së, nuk bëri të ditur se si do të votoj, pro apo kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.

“Jeni në një kohë të madhe krize, keni shumë nevojë për këto të holla të trustit, kurrë nuk keni pasur më shumë nevojë se sa tash. Se sa ua zgjidhin krizën nuk e di, mirëpo një gjë mund të ju siguroj, kur t’i bëni 65 vjet nuk do të keni nevojë për këto të holla sepse ju mjaftojnë vitet e pleqërisë”, ka thënë ai.

​Kastrati-deputetëve të LVV-së: Jeni të burgosur prej Binit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka adresuar akuza të rënda ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, në seancën e sotme plenare.

Gjatë shqyrtimit të Projektligjit për tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, Kastrati i ka quajtur deputetët e mazhorancës të burgosur nga kryeministrit Albin Kurti, apo siç e ka quajtur ai “Bini”.

Kastrati: Deputetët e LVV-së janë të burgosur prej Binit

Ju keni besim në këto si iniciativë jo politike, por për nevoja të qytetarit, por në fakt ju veproni ndryshe.

Veproni ndryshe se jeni të burgosur prej binit. Individi është vlera themelore e çdo shoqërie moderne, kjo nuk do të thotë se kjo nuk ka demokraci, pasi ju jeni të votuar, jeni përfaqësues të qytetarëve, por kjo është demokraci pa individë.

Ju nuk lejoheni të thoni mendimin e juaj të lirë me çështjen që po diskutohet.

Pasi marrëdhënia juaj me binin është sikur ajo e foshnjës me nenën, e cila nuk mundet me u shkëput kordonin nga kërthiza sepse është e varur prej saj”, tha ai.

Deputetët kthehen në seancë, pritet të votohet për Trustin

Deputetët e Kuvendi të Kosovës janë kthyer sërish në seancë.

Ata janë duke e vazhduar diskutimin për Projektligjin për tërheqjen e parave nga Trusti.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, që prej kohësh ka marrë përsipër ta çojë agjendën e tërheqjes së kursimeve përpara, këto ditë ka shpjeguar se si mund të kalojë ky projektligj.

“61 deputetë duhet të jenë prezentë, të marrin pjesë në votim, e pastaj shumica e thjeshtë e deputetëve të pranishëm, diku 31, duhen që me kalu Projektligji”, ka thënë Haxhiu.

Qalaj kërkon nga Sveçla të raportojë në Kuvend për kërcënimet e deputetëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të raportojë në Kuvend, lidhur me kërcënimet ndaj deputetëve të cilat sipas tij janë serioze.

Deri tash është raportuar se lidershipi i LDK-së dje ishte informuar nga autoritetet gjermane të ministrisë së Punëve të Brendshme se planifikohej një atentat ndaj tyre. Më pas, edhe Policia e Kosovës ka konfirmuar se cak i një atentati të mundshëm ka qenë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetë të tjerë të LDK-së, Avduallah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Një grup shqiptarësh që jetojnë jashtë Kosovës kishin rënë në përgjimin e policisë gjermane, teksa kanë qenë duke folur për realizimin e disa vrasjeve politike në Kosovë. Organizatori i atentatit është raportuar se në shënjestër kishte edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe deputeten e kësaj partie Ganimete Musliu.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Qalaj tha se kanë nevojë të marrin informata lidhur me ato kërcënime ndaj të zgjedhurve të popullit.

Qalaj: Sveçla të raportojë në Kuvend për kërcënimet e deputetëve

“E kam një kërkesë për ministrin e Punëve të Brendshme që në seancën e radhës të vjen të na raportojë, atë çka mundet të njoftojë për kërcënimet që kemi dëgjuar për deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilat kërcënime janë serioze. Kemi nevojë që si deputetë të marrin informata ato që mund të jepen në lidhje me këto kërcënime”, tha ai.

Për këto kërcënime foli edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi nga organet e rendit dhe të drejtësisë që t’i hetojnë ato.

Konjufca: Ne i dënojmë ato kërcënime

Ne i dënojmë ato kërcënime dhe një gjuhë të tillë. Kërkojmë nga organet e rendit dhe të drejtësisë që t’i hetojnë këto dhe t’i kapin ata që bëjnë veprime të tilla”, theksoi Konjufca.

Këto deklarime u bënë gjatë shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Fondin Pensional, i cili do të mundësonte tërheqjen e mjeteve nga Trusti deri në 30 për qind.

Diskutimet lidhur me këtë çështje ende nuk kanë përfunduar, ndërkohë, deputetët e Kuvendit shkuan në pauzë deri në orën 15:30.

Deputeti i VV-së: Unë do të votoj pro tërheqjes nga Trusti, por me dy kushte

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani ka thënë se është pro tërheqjes deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondet Pensionale, por me kusht që mjetet e tërhequra të rimbursohen në një periudhë 10-vjeçare.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Rrahmani ka deklaruar se do ta prezantojë një amadament në të cilin do të përfshihej kushti i tij për rikthimin e mjeteve të tërhequra te kontributdhënësit.

Ai ka thënë se po ashtu duhet që të rregullohet çështja e tërheqjes së mjeteve nga Trusti për nevoja shëndetësore të qytetarëve.

“Sot kjo iniciativë është më ndryshe por mendoj se nuk është e duhura. Mendoj se mund të gjejmë një zgjidhje dhe të largohemi pak nga kjo retorikë. Janë disa mënyra të cilat e kanë rregullu çështjen e rimbursimit të mjeteve në Trust dhe mendoj se mund të gjejmë një zgjidhje të përshtatshme edhe për kontributdhënësit, edhe për neve”, tha ai.

“Mendoj se tërheqja e mjeteve mund të propozohet në dy raste: njëra është për trajtim shëndetësor. Në këto raste mendoj se duhet që secili prej nesh ta mbështet tërheqjen e mjeteve nga Trusti”, deklaroi Rrahmani.

“Rasti i dytë, e që besoj është fokusi se si duhet të dalim nga kjo zgjidhje, është që të përfitojë në një situatë në ditët e sotme kur gjendja ekonomike nuk është e mirë për shumë arsye, e më së paku për arsye të kësaj qeverie. Unë do të prezantoj që tërheqja e mjeteve deri në 30 për qind të kthehen si rimbursim te kontributdhënësit në një periudhë 10-vjeçare”, u shpreh deputeti i LVV-së.

​Murati për Trustin: Opozita po dëshiron të shkatërrojë sistemin pensional

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se partitë opozitare po dëshirojnë të shkatërrojnë sistemin pensional të Kosovës, njëjtë sikur Serbia në të kaluarën.

Murati në seancën e sotme të Kuvendit, ku po shqyrtohet projektligji për fondin pensional, i cili do të mundësonte tërheqjen e 30 për qind të mjeteve nga Trusti, tha se i njëjti është populizëm dhe duhet të ndalohet.

“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një populizëm që edhe po të vinte nga Qeveria, po të kishte një opozitë të përgjegjshme do të duhej të ndalohej. U tha se qytetarët po e kërkojnë.

Qytetarët e kanë votuar qeverinë tonë me 50.2 për qind, por çka po synohet këtu është shkatërrimi i një sistemi pensional, kjo tashmë është thënë nga deputetë të opozitës se synimi është të merren këto 30 për qind, pastaj edhe 30 të tjera dhe pastaj të shkatërrohet si sistem dhe të kalohet në sistemin ku kontribuon gjenerata për gjeneratë. Pra, gjeneratat aktuale që kanë kontribut duhet me vazhdu me kontribu edhe për gjeneratat të tjera, për shkak se dikujt iu ka tek me shkatërru sistemin. Ne kemi pasur një sistem pensional të cilin na ka shkatërruar Serbia që na ka marrë fondet, tash edhe opozita po dëshiron të shkatërrojë, ky është synimi”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat