Abdixhiku konfirmon planin për atentat ndaj tij dhe kolegëve tjerë të partisë

Aktuale

Abdixhiku konfirmon planin për atentat ndaj tij dhe kolegëve tjerë të partisë

Më: 19 janar 2023 Në ora: 11:52
Lumir Abdixhiku në Kuvend

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konfirmuar tentim-atentatin ndaj tij.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës e ka ofruar sigurinë e nevojshme.

Këtë deklarim Abdixhiku e bëri para mediave, derisa shtoi se nuk ndjehet i rrezikuar.

“Nuk ndihemi absolutisht të rrezikuar, Policia e Kosovës dhe organet e tjera të rendit tashmë janë duke u marrë me këtë. Unë sot në Kuvend kam ardhur si zakonisht pa pasur nevojë për mbrojtje të afërt”, ka thënë Abdixhiku, duke mos dhënë detaje më të hollësishme, raporton eo.

Katër emra të LDK-së raportohet se janë kërcënuar me atentat, e kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka thënë se janë duke e hetuar këtë rast të cilësuar si kanosje.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat