Ish-deputeti i LDK-së: Planifikimi i atentateve vjen nga grupet e caktuara që nuk e duan demokracinë

Aktuale

Ish-deputeti i LDK-së: Planifikimi i atentateve vjen nga grupet e caktuara që nuk e duan demokracinë

Më: 21 janar 2023 Në ora: 11:08
Fatmir Rexhepi

Policia e Kosovës konfirmoi të mërkurën kanosjen që iu bë kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetëve tjerë të këtij subjekti, Arben Gashit, Avdullah Hotit dhe Armend Zemajt.

Ish-deputeti dhe anëtari i moçëm i kësaj partie, Fatmir Rexhepi theksoi se aktet e tilla janë të papranueshme.

Ky supozoi se kush mund të jetë prapa planeve për atentat.

“LDK ka qenë lëvizje e madhe politike, kur në vitet 90 ka dalë me platformën për liri e demokraci, ndoshta kjo i ka penguar dikujt. Ndoshta edhe grupeve të caktuara që nuk e duan demokracinë, nuk kanë mundur të pajtohen me rendin demokratik”, u shpreh Rexhepi.

Sipas tij, LDK e ka paguar gjatë gjithë kohës çmimin e demokracisë.

Andaj Rexhepi, që dikur ishte edhe Ministër i Punëve të Brendshme, ka bërë një apel lidhur me tentimin e fundit për të eliminuar fizikisht liderët e LDK-së.

“Policia duhet t`i ndërmarrë të gjitha masat që planifikuesve t`ua japë përgjigjen adekuate para drejtësisë. Shteti sot i ka të gjitha kushtet për t`i identifikuar ata si dhe për të parandaluar akte të tilla”, deklaroi Rexhepi.

Lumir Abdixhiku dhe Armend Zemaj, dy nga zyrtarët e kanosur, thanë se nuk ndjehen aspak të rrezikuar.

Ata deklaruan se organet e rendit po merren me rastin e kërcënimit të tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat