Shkrimi prekës i Pozharit për vëllaun e tij – ja fjalët që i dedikon!

Aktuale

Shkrimi prekës i Pozharit për vëllaun e tij – ja fjalët që i dedikon!

Nga: M.H. Më: 21 janar 2023 Në ora: 17:08
Xhevdet Pozhari

Analisti politik Xhevdet Pozhari përmes një postimi në Facebook ka prekur me postimin e tij për vëllaun e tij tashmë të ndjerë.

Ai përmendi gjitha përjetimet që kishe pasur me të para se ai të vdiste duke theksuar që kishte shpresa që do ia dilnin mbanë për këtë sfidë, përcjell “Bota sot”.

"Është ditë janari, dita kur unë e kuptova se më kurrë nuk do të jem i njëjti njeri pa ty - shpirtbardhi im", shkroi tutje Pozhari.

Postimi i plotë

Sot 1 vit binte shi. Unë prisja të të sjellin me autoambulancë. Në çastin që arrite, shiu nisi të përzihej me borë. Krijoheshin rrathë furtune nga era që frynte. Mbajë mend gjithçka sepse më dukej se edhe moti pasqyronte furtunën që ndjeja brenda. Pak kishte shpresë, për të mos thënë fare. Nisi shpërthimi im. Diçka brenda meje përfundimisht u thye nga dhembja që nxiste ulërima, e të cilat me forcën e fundit mezi i përmbaja.

T'u afrova dhe me duar që më dridheshin të përkëdhela. T'u luta, të urdhërova, madje edhe të bërtita që mos të dorëzohesh. E luta Zotin që të na jepte mundësi të luftonim bashkë. Mjekët thonin se është e pamundur të më dëgjosh. Unë isha i sigurtë se po. Nuk kishte si mos të ndjehej gjithë ajo energji dashurie dhe dhembjeje në dhomë.

Parametrat nisën të ndryshonin, fillove të shfaqesh shenja se mund të realizohej ndërhyrja, si një përpjekje e fundit... Nënshkrova me duart e mia ato letra që mund të sillnin brenda pak minutash vdekjen tënde.

- Sa janë gjasat, doktor - pyeta me aq forcë që më kishte mbetur.

- Mos pyet më shumë, më tha - do të luftojmë të gjithë bashkë deri në fund.

- Dua ta di, - këmbëngula.

- Nëse ia del do të jetë një mrekulli, më tha.

Kur dole nga operimi, të gjithë ishin plot shpresë. E fituam një betejë. Zoti ma kishte dëgjuar lutjen e parë. E dyta ishte që të flisja edhe një herë me ty, gjë që do të ndodhte pas dy javësh. Dhe, më pas vetëm sa nuk më thoshe - bëra gjithçka që më kërkove. Mbijetova disa operime. Ta dhashë dhe buzëqeshjen e fundit. Ta mbyllim për këtë botë dhe ta vazhdojmë në tjetrën!

Është ditë janari, dita kur unë e kuptova se më kurrë nuk do të jem i njëjti njeri pa ty - shpirtbardhi im!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat