VOA/ Policia e Kosovës thotë se shtiu me armë pasi u sulmua në veri, zyrtarët serbë thonë se një person mbeti i plagosur

Aktuale

VOA/ Policia e Kosovës thotë se shtiu me armë pasi u sulmua në veri, zyrtarët serbë thonë se një person mbeti i plagosur

Më: 23 janar 2023 Në ora: 15:35
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës tha se ka shtënë më armë zjarri mbi një makinë në veriun e banuar me shumicë serbe, pasi ajo goditi makinën e policisë, ndërsa zyrtarët serbë thanë se një person është plagosur me këtë rast nga të shtënat e policisë.

Në një njoftim të policisë së Kosovës thuhet se një njësi e saj “gjatë realizimit të detyrave policore ka tentuar ta ndalojë një veturë, e cila gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës duke rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.

Në njoftim thuhet se personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se një pjesëtar i komunitetit serb është plagosur nga të shtënat e policisë.

Shefi i kësaj zyreje Petar Petkoviç tha se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës, në jug të Serbisë. Ai tha se njësitë policore kanë qëlluar mbi makinë me të cilën po udhëtonin dy qytetarë serbë “vetëm sepse ata nuk kanë dashur të lejojnë që policia t'i keqtrajtojë pa asnjë arsye”.

Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, tha se njësitë e posacmë të policisë së Kosovës duhet të tërhiqen nga veriu duke nënvizuar se prania e tyre “mund të çojë në një spirale ngjarjesh që do të kërcënojnë në mënyrë të pakthyeshme paqen në këto zona".

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vlerësohet e brishtë, ndërsa muajin e kaluar fuqitë perëndimore ndërhynë politikisht për të ulur tensionet në zonë, ku grupe serbësh për rreth tri javë bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për sulm mbi autoritetet.

Ish polici që tashmë ndodhte në arrest shtëpie ishte një nga qindra pjesëtarë të policisë nga radhët e komunitetit serb që bashkë me punonjësit tjerë të institucioneve vendase, braktisën vendet e punës mes tensioneve rreth përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Për 12 vjet me radhë Bashkimi Evropian ndërmjetësoi bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e cila shpalli pavarësinë më 2008 dhe Serbisë e cila nuk pajtohet me shtetësinë e saj.

Tensionet e fundit bënë që diplomatët amerikanë dhe evropianë të vihen në përpjekje për një rifillim bisedimesh mbi një propozim që u bë i njohur si nisma franko-gjermane, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat