​Protestohet kundër Asociacionit: Kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën

Aktuale

​Protestohet kundër Asociacionit: Kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën

Më: 31 janar 2023 Në ora: 09:24 Përditësuar në ora: 14:50 më 31.01.2023
Pamje nga protesta

​Protestohet kundër Asociacionit: Kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën

Dhjetëra protestues sot e shprehën kundërshtimin e tyre për formimin e Asociacionit. Protesta nisi në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe më pas vazhdoi deri te objekti i qeverisë, duke bërë thirrje që të mos formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Dashamir Uruçi nga Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile tha se asociacion është copëzim i vendit dhe se për këtë duhet të protestohet pa u ndalur.

Uruçi: Propozimi franko-gjerman po e qon ujin në mullirin e Serbisë

“Jemi të bindur se propozimi franko-gjerman, urtë e butë po e çon ujin në mullirin e Serbisë. Me këtë shqetësim të madh u bashkuan edhe senatorët e kongresmen amerikan. Kongresmeni Menendez në pyetjet që ia bëri këto ditë Escoborit hodhi dyshimet të mëdha për Asociacionin, duke theksuar se një gjë e tillë mund ta cenojë Republikën e Kosovës, integritetin e sovranitetin e saj në të ardhmen. Evropës duket që nuk i intereson më fati i popullit shqiptar të Kosovës dhe ky shihet qartë te qëndrimi që po mbahet aktualisht ndaj saj”, tha ai.

Më tej, ai theksoi se kjo marrëveshje nuk është as ndërkombëtare dhe Kosova nuk ka asgjë për të dhënë.

Uruçi: Shqiptarët duhet të punojnë për ta ndalur asociacionin

“Shqiptarët duhet të punojnë për ta ndalur asociacionin, e ndërkohë institucionet evropiane duhet ta rishikojnë qëndrimin e tyre dhe raportet që duhet të kenë me Kosovën dhe shqiptarët në tërësi. Jemi një popull i grabitur nga të gjithë fqinjët tanë, të cilët kanë ngritur shtetet e tyre mbi tokat dhe pasuritë e popullit shqiptar. Kjo grabitje është bërë në sytë e Evropës dhe nuk kemi më çfarë t’i japim askujt. Asociacioni, ky emër modern dhe i ndërlikuar së koti është thjesht një shkyerje e re e trojeve shqiptare”, shtoi ai.

Edhe Kadri Batusha shprehu indinjatën e tij, duke bërë thirrje që Kosova të mos e pranojë Asociacionin.

Batusha: Ne jemi për një Kosovë sovrane dhe neutrale

“Ne jemi për një Kosovë sovrane dhe neutrale, le ta dinë miqtë dhe armiqtë, ne presim miqtë me tëra të mirat se nuk jemi tradhtarë. Por, ata duhet ta dinë që jemi sovran në këtë vend, jemi zot të kësaj toke. Apeloj edhe një herë dhe betohem se asnjë shqiptar, le t’i lënë anash ja sot ja kur, Kosova minimum duhet të ketë pavarësinë e plotë. Pse duhet të jenë serbët në rend të parë, e shqiptarët e mjerë sa herë që qohen në kryengritje fitojnë pak liri, Evropa shtrigë dhe aleatë tjerë nga një ëmbëlsirë ju japin serbëve nga trupi jonë”, u shpreh ai.

Emin Aliu, i cili protestoi sot në sheshin “Skenderbeu” tha se kjo marrëveshje nuk duhet të pranohet, meqë është e dëmshme për Kosovën.

Aliu: Kjo është e dëmshme, është një-etnike

“Kemi dalë kundër zajednicës që po i thonë. Se kjo është e dëmshme, së pari është një etnike. Kjo edhe me planin e Ahtissarit nuk ka qenë e paraparë, por këta ja kanë ngjitë atë bisht. Ata që e kanë nënshkruar, ia kanë ngjitur edhe bishtin se ka qenë edhe me planin e Ahtissarit. Plus asaj po e formojmë Zajednicën, çka pas Zajednicën. U dashtë me na tregua, planet, projektet se çka vjen pas Zajednicës”, përfundoi ai.

Gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier priti në takim përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin.

Pas diskutimit, Hovenier falënderoi të gjitha palët e takimit, derisa shtoi se do të vazhdojnë të avokojnë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Protestë kundër formimit të “Zajednicës” dhe në mbështetje të qeverisë Kurti

Një numër i qytetarëve kanë protestuar sot në sheshin e Prishtinës, kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo protestë është thirrur nga Sadri Ramabaja nga Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë, i afërt me partinë në pushtet.

Ata kanë kërkuar nga ndërkombëtarët që të rishikojnë qëndrimet e tyre karshi kësaj kërkese ndaj Kosovës.

Dashamir Uruçi, njëri nga përfaqësuesit e protestuesve, në fjalën e tij tha se shqiptarët janë kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Askush në Kosovë nuk e harron ndihmën e Evropës gjatë luftës për liri dhe për ndërtimin e Kosovës së pavarur. Evropa duhet ta di se shqiptarët masivisht janë kundër Asociacionit sepse janë të bindur që ky copëzim i ri do ta qoj shtetin në të njëjtën gjendje ku e ka quar Bosnjën, Republika serbe e Bosnjës”, u shpreh ai.

Ai shtoi se do të ketë protesta masive gjithandej.

“Protestat do të jenë masive gjithandej, paqësore dhe në mbështetje të qeverisë Kurti që po punon me të gjitha forcat për ta ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Shqiptarët do të luftojnë për ta ndalur Asociacionin e institucionet evropiane duhet të rishikojnë qëndrimin e tyre”, u shpreh qytetari.

Në fund të fjalës së tij ai u shpreh se “në këto ditë vendimtare për të ardhmen Kosovën nuk duhet lënë vetëm. Të mbushim sheshet në mbrojtje të integritetit e sovranitetit të shtetit tonë”.

Protesta u thirr pikërisht në ditën kur në Ambasadën Amerikane në Prishtinë u organizua një takim për të diskutuar për Asociacionin, ndërsa të ftuar ishin zyrtarë nga Presidenca, zyrtarë qeveritarë, liderë partiakë, diplomatë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Nis protesta kundër Asociacionit në shesh, ndërkohë që vazhdon takimi në ambasadën amerikane

Ka nisur protesta në Prishtinë në kundërshtim të kërkesave ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në pamjet e siguruara shihet se përkundër reshjeve të borës, në shesh janë grumbulluar qytetarë të shumtë.

Në anën tjetër në ambasadën amerikane po mbahet takimi për Asociacionin ku po marrin pjesë pozitë, opozitë dhe shoqëri civile.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat