Diplomati shqiptar: Mësimi i hidhur nga historia - Thaçi po dergjet në Hagë, përkundër kompromiseve të dhimbshme me këto shtete

Aktuale

Diplomati shqiptar: Mësimi i hidhur nga historia - Thaçi po dergjet në Hagë, përkundër kompromiseve të dhimbshme me këto shtete

Nga: A.Zh Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 09:08
Hashim Thaçi

Diplomati shqiptar Shaban Murati, ka thënë se historia e kombit shqiptar, jep mësimin se historia shpërblen guximtarët dhe jo të përulurit.

Në një postim në Facebook, ai ka marrë shembull edhe rastin e ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili sipas tij, po dergjet në burgun e Hagës, përkundër kompromiseve të dhimshme me Serbinë, Francën dhe Rusinë, përcjell Bota sot.

Sipas Muratit, shtetet e vogla, nuk kanë se çfarë t’iu bëjnë vendimeve të fuqive të mëdha.

Reagimi i plotë i Muratit:

Mësimi i hidhur nga historia jonë

Përulja dhe lëshimet e mëdha nuk e kanë shpëtuar kombin shqiptar nga sëpata e coptimit të huaj.

Çdo komb i vogël apo shtet i vogël nuk ka se çfarë t’u bëjë vendimeve të fuqive të mëdha. Por çdo komb i vogël apo shtet i vogël ka të drejtën e kundërshtimit ndaj së keqes, që i vjen nga fuqia. Ismail Qemali dhe Isa Boletini nuk kishin çfarë t’i bënin Konferencës së Londrës së vitit 1913, por nuk u pajtuan me vendimet e saj thikëprerëse të territoreve shqiptare.

Mos harroni mësimin e hidhur, që vjen nga historia jonë e re. Asgjë nuk fitoi Kosova nga votimi lepepeqas i deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, të cilët pa pikën e ndërgjegjes kombëtare dhe personale miratuan në 23 mars 1989 kërkesën e Serbisë për heqjen e autonomisë së Kosovës dhe të statusit të saj si njësi shtetformuese e federatës jugosllave. Asgjë nuk fitoi presidenti Hashim Thaçi me "kompromiset e tij të dhimbshme" me Serbinë, me Francën, me Rusinë, etj. të cilin për ironi të fatit ata, që i diktuan “kompromiset”, e përplasën dhe dergjet prej tre vjetësh në burgun e Hagës.

Dëgjojeni mësimin e hidhur të historisë sonë kombëtare. Historia shpërblen guximtarët, jo të përulurit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat