Hill: ShBA insiston që Asociacioni të formohet, afati mund të jetë deri në verë

Aktuale

Hill: ShBA insiston që Asociacioni të formohet, afati mund të jetë deri në verë

Më: 8 shkurt 2023 Në ora: 11:52
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, tha sot se ShBA-ja këmbëngul që marrëveshja e Asociacionit duhet të zbatohet.

Hill tha se koncepti që të gjitha marrëveshjet e mëparshme duhet të zbatohen është pjesë e planit franko-gjerman.

“Ne me të vërtetë këmbëngulim që ujditë për të cilat është rënë dakord duhet të zbatohen, kështu që po flasim për marrëveshjen origjinale të Brukselit. Nuk po them se marrëveshja franko-gjermane  është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit. Ato sigurisht që janë të lidhura. Koncepti që marrëveshjet  e mëparshme duhet të zbatohen, është pjesë e marrëveshjes franko-gjermane”, tha Hill në një paraqitje të ftuar në televizionin K1.

Në lidhje me afatet për formimin e Asociacionit dhe zbatimin e marrëveshjes franko-gjermane, Hill beson se afatet e përmendura në media janë të arsyeshme dhe reale dhe se Asociacioni mund të formohet deri në verë dhe propozimi franko-gjerman mund të zbatohet deri në fund të vitit.

“Unë mendoj se njerëzit duhet të punojnë çdo ditë për të gjetur një zgjidhje. Mendoj se është realiste të propozohet që kjo të ndodhë këtë vit, prandaj mendoj se ky vit është domethënës, se propozimi është pozitiv dhe mund të zbatohet”, tha Hill.

Në anën tjetër, formimi i Asociacionit nga ana e kryeministrit Kurti është kushtëzuar me plotësimin e gjashtë kushteve.

Kreu i ekzekutivit  gjatë javës së kaluar tha në Kuvend se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës vetëm nëse konsiderohen gjashtë kushte.

1.Asociacioni duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës,

2.Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërroj emrin, duhet t’i shpërbej vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave,

3.Të drejtat e pakicave kombëtare dhe makinizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane,

4.Para vendosjes se Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ileagave,

5.Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke, dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës,

6.Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet e BE-së dhe të tjerët për mos pranimin e aplikimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat