Memli Krasniqi me familje bën homazhe te varri i Adem Demaçit: Duhet t’i ngrihet një shtatore në Prishtinë

Aktuale

Memli Krasniqi me familje bën homazhe te varri i Adem Demaçit: Duhet t’i ngrihet një shtatore në Prishtinë

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 08:48
Memli Krasniqi me familje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me gruan dhe fëmijët kanë bërë sot homazhe te varri i Adem Demaçit.

“Bashkë me Melizën, Borën, Malin dhe Verën, bëmë homazhe te varri i qëndrestarit të papërsëritshëm, Bacës Adem Demaçi – duke e nisur kështu Javën e Pavarësisë, përplot me aktivitete, vizita dhe mirënjohje. Adem Demaçi është simboli i sakrificës, guximit dhe atdhedashurisë – karakteristika të cilat mishërojnë përpjekjet e shumë brezave në rrugën e lavdishme të lirisë”, ka shkruar ai.

Ai tha se Demaçi nuk është veç një emër, por institucion, dhe kërkoi që duhet t’i ngrihet një shtatore në Prishtinë.

Për këtë, Krasniqi tha se PDK do të ndërmarrë një nismë në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Postimi i plotë:

Bashkë me Melizën, Borën, Malin dhe Verën, bëmë homazhe te varri i qëndrestarit të papërsëritshëm, Bacës Adem Demaçi – duke e nisur kështu Javën e Pavarësisë, përplot me aktivitete, vizita dhe mirënjohje. 

Adem Demaçi është simboli i sakrificës, guximit dhe atdhedashurisë – karakteristika të cilat mishërojnë përpjekjet e shumë brezave në rrugën e lavdishme të lirisë. 

E kujtoj si sot, Adem Demaçi ishte një ndër personat e vetëm të cilin ish-Kryeministri Hashim Thaçi e kishte ftuar në ndërtesën e Qeverisë në mbrëmjen e 16 shkurtit të vitit 2008, për të ndarë me të të gjitha përgatitjet finale për Ditën e shpalljes së Pavarësisë – përfshirë edhe prezentimin e flamurit të Kosovës. Ishte një ndër momentet më emocionuese që kisha përjetuar deri atëherë. 

Baca Adem nuk është thjesht një emër, por është institucion. Prandaj, kujtesa, respekti dhe mirënjohja historike ndaj personalitetit të tij duhet të tregohet edhe përmes ngritjes së një shtatoreje meritore në Prishtinë.

Partia Demokratike e Kosovës do ta merr këtë nismë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Këtë ia kemi borxh Adem Demaçit. Ia kemi borxh Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat