Sa do të qëndrojnë ekipet e FSK-së në Turqi?

Aktuale

Sa do të qëndrojnë ekipet e FSK-së në Turqi?

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 15:40
FSK

Të hënën e 6 shkurtit, Turqia e Siria u goditën nga tërmete, që shkaktuan vdekjen e mijëra njerëzve. Për të ndihmuar në shpëtimin e njerëzve nën rrënoja, Forca e Sigurisë së Kosovës, po atë ditë, ka dërguar kontigjentin e kërkim-shpëtimit. Se sa njësi janë duke qëndruar atje dhe kur pritet të kthehen pjesëtarët e FSK-së në Kosovë, pka folur zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla.

Më 6 shkurt disa tërmete të fuqishme goditën Turqinë e Sirinë, si pasojë e të cilave, deri më tani kanë vdekur mbi 35 mijë njerëz. Në ditën tragjike, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, njoftoi se një kontingjent i FSK-së janë nisur për atje.

“Pas konsultave me Gjeneral Jasharin, kontakteve direkte gjatë tërë ditës me homologun tim turk, Ministrin e Mbrojtjes, Hulusi Akar, vendimin e kryeministrit Kurti dhe autorizimit nga ana e Presidentes Osmani, nisëm kontingjentin e specializuar të FSK-së për operacionin humanitar në Turqi për reagim me rastin e tërmetit të sotëm”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Lidhur me qëndrimin e pjesëtarëve të FSK-së që janë duke qëndruar në Turqi, është deklaruar zëvendësi i Mehajt, Shemsi Syla. Ai në një përgjigje ka treguar se sa njësi janë në shtetin turk.

“Në operacion aktualisht kemi të angazhuar 2 njësi të kërkim-shpëtimit urban, dy njësi të mjekësisë emergjente, 3 njësi të K9, si dhe një ekip të oficerëve dhe nënoficerëve për detyra shtabore dhe planifikuese”, tha Syla.

Kur u pyet se sa do të qëndrojnë ekipet e FSK-së në Turqi, Syla tha se ato do të jenë në Turqi deri “në vlerësimin e autoriteteve zyrtare turke për menaxhimin e krizës”.

Syla bëri të ditur se kërkimet nga ana e FSK-së janë ende duke vazhduar, derisa shtoi se FSK është e gatshme të dërgojë edhe kapacitete tjera shtesë.

“Kërkimet janë duke vazhduar. Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e palës tuyrke, FSK është e gatshme të dislokoj edhe kapacitete tjera shtesë”, tha Syla.

Ekipet e kërkim-shpëtimit e të gjitha shteteve po vazhdojnë punën edhe sot, që të nxjerrin njerëzit nën rrënojat në tri provinca të prekura rëndë nga tërmetet shkatërruese që goditën Turqinë dhe Sirinë javën e kaluar.

Numri i të vdekurve nga tërmetet me magnitudë 7.8 dhe 7.5 që tronditën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë më 6 shkurt, kaloi shifrën prej 35.000, teksa ekspertët paralajmërojnë se ky numër do të rritet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat