Mbi 140 kandidatë nga komunitetet kanë aplikuar në konkursin për policë në veri

Aktuale

Mbi 140 kandidatë nga komunitetet kanë aplikuar në konkursin për policë në veri

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 15:46
Policia e Kosovës

Deri më tani, mbi 140 pjesëtarë të komuniteteve pakicë kanë aplikuar në konkursin e Policisë së Kosovës për punësimin e punëtorëve të rinj në veri të vendit, pas dorëheqjes  së rreth 500 serbëve në nëntor të vitit të shkuar.

Këtë e kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Nga PK-ja kanë thënë se nga data 05 e muajit të kaluar deri më datën 10 të muajit shkurt, mbi 140 kandidatë nga komunitetet ishin të interesuar.

“Siç jeni të informuar konkursi ka qenë i hapur dhe publik në webfaqen e Policisë së Kosovës si dhe faqen zyrtare në Facebook të Policisë së Kosovës, nga data 05.01.2023-10.02.2023, duke përfshirë të gjitha kriteret që parashihen, ku deri më tani ka pasur mbi 140 kandidatë të interesuar nga komunitetet pakicë si serbë, boshnjakë, turq, ashkalinj, egjiptianë dhe romë për aplikim”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Konkursi për pranimin e policëve të rinj u hap në fillim të janarit, ndërsa më pas u shty deri më 10 shkurt.

500 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të komunitetit serbë kishin dhënë dorëheqje pas vendimit të Listës Serbe për të dalë nga të gjitha institucionet e Kosovës.

Largimi i serbëve nga institucionet qendrore dhe lokale të Kosovës kishte ndodhur pas vendimit të  autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat