Pacolli: Vetëvendosje nga një subjekt hyjnor, për dy vite janë bërë subjekti politik më i konsumuar

Aktuale

Pacolli: Vetëvendosje nga një subjekt hyjnor, për dy vite janë bërë subjekti politik më i konsumuar

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 16:02
Behgjet Pacolli

Kanë kaluar dy vite që nga marrja e drejtimit të shtetit nga Lëvizja Vetëvendosje.

Më 14 shkurt, kjo parti politike arriti që të fitojë mbi 50% të votave të qytetarëve të Kosovës.

Kësisoj për dallim nga zgjedhjet e mbajtura nga paslufta në Kosovë, partia e drejtuar nga Albin Kurti arriti që të sigurojë përqindje të lartë të votave dhe që Vetëvendosje të mund ta formojë e vetme kabinetin qeveritar.

Por, përgjatë këtyre dy viteve, kjo qeverisje pati edhe vërejtje të shumta nga partitë opozitare, nga shoqëritë civile, por edhe nga vetë qytetarët.

Në lidhje me këtë qeverisje, lajmi.net ka kontaktuar deputetin dhe liderin e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli ka theksuar se qeverisja e Lëvizjes Vetëvendosje në dy vitet e fundit është e kundërta e asaj që iu premtua elektoratit të Kosovës, veçanërisht votuesve të VV-së.

Sipas tij, në të gjithë perimetrat e matshëm, qeveria aktuale reflekton një stagnim të qeverisjes dhe se ka një rritje të prodhimit të populizmit dhe manipulimit, sidomos me shifra, derisa jeta reale në vend thotë se është një gjendje më të keqe se dy vjet më parë.

“Në këtë duhet parë gjendja ekonomike dhe sociale ku vërehet një përkeqësim i përditshmërisë së qytetarëve. Vetëm shikoni rritjen e çmimeve dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve. Në drejtime të tjera, si politika e jashtme, bashkëpunimi ndërshqiptar, kemi një regres të madh përveç mungesës së një vizioni dhe aktiviteti të matshëm. Në përgjithësi, shihet se situata në Kosovë po përkeqësohet dhe kjo më së shumti reflektohet nga ikja e madhe e qytetarëve të vendit dhe nëse e shohim këtë dhe narrativën e komunikimit të qeverisë, kemi dy realitete të ndryshme”,theksoi Pacolli.

Sipas tij, janë tri fusha ku qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka dështuar, e së pari është pikërisht situata ekonomike dhe sociale.

“Janë tri fusha ku qeveria e kryeministrit Kurti ka dështuar në vend. Së pari, situata ekonomike dhe sociale ku premtohej një politikë më e favorshme ndaj grupeve më të varfra apo më të dobëta ekonomikisht dhe tani kemi një politikë që nuk trajton problemet ekonomike dhe sociale në vend. E dyta është politika e jashtme e vendit, ku nuk ka asnjë rezultat të prekshëm dhe Kosova kurrë nuk ka qenë më e tërhequr nga marrëdhëniet ndërkombëtare se sa sot”,tha ai.

E sipas Pacollit, pika kryesore ku pati dështim nga Qeveria Kurti është dialogu.

“Dialogu ku është premtuar një rrënim total i dialogut të Brukselit, sot kemi një qeveri që është kthyer në rolin e noterit të marrëveshjeve të kaluara dhe të procesit të dialogut që filloi në vitin 2011. Për të cilin vendosi vetë Kurti,e që e ka kundërshtuar më së shumti”,theksoi Pacolli.

Por sipas kreut të AKR-së, nuk mund të parashikohet se në rast të zgjedhjeve të reja, sa përqind do të mund të fitonte sërish Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk mund të parashikojmë se si do të jenë zgjedhjet e pakta favorizuese dhe jetike. E rëndësishme është se Vetëvendosje dhe Kurti, nga një subjekt hyjnor siç e kanë promovuar veten, për dy vite janë bërë subjekti politik më i konsumuar në historinë pluraliste të Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Pacollit, kjo sigurisht do të përkthehet në rezultatet e zgjedhjeve, por ajo që mund të presim është që populizmi dhe narrativa politike e mashtrimit të marrin fund, por të jenë se paku të kundërshtuara që të mos ketë aksident politik në vend siç ndodhi dy vjet më parë.

“Në këtë kuptim, mund të shihet që qeverisja dy vjeçare e LVV ka qenë pa asnjë fryt për vendin dhe mjafton vetme fushat e përmendura më herët të shikohen për të parë regresin dhe stagnimin e vendit”,përfundoi ai.

Ndryshe, ishte pikërisht një parti politike, e vetme e cila kishte marrë mbi 50% të votave, e ky rezultat i mundësoi Vetëvendosjes drejtimin e shtetit e vetme pa përfshirë parti të tjera politike.

Në bazë të rezultateve të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë besimin e 50.28% të qytetarëve që kishin dalë në zgjedhje.

Kjo ishte hera e dytë që Vetëvendosje fitonte zgjedhjet parlamentare. Për herë të parë kishte fituar me 6 tetor 2019, por me dallim shumë të vogël me LDK-në.

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën në Kosovë pasi Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë Qeverinë Hoti si jokushtetuese, meqë në procesin e votimit të saj kishte marrë pjesë edhe një deputet që ishte i dënuar me vendim të formës së prerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat