Kurti takoi Jim Xhemën: Roli i mërgatës në Amerikë i rëndësishëm në afirmimin e Kosovës

Aktuale

Kurti takoi Jim Xhemën: Roli i mërgatës në Amerikë i rëndësishëm në afirmimin e Kosovës

Më: 14 shkurt 2023 Në ora: 20:26
Foto nga takimi

Kryeministri Albin Kurti, sot mirëpriti veprimtarin e shquar të mërgatës shqiptare në ShBA, Jim Xhema, së bashku me Kryetarin e Pan Federatës Shqiptare “VATRA”, Ilmi Berisha, përfaqësues të Rrjetit të Biznesit Shqiptaro-Amerikan dhe afaristë nga Amerika dhe Kanadaja.

Kurti, siç u bë e ditur në komunikatë, e falënderoi përzemërsisht Jim Xhema për kontributin e tij në promovimin dhe fuqizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës në ShBA, veçanërisht përmes raporteve të mira me senatorin Bob Dole e kongresistin Tom Lantosh.

Roli i mërgatës shqiptare në Amerikë, shtoi ai, për çlirimin dhe pavarësimin e vendit ka qenë kyç dhe se edhe sot vazhdon të jetë po aq i rëndësishëm në zhvillimin dhe afirmimin e Kosovës.

“Më tej, kryeministri Kurti e njoftoi z. Xhema dhe të tjerët për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat përpara, por dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik e që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare.”, u bë e ditur në komunikatë.

Jim Xhima, sot u dekorua nga Presidentja Vjosa Osmani me medaljen “Urdhri i Lirisë”, për kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë takim të pranishëm ishin Christopher Hyland, bashkëpunëtor i afërt me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton dhe udhëheqësi i fushatës së tij presidenciale si dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.

Për kontributin e Jim Xhemës për vendin, një rrugë në kryeqytet (Rruga A) mori emrin e tij “Jim Xhema”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat