Çollaku: “Wagner” në veri e sfidon rendin juridik kushtetues të Kosovës

Aktuale

Çollaku: “Wagner” në veri e sfidon rendin juridik kushtetues të Kosovës

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 00:37
“Wagner”

Sa i përket grafiteve “Wagner” në veri, eksperti i sigurisë, Fatmir Çollaku, vlerësoi se këto janë përpjekje të Serbisë për ta provokuar seriozisht situatën, e fillimisht qytetarët serbë atje.

Megjithatë, Çollaku tha se shërbimet inteligjente të Kosovës dhe miqve të saj, veçse janë në dijeni për prezencën e mercenarëve rusë në pjesë veriore.

“Realisht shërbimet inteligjente të Kosovës dhe të miqve tanë, e dinë dhe përkatësisht kanë të dhëna të verifikuara se prezenca e mercenarëve rusë, ka qenë në Kosovë dhe është në Kosovë. Tendencat e Serbisë për të provokuar seriozisht  situatën përmes këtyre mercenarëve, përmes organizatës “Wagner”, e tërë kjo për të mbjellur frikë dhe pasiguri, fillimisht për qytetarët serbë atje”, deklaroi Çollaku.

Njëherit, Çollaku konsideroi se nga organizata “Wagner”, gjithsesi do të sfidohet rendi juridik kushtetues i Republikës së Kosovës.

“Prandaj, natyrisht që masat dhe veprimet e Qeverisë së Kosovës përmes institucioneve ekzekutive, do duhej të jenë në nivel”, theksoi tutje Çollaku.

I pyetur se a ka rrezik që të rikthehen përsëri tensionet në veri, Çollaku vlerësoi se përshkallëzim të situatës nuk mund të ketë, mirëpo nuk përjashtoi mundësinë e provokimeve, organizimeve e protestave të dhunshme.

“Unë gjithmonë kam thënë që kategorikisht nuk do të ketë përshkallëzim të skajshëm, në kuptimin e luftës, sepse një gjë e tillë nuk është e dobishme as për faktorin ndërkombëtar, as për Serbinë e Kosovën”, potencoi Çollaku.

Kujtojmë se grafitet me mbishkrimin “Wagner” janë shfaqur në Mitrovicën e Veriut dhe në Zveçan.

Policia e Kosovës ka thënë se njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, derisa i ka cilësuar si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat