Pyetet pse ShBA’ja ndryshoi qëndrim, Kurti: Hovenieri dhe State Departmenti flasin për qëndrimet dhe planet e tyre

Aktuale

Pyetet pse ShBA’ja ndryshoi qëndrim, Kurti: Hovenieri dhe State Departmenti flasin për qëndrimet dhe planet e tyre

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 12:59
Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ai s’mund të flasë për qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, meqë për to flasin Ambasadori i ShBA’së në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Departamenti i Shtetit.

Deklarata e tij erdhi pasi deputetja e PDK’së, Ariana Musliu-Shoshi e pyeti se pse ShBA’ja ka ndryshuar qëndrim.

“Tash pse SHBA apo zyrtarët e veçantë të saj e kanë këtë qëndrim apo atë qëndrim, të përgjigjem unë në vend të tyre, besoj që do të ishte shumë arrogante, unë mund të flas si kryeministër i Republikës së Kosovës. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ambasadorin Hovenier në Kosovë, e kanë State Department’in dhe ata flasin për qëndrimet dhe planet e tyre”, tha Kurti.

Kurti tha se marrëveshja me Serbinë varet nga procesi i bisedimeve dhe ajo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër që të jetë marrëveshje edhe finale edhe për normalizim të plotë.

“Pra ka njëfarë paradoksi. Në njërën anë, në atë seancën e gjatë unë akuzohesha “ti po i din krejt”, e në anën tjetër arrogant. E tash pyetja çka mund të them unë për qëndrimin e SHBA’së. Është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje i ka ftuar 438 mijë vota para dy vjetëve, por kjo s’mjafton që unë të bëj qëndrime kuturu siç po kërkohet prej meje edhe në emër të shteteve të tjera, aq më pak të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Unë nuk mund të përgjigjem për këtë, sepse qartazi dikush tjetër i formulon dhe i mban ato qëndrime. Marrëveshja me Serbinë varet nga procesi i bisedimeve dhe ajo duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër që të jetë marrëveshje edhe finale edhe për normalizim të plotë, pra nuk kam se çfarë të them më shumë lidhur me diskutimin që e kemi pasur tashmë”, tha Kurti.

Lidhur me pyetjet që deputetja pati për planin franko-gjerman, Kurti i kërkoi Musliu-Shoshit që t’i drejtohet kryetarit të partisë së saj, duke i thënë se atij ia ka treguar propozimin.

“Sa i përket territ informativ që ju e përmendni, komunikoni më shpesh me kryetarin e partisë tuaj të cilit ia kam treguar propozimin”, deklaroi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat