Deputeti i VV-së për Dejona Mihalin: S`kemi presion e as nuk na kontrollon ajo

Aktuale

Deputeti i VV-së për Dejona Mihalin: S`kemi presion e as nuk na kontrollon ajo

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 18:00
Dejona Mihali

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi ka hedhur poshtë akuzat e Haki Abazit i cili të enjten deklaroi se Dejona Mihali është “masha” që kontrollon krejt deputetët e pushtetit.

Sipas rrëfimit të Thaçit, kjo është e pavërtetë.

“Dejona Mihali është aktiviste si krejt aktivistët tjerë. E ka një pozicion në VV, por në VV nuk ka një njeri që i kontrollon krejt tjerët. VV-ja është prej subjekteve më demokratike në vend. Ka pluralizëm brenda për brenda”.

Ky thotë se takohet shpesh me të, për shkak të posteve që ata dy mbajnë në subjekt.

“Nuk ndjej kurrfar presioni nga ana e saj. Unë si kryetar qendre i VV-së në Obiliq takohem me të sepse ajo është kordinatore e komiteteve. Nuk ka pasë asnjë presion”, u shpreh Thaçi.

Tutje deputeti thuri elozhe për Mihalin.

“Ajo është prej aktivistëve më të dalluara dhe punëtorja më e madhe brenda VV-së”, theksoi Thaçi.

Lidhur me këto deklarime media ka kontaktuar me disa deputetë të Vetëvendosjes.

“Nuk jam pjesë e Vetëvendosjes si anëtar, por veç si deputet. Nuk e di qysh funksionon VV brenda. VV-ja është front politik, por s`ka mundësi që dikush me i shti komplet nën kontroll. Është problem i partisë së tyre”, tha Fatmir Humolli.

“Nuk e di a ka kontroll deri sa nuk kanë tentuar të më kontrollojnë mua”.

Media ka kontaktuar edhe me deputetin tjetër Enver Haliti.

Ai ka thënë se nuk merret me deklaratat e Haki Abazit.

“Nuk i komentoj deklaratat e tij”, tha shkurt ai.

Pyetje e thirrje kanë shkuar edhe në adresë të deputetëve tjerë të kësaj partie, por që ata deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

Profili i Dejona Mihalit

Për Dejona Mihalin dihet shumë pak. Ajo ka shmangur daljen para kamerave dhe angazhimin publik në Kosovë.

Ishte vera e vitit 2016, kur Policia e Kosovës ndaloi Dejona Mihalin të hynte në Kosovë. Ajo ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë, dhe nuk ishte lejuar që të futej brenda territorit të Kosovës.

Mihali nuk ishte parë në asnjë aktivitet publik në Kosovë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nuk kishte marrë ndonjë funksion publik gjatë Qeverisë Kurti I apo Qeverisë Kurti II.

Dejona Mihali nuk kishte qenë në mesin e kandidatëve për deputetë të kësaj partie politike për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Shqipëri.

Ajo nuk ka garuar asnjëherë për asnjë funksion publik as në Republikën e Kosovës, për dallim nga kolegët Hysamedin Feraj e Elvis Hoxha.

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, para pesë muajve i kishte kërcënuar edhe grevistët e arsimit parauniveristarë me pasoja të mëdha.

Në media është raportuar se Mihali është 42 vjeçare e lindur në Tiranë. Ajo ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Sociale, Departamentin Filozofi-Sociologji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat