Media serbe: Specialja “fundos” Hashim Thaçin, 320 dëshmitarë të fshehtë kundër tij

Aktuale

Media serbe: Specialja “fundos” Hashim Thaçin, 320 dëshmitarë të fshehtë kundër tij

Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 20:21
Hashim Thaçi

Hashim Thaçi dhe krerët e UÇK-së do të përballen nga 1 marsi me procesin më të bujshëm ndërkombëtar ndaj tyre. Mediat e Beogradit kanë publikuar një të dhënë shumë të bujshme që dëmton ish-presidentin e Kosovës.

Gazeta proruse e Beogradit ‘Veçernie Novosti’, thekson se ka 320 dëshmitarë të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UÇK-së, ku shumica e tyre janë me identitete të fshehura, e ka shumë gjasa që nuk do të dalin direkt në gjykatë për të dhënë dëshmitë e tyre.

Avokatët e Hashim Thaçit por edhe të krerëve të tjerë të UÇK-së nuk kanë mundësi të pyesin direkt dëshmitarët e mbrojtur, por do të duhet të bëjnë pyetje nga verbalet e shkruara të dëshmive të tyre dhënë në prokurori.

Procesi ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, do të fillojë më 1 mars.

Nga 320 dëshmitarët që janë regjistruar kundër krerëve të UÇK-së, 12 prej tyre konsiderohen më të rëndësishëm, e emrat e tyre janë mbajtur sekret prej vitesh.

Në dokumentin konfidencial, Prokuroria ka dorëzuar emrat dhe pseudonimet e dëshmitarëve, radhën në të cilën do të thirren, të gjitha deklaratat apo transkriptet e mëparshme të dëshmive të tyre, nëse do të dëshmojnë pjesërisht apo plotësisht drejtpërdrejtë, pyetjet, faktet dhe rrethanat, në lidhje me të cilat do të merret në pyetje dëshmitari.

Ndërkaq është caktuar koha për marrjen në pyetje të drejtpërdrejtë, masat mbrojtëse të urdhëruara në lidhje me dëshmitarin dhe limitet për mbrojtjen.

Siç bën të ditur ‘Veçernie Novosti’, avokatët e Hashim Thaçit e Kadri Veselit nuk kanë pranuar të çojnë pyetjet me shkrim për dëshmitarët e fshehur, por kërkojnë paraqitjen e tyre në gjykatë, qoftë edhe të mbuluar, në masa mbrojtëse siç ka ndodhur me të penduarit e mafias në SHBA e Itali.

Sipas tyre, nuk mund të bëhet me shkrim një proces, i cili ka peshën më të madhe të tij në sallën e gjyqit.

Sipas kalendarit së shpallur nga Gjykata Speciale, dëshmitarët e parë mund të merren në pyetje gjatë muajit prill. Është planifikuar të punohet katër ditë në javë, nga e hëna në të enjte, pesë orë në ditë për tre javë rresht. Me një fjalë do të kemi një gjyq maratonë të krerëve të UÇK-së, i cili sipas të gjitha gjasave do të kthehet në një Big Brother gjigand me përcjelljen e tij në televizione dhe media online.

Sipas planit paraprak, dëshmitarët do të pyeten në një kohë prej dy javësh, as një ditë më pak e as më shumë. Avokatët kanë kërkuar më tepër kohë, po duket se limiti i pyetjeve të dëshmitarëve do të jetë vetëm 15 ditë.

Ndërkaq, siç bën të ditur ‘Veçernie Novosti’, prokurorët e Speciales kanë ngritur shqetësimin për mbrojtjen e dëshmitarëve, pasi sipas tyre mbi ta ka një presion të madh. Gjithashtu, sipas prokurorëve, ka përvoja të mëparshme kur njerëzit refuzuan të dëshmonin para Gjykatës Ndërkombëtare të Sanksioneve Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë për shkak të frikës, dhe disa vdiqën në rrethana të dyshimta.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera në 42 qendra ilegale të paraburgimit të UÇK-së në Kosovë dhe Shqipëri mbi të paktën 407 të burgosur, nga të cilët 98 u vranë, nga marsi 1998 deri në shtator 1999

Aktakuza ndaj tyre është përndjekje në baza politike dhe etnike, burgim, arrestim dhe ndalim të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Sipas aktakuzës, krerët e UÇK-së mbajnë përgjegjësinë individuale dhe komanduese për ato krime. Të gjithë ata ishin anëtarë të Shtabit Kryesor të UÇK-së gjatë periudhës së mbuluar nga aktakuza: Thaçi si komisar politik, më vonë komandant; Veseli si shef i shërbimit informativ; Selimi si shef operativ dhe Krasniqi si zëvendës komandant dhe zëdhënës i UÇK-së. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat