Vendimet që mori Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme, një lidhet me pagat në sektorin publik

Aktuale

Vendimet që mori Qeveria në mbledhjen e mbrëmshme, një lidhet me pagat në sektorin publik

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 07:38
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbrëmë një mbledhje në formë elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime.

Në këtë mbledhje është bërë miratimi i ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, sipas Ligjit për Pagat në Sektorin Publik për të cilët është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës.

Është marrë edhe vendimi për ndarjen e 10 milionë e 300 mijë eurove për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës.

Njoftimi i plotë i ZKM’së:

Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 128-të, kësaj radhe në formë elektronike, në të cilën ka miratuar:

–   Vendimin me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës jep mendim lidhur me Nismën legjislative për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-163 për Minierat dhe Mineralet i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-158. Qeveria vlerëson nismën në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë mbështetë nismën e propozuar dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vlerësuar se kjo nismë nuk krijon kosto shtesë buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

–  Vendimin për themelimin e Komisionit për Shtesën e Kushteve Specifike të Punës.

–  Vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13 dhjetor 2022 për miratimin e Planit të Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike.

 –  Vendimin  për miratimin e ekuivalencës së sistemit të vjetër me sistemin e ri të klasifikimit të koeficienteve me qëllim të llogaritjes së pagës bazë për të punësuarit në sektorin publik, sipas Ligjit Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për të cilët është i nevojshëm procesi i klasifikimit të vendeve të punës.

–  Vendimin për ndarjen e 10,300,000.00 euro për zbatimin e masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat