​Kurti: Pavarësia e Kosovës shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm

Aktuale

​Kurti: Pavarësia e Kosovës shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm

Më: 17 shkurt 2023 Në ora: 12:53
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka thënë se vërtet shkurti është muaji me më së paku ditë, por mes tyre, ka një ditë që për nga denduria e peshës kombëtare dhe historike, ka efekt zgjatues ndaj përjetimit tonë të kësaj periudhe të vitit.

Kurti ka shtuar se datat e përvjetorëve të ngjarjeve kyçe si kjo, janë stacione ndalimi për refleketim, mes dy lloj kohërrjedhjesh: kohëve ditore të asaj kohe të vazhdueshme dhe të përditshme në njërën anë, si dhe të kohëve historike në anën tjetër, të atyre kohëve që dikur ishin të sotme kurse sot janë të djeshme, ditë të shkuara por që nuk shqiten nga asnjë ditë, të sotme apo të ardhshme qofshin ato. Janë këto lloj ditësh, datat e të cilave regjistrohen si data historike. E tillë është data e 17 shkurtit, sepse sikur sot, 15 vite më parë, më 17 Shkurt 2008, në po këtë sallë Kuvendi, 109 përfaqësues të zgjedhur nga populli i Kosovës, hodhën firmat e tyre në pergamenën ku ishte dorëshkruar teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Kurti: 109 përfaqësues të zgjedhur nga populli i Kosovës, hodhën firmat e tyre në pergamenën ku ishte dorëshkruar teksti i Deklaratës

“Sikur sot, 15 vite më parë, më 17 Shkurt 2008, në po këtë sallë Kuvendi, 109 përfaqësues të zgjedhur nga populli i Kosovës, hodhën firmat e tyre në pergamenën ku ishte dorëshkruar teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Pasditen e asaj të diele të veçantë dhe të papërsëritshme, më 17 shkurt 2008, kontinentit të Evropës iu shtua edhe një shtet i ri, kurse botës perëndimore iu shtua edhe një vend ku vlerat demokratike janë thelbi i çdo kursi politik dhe shoqëror. Në një kohë të vështirë politikisht, kur jo vetëm politikanët dhe diplomatët, por edhe teoricienët politikë besonin që kishte perënduar epoka e shtetndërtimeve, shtetformimeve në Evropë, në Ballkan u krijua edhe një republikë parlamentare e mirëfilltë. Kjo falë miliona vullneteve politike që ndër vite thirrën “Kosova Republikë”, derisa këtë parullë politike e kthyen në një emër zyrtar shtetëror”, ka thënë Kurti.

Kurti në seancën solemne ka thënë se akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së saj shtet më 2008, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës. Shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë.

Kurti: Shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave

“Shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë. Krijimi i Republikës së Kosovës, erdhi pas 666 shekujsh të kaluara gjithsej nëpër burgje nga mijëra të burgosur politikë, siç erdhi edhe nga gjenerata të tëra mësimdhënësish që edukuan dhe shkolluan breza të tërë në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi, siç erdhi edhe nga kontributi i atyre që i drejtuan dhe i zhvilluan proceset politike shtet ndërtuese deri në këtë ditë. Republika jonë, erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999, na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka thënë se që nga atëherë, njësoj si edhe më përpara, partnerët dhe aleatët tanë kanë qenë të pandashëm në rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të përplotësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të republikës sonë. Mirënjohje e thellë dhe respekt për partnerët dhe aleatët tanë që në secilën fazë të historisë së vendit tonë, e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt çlirimit e lirisë dhe nga pavarësimi drejt fuqizimit e zhvillimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat