Sot pas tri javë bllokimi është zhbllokuar dera e horizontit 11 – mbi 9 ditë nuk ka përgjigje në e-mailin e gazetës rreth situatës në Trepçë!

Aktuale

Sot pas tri javë bllokimi është zhbllokuar dera e horizontit 11 – mbi 9 ditë nuk ka përgjigje në e-mailin e gazetës rreth situatës në Trepçë!

Nga: F.Beka Më: 18 shkurt 2023 Në ora: 17:28
Miniera e Trepçës

Prej datës 27 janar deri sot, për shkak të vërshimeve dhe ujërave nëntokësore që vërshuan horizontet 5 dhe 7 dhe rrezikonin edhe horizontet tjera, u mbyll dera bllokuese në horizontin 11, duke sjell miliona litra ujë dhe duke pamundësuar nxjerrjen e xehes nga miniera e Trepçës në Stan Tërg.

Për tri javë pompat kanë punuar dhe kanë nxjerr miliona litra kub ujë, fal punës së palodhshme të njësisë së mirëmbajtjes së pompave, që kanë vendos pompa të reja me qëllim nxjerrjen e ujit dhe zhbllokimin e horizontit 11 prej nga nxirren minerale e xehe.

Gazeta “Bota Sot” para dhjetë dite ka konstatuar me menaxhmentin përkatësisht ka dërguar email të njëjtë në adresat kryesore të drejtorit të minierave dhe krye-shefit të ndërmarrjes Trepça, lidhur me gjendjen dhe drejtori Behxhet Vinarci me 9 shkurt pat deklaruar se “brenda dy dite do të bëhet nxjerrja e ujit dhe zhbllokimi i derës që mundëson vazhdimin e prodhimit”.

Nga 9 shkurti deri sot me 18 shkurt, në adresën e Behxhet Vinarcit dhe krye-shefit Enis Abdurrahmani qëndron emaili në të cilin i kërkohet drejtorit Vinarci një pasqyrë e përgjithshme e situatës dhe prodhimtarisë, sikurse edhe krahasimin e prodhimit për muajin janar 2023 me janar 2022 dhe shkurt 2023 me shkurtin 2022 ai dhe realizimi i planit në periudhën aktuale me atë të vitit të shkuar.

Por drejtori Vinarci në përgjigje ka sugjeruar që këto pyetje të adresohen tek krye-shefi Abdurrahmani, që po atë ditë në adresën e tij ka marr të njëjtin email dhe të njëjtat pyetje, por nga ajo ditë nuk ka një përgjigje, rreth situatës, zhbllokimit, fillimit të prodhimit, gjendjes aktuale sikurse as realizimit apo mos realizimit të planit.

Në ndërkohë nga e hëna nis java e minatorëve në nderim të grevës së njohur të minatorëve që patën tronditur situatën politike jo vetëm në Kosovë por edhe Jugosllavi, ku si zakonisht e gjithë java shënohet me aktivitete të ndryshme në përkujtim të guximit, përkushtimit dhe sakrificës së minatorëve në mbrojtjen e të drejtave kolektive të shqiptarëve të Kosovës, grevë me të cilën u solidarizuan edhe studentët dhe i gjithë populli i Kosovës.

Sigurisht në solemnitet do jepen shifra edhe statistika rreth gjendjes, ashtu si ndodhi edhe në Kuvendin e Kosovës, ku u kundërshtuan zërat se gjendja në minierë nuk është e mirë, aq më pak premtuese, kur dihet roli që kishte dhe rolin që duhet të ketë Trepça në zhvillimin e përgjithshëm të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, por a do përmenden dëmet, mosprodhimi dhe situata aktuale apo do kalojë në suaza të festimit e përkujtimit dhe do hedhet mjegull në sy për realitetin.

Nëse asgjë tjetër drejtuesit e Ndërmarrjes Trepça përfshirë edhe bordin duhet të kenë parasysh se e vërteta nuk fshihet sikur uji që nuk ndalet me shoshë, transparenca duhet të primare, bashkëpunimi me medie dhe krijimi i kushteve për minatorët, ripërtëritja e stafit të punonjësve, ruajtja dhe përkujdesja ndaj pasurisë së përgjithshme publike, shuajnë dhe hedhin poshtë zërat se po rrezikohet Trepça me qëllim shkuarjen në privatizim.

Të gjitha këto dilema do largohen nëse drejtuesit e Trepçës, së pari si thonë minatorët, shkelin në minierë edhe horizonte, qëndrojnë pranë edhe afër minatorëve, punojnë për kushte më të mira pune, ripërtëritje dhe bashkëpunojnë me media duke kuptuar bashkëpunimin edhe transparencën si rrugë për zhvillim, rezultate në prodhim edhe perspektivën e Trepçës si gjigant i zhvillimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat