Takimi i 27 shkurtit, i gjithë fokusi në propozimin evropian

Aktuale

Takimi i 27 shkurtit, i gjithë fokusi në propozimin evropian

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 17:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksnder Vuciq ne Bruksel

Takimi i radhës mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të jetë ai i 27 shkurtit në Bruksel.

Lidhur me këtë takim të së hënës së ardhshme, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se i gjithë fokusi do jetë tek propozimi evropian.

“Takimi i radhës në Bruksel, që do të mbahet të hënën e javës së ardhshme, do të jetë i përqëndruar në propozimin evropian”, tha Kryeziu.

Kryeministri Kurti derisa po merrte pjesë në Konferencën e Mynihut, takoi edhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Ky i fundit e bëri të qartë se normalizimi i raporteve me Serbinë është hap kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Ndërsa, në një intervistë dhënë dje për “Deutsche Welle” në Konferencën e Mynihut, Josep Borrell shpreson që Kurti e Vuçiqi ta pranojnë propozimin evropian.

“Jam takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Do të takohem me të dy në Bruksel më 27 shkurt, pra po i kam ftuar ata të vijnë për të pasur një ditë të plotë me diskutime, sepse është një propozim në tryezë. Dhe unë shpresoj që ata të jenë në gjendje ta pranojnë këtë propozim si rrugë për t’i normalizuar marrëdhëniet mes tyre”, është shprehur Borrell.

Kujtojmë se edhe Kosova, edhe Serbia tashmë kanë deklaruar se e kanë pranuar propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve.

Në anën tjetër ka një kërkesë urgjente të bashkësisë ndërkombëtare për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Kryeministri i Kosovës ka vënë gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të mund të themelohet. Deri më tani kushtet e Kurtit nuk i kanë komentuar as nga BE-ja e as nga SHBA-ja.

Kurti ditë më parë ka thënë së është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, por vetëm për të biseduar për propozimin franko-gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat