Paralajmërimi i avokatit: Në çdo moment mund të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj Thaçit e Veselit

Aktuale

Paralajmërimi i avokatit: Në çdo moment mund të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj Thaçit e Veselit

Më: 21 shkurt 2023 Në ora: 17:40
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Që nga nëntori i vitit 2020, ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të jenë në paraburgim edhe pas deklarimit të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Specialja, në vendimin e fundit për vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, njësoj sikurse në vendimin për ish-kryekuvendarin Kadri Veselin, ka thënë se do ta monitorojë secilën fazë të gjykimit në mënyrë që ta vlerësojë nëse paraburgimi është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.

Nga kjo deklaratë e tyre, mund të ketë një fije shprese për lirimin e tyre.

E lidhur më këtë, ka folur avokati i akredituar i Speciales, Skender Musa.

Ai thotë se mundësitë janë që në çdo moment Specialja të ndërpresë masën e paraburgimit, dhe kjo masë të zëvendësohet me diçka tjetër.

“Sa i përket këtyre, unë mendoj që z.Thaçi dhe Veseli nuk janë persona që ndikojnë në rrjedhën e procedurës penale për shkak që janë të interesuar që sa më shpejtë të përfundoj procesi gjyqësor, të vërtetohet për gjithçka, për çdo pretendim të prokurorisë, prokurorit special. Megjithëse edhe ata konsiderojnë se janë të pafajshëm dhe kanë për obligim dhe borxh, para organeve të drejtësisë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe faktin se në Kosovë nuk ka pasur krime në luftë nga ana e ushtrisë, dhe në këtë drejtim besoj që në çdo moment, Gjykata ka mundësi me ia ndërpre masën e paraburgimit, me ia zëvendësu me çdo masë tjetër, dhe ata janë të gatshëm me e respektu”, deklaroi Musa.

Musa thotë se të drejtat e tyre më shumë shkelen duke i mbajtur në paraburgim.

 “Besoj se shumë më shumë shkelen të drejtat duke i mbajtur në paraburgim, se sa të lirohen nga masa dhe të zëvendësohen me diçka tjetër”, thotë ai.

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Që nga funksionalizimi i Gjykatës Speciale, ky institucion ka shpallur vetëm një aktgjykim për krime lufte.

Në dhjetor të 2022, Gjykata Speciale, dënoi me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë ish-eprorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat