Mbledhja e Qeverisë - kryeministri Kurti ka këto fjalë për opozitën, bën edhe një lëvizje kundër korrupsionit

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë - kryeministri Kurti ka këto fjalë për opozitën, bën edhe një lëvizje kundër korrupsionit

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 08:35 Përditësuar në ora: 12:21 më 22.02.2023
Qeveria e Kosovës

Kurti: Viti 2022, ndër vitet më të suksesshme në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane

Qeveria e Kosovës ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro nga ndërmarrja “Trepça”. Këto mjete do të shfrytëzohen për investim në makineri produktive dhe flotacion. Kështu u tha në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ku veç tjerash është miratuar edhe vendimi, përmes së cilit kërkohet nga presidentja autorizimi për të nënshkruar marrëveshjen financiare për IPA 2022.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe struktura për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit. Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar përbërjen prej katër ministrave të kabinetit të tij.

Kurti: Të miratojmë strukturat për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit

“Sot ju ftoj të miratojmë strukturat për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit, të udhëhequr nga komisioni ministror me këtë përbërje: Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve- kryesues, anëtar ministrja e Drejtësisë- Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla-ministër i Punëve të Brendshme dhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë. Ministrat tanë me mbështetje të zyrtarëve dhe ekspertëve të fushës do të hartojnë strategjinë dhe planin e veprimit deri në dhjetor të këtij viti. Kurse në qeveri do e votojmë deri në fund të këtij viti”, ka thënë Kurti.

Më tej, është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit për të nënshkruar e marrëveshjes financiare për IPA 2022.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kjo marrëveshje mundëson që Kosova të përfitojë mbi 60 milionë euro.

Bislimi: Hyrja në fuqi e marrëveshjes mundëson që Kosova të përfitojë 62,25 milionë euro nga Bashkimi Evropian

“Hyrja në fuqi e marrëveshjes mundëson që Kosova të përfitojë 62,25 milionë euro nga Bashkimi Evropian, mjete këto që do të zbatohen për projekte siç janë: përkrahja për profesione të lira në Kosovë, instruementi për përafrimin në BE, mjedisin dhe energjinë e gjelbër, efiçienca e energjisë, ekonomia qarkore, ujërat e zeza dhe zhvillimi gjithëpërfshirës socio-ekonomik, kthimi dhe integrimi i komuniteteve. Fondi do të kombinohet edhe me disa bashkëfinancime nga Kosova në vlerë prej 4,7 milionë euro dhe po ashtu me financimin nga partnerët e tjerë me vlerë 24,88 milionë euro. Pra përmes hyrjes në fuqi të marrëveshjes në total fillon zbatimi i fondeve në vlerë prej 91,83 milionë euro”, u shpreh Bislimi.

Kabineti qeveritar ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje për Trepçën. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se huadhënia për 20 milionë euro do i mundësojë Trepçës rritjen e prodhimit por edhe uljen e shpenzimeve.

Murati: Huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro për Trepçën pritet të përdoret për të investuar në makineri produktive

“Kjo huamarrje apo huadhënie nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është në kuadër të veprimeve që kemi bërë si qeveri për të rikthyer gjendjen e profitabilitetit dhe zhvillimit në ndërmarrje publike dhe deri më tani kemi Telekomin si shembull të tillë, ku përmes mundësimit të investimeve që janë bërë aty po rikthehet drejt profitabilitetit si dhe drejt mirë-menaxhimit. Kjo huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro për Trepçën pritet të përdoret për të investuar në makineri produktive dhe flotacion, që janë hapa të domosdoshëm për rritjen e eksplantimit të xehes në miniera dhe prodhimit të koncentratit në flotacion”, ka deklaruar Murati.

Kryeministri Albin Kurti ka informuar kabinetin qeveritar mbi zbatimin e programit kombëtar për zbatimin e MSA-së, ku tha se viti që shkoi është ndër më të suksesshmit në zbatimin e reformeve nga agjenda evropiane.

“Viti 2022 ka qenë ndër vitet më të suksesshme në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane sa i përket progresit të arritur nga ne. Si qeveri i kemi dhënë prioritet të shtuar zbatimit të obligimeve të ndërmarra si dhe masave legjislative që me vite nuk janë aprovuar e nuk janë zbatuar. Ky progres është konfirmuar edhe nga ana e raportit të për vendin tonë, të publikuar nga Komisioni Evropian në tetor të vitit që shkoi. Sigurisht që kjo na motivon të punojmë më shumë, sidomos tani që presim trajtimin e aplikacionit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se gjatë vitit të kaluar janë zbatuar 136 masa legjislative, teksa 99 masa janë në zbatim e sipër. Sipas tij, nga 37 projektligje të planifikuara nga plani kombëtar i zbatimit të MSA-së, qeveria ka miratuar 16 projektligje.

Qeveria e emëron drejtoreshë në ministri “tezaken” e presidentes Osmani

Qeveria e Kosovës, ashtu siç kishin raportuar mediet paraprakisht, e ka miratuar sot propozim-vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për emërimin e Venera Çerkinit, vajzës së tezës të presidentes Vjosa Osmani, në pozitën e drejtoreshës së një agjencie brenda Ministrisë së Bujqësisë.

Venera Çerkini është përzgjedhur kandidatja më e suksesshme për pozitën e drejtoreshës së Agjencisë për Zhvillim të Bujqësisë (AZhB), sipas vlerësimit të një komisioni shtetëror pranues të themeluar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka propozuar sot vendimin për emërimin e Venera Çerkinit në pozitën e drejtoreshës së AZhB-së. Kabineti qeveritar e ka miratuar me shumicë të votave propozimin e Sveçlës.

Emërimi i Çerkinit në këtë pozicion është në shpërputhje të madhe me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Kjo pasi që në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.

Në vlerësimin e bërë nga britanikët shihet se dy kandidatët që mund të emërohen në këtë pozitë, të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma.

Mendres Ibra është vlerësuar me 70.25%, kurse Muzafer Luma me 70%. Në mesin e të vlerësuarve nga britanikët nuk është as Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti. Haliti në anën tjetër, nga rezultat e shpallura nga konkursi del në mesin e 3 kandidatëve më të vlerësuar.

Pra, tezakja e presidentes Osmani në vlerësimin e britanikëve nuk është në mesin e kandidatëve që do të duhej të zgjedheshin në pozitën e Drejtorit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.

Presidentes i kërkohet autorizimi për nënshkrim, Kosova përfiton 62 milionë euro nga BE-ja

Qeveria në mbledhjen e saj ka shqyrtuar propozim-vendimin që presidentes Vjosa Osmani t’i kërkohet autorizimi që zv/kryeministri Besnik Bislimi ta nëshkruajë Marrëveshjen Financiare IPA 2022.

Bislimi ka thënë se teksti i marrëveshjes është gati dhe duhet të jepet autorizimi nga presidentja që të nënshkruhet.

“Me vendimin e Qeverise më 9 shkurt është miratuar edhe nsma për lidhjen e marrëveshjes financiare mes Kosovës dhe BE-së për këtë program. Pasi që teksti i marrëveshjeje është zhvilluar me BE-në, tanimë është final dhe meqë është përkthyer në gjuhët zyrtare na duhet dhënia e autorizimit të presidentes që ta nënshkruajmë”, ka thënë ai.

Sipas Bislimit hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje mundëson që Kosova të përfitojë mbi 62 milionë euro.

“Hyrja në fuqi mundson që Kosova të përfitojë 62.25 milionë euro nga Bashkimi Evropian, mjete këto që do të zbatohen për projekte siç janë përkrahja për profesione të lira në Kosovë, instrumenti i përafrimin me BE-në, eficienca e energjisë, ekonomia qarkore dhe menaxhimi i mbeturinave, ujërat e zeza, kthimi dhe integrimi i komuniteteve. Fondet do të kombinohen edhe me disa bashkëfinancime nga Kosova në vlerën e 4.7 milionë eurove dhe me financime nga partnerët e tjerë 24.88 milionë euro. Në total fillon zbatimi i fondeve në vlerë prej 91.83 milionë eurove”, ka deklaruar ai.

Kurti i angazhon këta ministra për ta hartuar një strategji kundër korrupsionit

Qeveria e ka miratuar strukturën për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit.

Kryeministri Albin Kurti prezantoi përbërjen e komisionit që do ta udhëheq hartimin e kësaj strategjie. Për këtë i ka angazhuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin, ministrien e Drejtësisë, Albulena Haxhiut, ministrin e Brendshë, Xhelal Sveçla dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

“Sot ju ftoj t’i miratojmë strukturat për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit, të udhëhequr nga komisioni hetimor me këtë përpbërje: Hekuran Murati kryesyes Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla dhe Artane Rizvanolli, anëtarë”, tha Kurti

Ministrat duhet ta hartojnë këtë strategji der në fund të vitit.

Në fillim të mbledhjes, Kurti e veçoi këtë pikë të rendit të ditës, duke e cilësuar si më të rëndësishmen.

“Sot para nesh kemi një mbledhje mbase më të shkurtër sesa zakonisht, por me një pikë të rëndësishme në rendin e ditës”, tha ai.

​Kurti kritikon opozitën: S'mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Kushtetuese

Përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave e quan kryeministri Albin Kurti kontestimin e disa ligjeve në Kushtetuese. Sipas tij, nuk mbahet mend që ka pasur më shumë ligje të cilat janë dërguar për interpretim nga opozita parlamentare. Shefi i ekzekutivit në mbledhjen e qeverisë ka theksuar se krejt kjo është kundërshtim i nevojës shoqërore dhe vullnetit demokratik të 14 shkurtit.

Kurti teksa ka folur për rëndësinë e themelimit të strukturave për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit tha se gjatë mandatit të tij kanë treguar vullnetin për luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Kurti: Kemi dëshmuar bindshëm dhe në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin

Në gati këto dy vite të qeverisjes kemi dëshmuar bindshëm dhe në vazhdimësi vullnetin për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si dhe për reforma në drejtësi dhe në administratën publike. Edhe përmes veprimeve tona të përditshme edhe përmes vlerësimeve vjetore të raporteve ndërkombëtare, sikurse ai i indeksit të ‘Transparancy International’. Sipas vullnetit dhe guximit për të zbatuar ligjet në fuqi, kemi miratuar këtu edhe ligje të tjera që do të jetësonin reformat e programit qeverisës dhe ndryshimet për të cilat qytetarët tanë votuan masivisht dy vite më parë”, ka thënë Kurti.

Shefi i ekzekutivit ka përmendur edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial, për Zyrtarët publikë dhe për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, për çka tha se janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Kurti: Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave

Jo për rastësi, të tre këto ligje bashkë me Ligjin për Masat e Përkohshme Mbrojtëse të Furnizimit me Produkte themelore për qytetarët, nëpërmjet të cilës bëhej parandalimi i abuzimit me rritjen e çmimeve të produkteve bazë janë dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga opozita parlamentare. Madje, Ligji për Këshillin Prokurorial ka më shumë se gjashtë muaj që është në trajtim. Në historinë 15-vjecare të shtetit të pavarur të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, brenda një kohe kaq të shkurtër. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave. Njëkohësisht është kundërshtim i hapur i nevojës shoqërore, i kërkesës qytetare dhe vullnetit demokratik të 14 shkurtit 2021”, ka deklaruar Kurti. 

Fillon mbledhja e Qeverisë

Qeveria e Kosovës ka filluar mbledhjen minuta më parë.

Mbledhja është paraprë të zhvillohet gjatë ditës së sotme.

Në mbledhjen e sotme në rend të ditës do të jetë po ashtu edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për themelimin e strukturave për Hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.

Gjithashtu pritet edhe vendime të tjera të jepen.

Mblidhet Qeveria

Qeveria e Kosovës sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

Në mbledhjen e sotme e cila pritet të fillojë në ora 10:00, në rend të ditës do të jenë gjithsej 12 pika, shkruan Reporteri.net.

Ndër të tjera, në rend të ditës do të jetë shqyrtimi i Propozim-vendimit për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2022 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në mbledhjen e sotme në rend të ditës do të jetë po ashtu edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit për themelimin e strukturave për Hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat