Kurti: Viti 2022, ndër vitet më të suksesshme në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane

Aktuale

Kurti: Viti 2022, ndër vitet më të suksesshme në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 12:15
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro nga ndërmarrja “Trepça”. Këto mjete do të shfrytëzohen për investim në makineri produktive dhe flotacion. Kështu u tha në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, ku veç tjerash është miratuar edhe vendimi, përmes së cilit kërkohet nga presidentja autorizimi për të nënshkruar marrëveshjen financiare për IPA 2022.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe struktura për hartimin e strategjisë kundër korrupsionit. Kryeministri Albin Kurti ka prezantuar përbërjen prej katër ministrave të kabinetit të tij.

Kurti: Të miratojmë strukturat për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit

“Sot ju ftoj të miratojmë strukturat për fillimin e hartimit të strategjisë shtetërore kundër korrupsionit, të udhëhequr nga komisioni ministror me këtë përbërje: Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve- kryesues, anëtar ministrja e Drejtësisë- Albulena Haxhiu, Xhelal Sveçla-ministër i Punëve të Brendshme dhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë. Ministrat tanë me mbështetje të zyrtarëve dhe ekspertëve të fushës do të hartojnë strategjinë dhe planin e veprimit deri në dhjetor të këtij viti. Kurse në qeveri do e votojmë deri në fund të këtij viti”, ka thënë Kurti.

Më tej, është miratuar edhe vendimi për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit për të nënshkruar e marrëveshjes financiare për IPA 2022.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se kjo marrëveshje mundëson që Kosova të përfitojë mbi 60 milionë euro.

Bislimi: Hyrja në fuqi e marrëveshjes mundëson që Kosova të përfitojë 62,25 milionë euro nga Bashkimi Evropian

“Hyrja në fuqi e marrëveshjes mundëson që Kosova të përfitojë 62,25 milionë euro nga Bashkimi Evropian, mjete këto që do të zbatohen për projekte siç janë: përkrahja për profesione të lira në Kosovë, instruementi për përafrimin në BE, mjedisin dhe energjinë e gjelbër, efiçienca e energjisë, ekonomia qarkore, ujërat e zeza dhe zhvillimi gjithëpërfshirës socio-ekonomik, kthimi dhe integrimi i komuniteteve. Fondi do të kombinohet edhe me disa bashkëfinancime nga Kosova në vlerë prej 4,7 milionë euro dhe po ashtu me financimin nga partnerët e tjerë me vlerë 24,88 milionë euro. Pra përmes hyrjes në fuqi të marrëveshjes në total fillon zbatimi i fondeve në vlerë prej 91,83 milionë euro”, u shpreh Bislimi.

Kabineti qeveritar ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje për Trepçën. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se huadhënia për 20 milionë euro do i mundësojë Trepçës rritjen e prodhimit por edhe uljen e shpenzimeve.

Murati: Huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro për Trepçën pritet të përdoret për të investuar në makineri produktive

“Kjo huamarrje apo huadhënie nga ana e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve është në kuadër të veprimeve që kemi bërë si qeveri për të rikthyer gjendjen e profitabilitetit dhe zhvillimit në ndërmarrje publike dhe deri më tani kemi Telekomin si shembull të tillë, ku përmes mundësimit të investimeve që janë bërë aty po rikthehet drejt profitabilitetit si dhe drejt mirë-menaxhimit. Kjo huamarrje në vlerë prej 20 milionë euro për Trepçën pritet të përdoret për të investuar në makineri produktive dhe flotacion, që janë hapa të domosdoshëm për rritjen e eksplantimit të xehes në miniera dhe prodhimit të koncentratit në flotacion”, ka deklaruar Murati.

Kryeministri Albin Kurti ka informuar kabinetin qeveritar mbi zbatimin e programit kombëtar për zbatimin e MSA-së, ku tha se viti që shkoi është ndër më të suksesshmit në zbatimin e reformeve nga agjenda evropiane.

“Viti 2022 ka qenë ndër vitet më të suksesshme në programin e zbatimit të reformave nga agjenda evropiane sa i përket progresit të arritur nga ne. Si qeveri i kemi dhënë prioritet të shtuar zbatimit të obligimeve të ndërmarra si dhe masave legjislative që me vite nuk janë aprovuar e nuk janë zbatuar. Ky progres është konfirmuar edhe nga ana e raportit të për vendin tonë, të publikuar nga Komisioni Evropian në tetor të vitit që shkoi. Sigurisht që kjo na motivon të punojmë më shumë, sidomos tani që presim trajtimin e aplikacionit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi theksoi se gjatë vitit të kaluar janë zbatuar 136 masa legjislative, teksa 99 masa janë në zbatim e sipër. Sipas tij, nga 37 projektligje të planifikuara nga plani kombëtar i zbatimit të MSA-së, qeveria ka miratuar 16 projektligje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat