Gilissen: Shala asnjëherë nuk ishte në dijeni për ekzistencën e ndonjë burgu në fabrikën e metalit në Kukës

Aktuale

Gilissen: Shala asnjëherë nuk ishte në dijeni për ekzistencën e ndonjë burgu në fabrikën e metalit në Kukës

Më: 22 shkurt 2023 Në ora: 12:17
Pjetër Shala

Avokati Jean-Louis Gilissen, sot i është përgjigjur pretendimeve të prokurorisë, e cila e ngarkon Pjetër Shalën me akuza për krime lufte, për çka ka thënë se kjo çështje është e mbështetur në thashetheme. Mbrojtja e Shalës ka thënë para turpit gjykues se i akuzuari asnjëherë nuk ka sulmuar civilë serbë, duke shtuar se ish-pjesëtari i UÇK-së nuk është kriminel. Gjatë deklaratës hyrëse të tij, avokati ka thënë se Pjetër Shala nuk ka qenë asnjëherë në dijeni për ekzistencën e ndonjë qendre të ndalimit në ish-fabrikën e metalit në Kukës.

Gilissen ka thënë se Pjetër Shala ka qenë luftëtar i lirisë dhe se nuk ka bërë asgjë tjetër përveç se ka ushtruar një prej të drejtave më të shenjta.

Gilissen: Shala nuk ka sulmuar asnjëherë civilë, ai nuk është kriminel

“Zoti Shala luftoi kundër disa autoriteteve dhe duke e bërë këtë gjë zoti Shala mbase nuk ka bërë asgjë më tepër sesa ka ushtruar një prej të drejtave më të shenjta, që do të thotë të mbrojë vetën dhe ai asnjëherë nuk e ka sulmuar asnjë anëtar të popullsisë civile serbe, apo nuk ka sulmuar asnjëherë asnjë person për shkak të faktit që është serb, ai nuk është kriminel”, ka thënë mbrojtja e Shalës.

Çështjen e prokurorisë, avokati i Shalës e ka cilësuar si të mbështetur në thashetheme.

“Kjo çështje penale nuk ka informacion të mjaftueshëm, është e mbështetur në thashetheme, për më tepër do ju kërkoja që të tregoni pak më tepër modesti në këtë aspekt, mendoj që në veçanti pas disa prej gjërave që unë dëgjova dje duhet të ju kujtoj që z.Shala është dhe mbetet deri në momentin kur të vendoset nga trupi gjykues në një situatë të ndryshëm, zoti Shala është tërësisht i pafajshëm. Ndërkohë, ajo çka dëgjova dje ishte që z.Shala i vendosej gishti si fajtor. Ky është fillimi i procesit gjyqësor, mos e harroni këtë”, ka thënë Gilissen.

Tutje, ai ka treguar se Pjetër Shala ishte kthyer nga Belgjika në mars të vitit 1999 me qëllim që të luftojë për lirinë e Kosovës.

Gilissen: Shala nuk mund të qëndronte në Belgjikë derisa njerëzit në Kosovë po vuanin

“Ishte e paimagjinueshme për të, të qëndronte atje ku ishte në Belgjikë pra ndërkohë që kaq shumë njerëz po vuanin. Kështu që u largua bashkë me disa të tjerë që po ashtu kishin zgjedhur të ktheheshin të luftonin e të mbronin ata që i kishin mbijetuar shkatërrimit të banesave të tyre, fshatrave të tyre, familjeve të tyre, ky është realiteti. Z.Shala nuk është monstër, as nuk po them që është hero, është thjeshtë një njëri. Dhe kështu përfundoi zoti Shala në Durrës të Shqipërisë, dhe këtu fillon skenari i plotë i projektuar nga ZPS”, ka thënë mbrojtja e Shalës.

Tutje, ai ka folur për periudhën që sipas tij, Shala ka shkuar në Shqipëri me qëllim që të bashkohej me luftëtarët e tjerë të UÇK-së.

Gilissen: Shala u kthye në Kosovë me qëllim

“Realiteti është, z.Shala besohet se u dërgua në zonën operative të Pashtrikut, pranë Kukësit, ku ishte edhe pika ku takoheshin luftëtarët e rinj dhe civilët që donin të kyçeshin në UÇK, nuk shkoi me ndonjë gëzim të madh atje, por shkoj atje, sepse ishte më afër frontit, pranë kufirit dhe thellë thellë besonte se nuk kishte zgjedhje tjetër. Kur shkoi atje zbuloi se ekzistonin tri organizata të ndryshme apo struktura, tri grupe të ndryshëm që qëndronin në një fabrikë të vjetër ose afër kësaj fabrike. Një qendër e rëndësishme logjistike në këtë fabrikën e metalit dhe ishte qendra më e madhe e mobilizimit të UÇK-së dhe një grup ushtarësh ishin të angazhuar që të krijonin një brigadë. Dhe kjo ishte afër rrethinave të fabrikës së metalit”, ka thënë ai.

Sipas avokatit, Shala e ka kuptuar që askush nuk e ka pritur atje dhe nuk ka pasur vend për të në asnjë nga këto organizata.

Tutje, sipas tij, Shala e ka njohur administratorin e grupit logjistik në fabrikën e vjetër dhe nga kontakti më të ka arritur të merrte një armë në mënyrë që bashkohej me luftëtarët e tjerë në kufi.

Mbrojtja e Shalës ka thënë se i akuzuari është larguar nga Kukësi dhe fabrika e vjetër pa pasur ndonjëherë përgjegjësi apo rol aty.

Sipas tij, Shala ka qenë kalimthi në fabrikën e metalit në Kukës, por nuk është stacionuar aty.

Gilissen: Shala ishte kalimthi në fabrikën e metalit në Kukës, nuk u stacionua aty

“Z.Shala thjesht kaloi kalimthi në fabrikën e metalti në Kukës dhe absolutisht nuk u stacionua atje, mund të ketë kaluar disa netë aty-këtu sepse ishte një vend i pakëndshëm, nuk kishte zhvillim, të gjithë po të shkojnë atje e kuptojnë këtë gjë. Të gjithë personat atje kalojnë, pranojnë disa njerëz nëpër depo grupet e logjistikës kryesisht dhe oficerët, dhe synimi ishte qendra e mobilizimit, ishte një vendi i pakëndshëm, vetëm depo kishte atje dhe një kuzhinë ku mund të haje, por as konvikt nuk kishte, fjetore nuk kishte, ju e keni parë nuk ka fjetore atje, dhe ne e dimë këtë nga fakti që personat e UÇK-së ishin detyruar të flinin mbi dysheme prej betony dhe z.Shala mohon në mënyrë kategorike të ketë qenë ndonjëherë anëtar i brigadës 128. Lidhej e tij me fabrikën e metalit në Kukës janë thuajse jo ekzistence”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka deklaruar se Pjetër Shala asnjëherë nuk ka ditur për ekzistencën e ndonjë burgu në fabrikën e metalit në Kukës.

Gilissen: Shala asnjëherë nuk ishte në dijeni për ekzistencën e ndonjë burgu në fabrikën e metalit në Kukës

“Z.Shala as ka parë ndonjëherë as ka ditur ndonjëherë gjë për ekzistencën e ndonjë burgu në fabrikën e metalit dhe as nuk ka parë gjë që do ta nxisnin të besonte apo të kuptonte se atje mund të ekzistonte një burg i tillë dhe ju e dini krahas kësaj ai ka thënë që asnjëherë nuk ka marrë pjesën e ndonjë marrje në pyetje apo të ketë marrë pjesë në ndonjë torturë të asnjë lloji. Sigurisht këto pres t’i dëgjoj nga ZPS, zoti Shala i mohon akuzat dhe fakti që i mohon kërkon që duhet parë vërtetë fajësia e tij në këtë situatë”, ka shtuar ai.

Mbrojtja e Pjetër Shalës ka deklaruar para trupit gjykues se UÇK ka qennë ushtri e rezistencës, e cila ka luftuar për mbijetesën e popullit shqiptar në Kosovë.

Ai ka pyetur se çka do të ndodhte me mijëra njerëz të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nëse nuk do të ekzistonin njerëz të armatosur si Shala.

Gjatë deklaratës së tij hyrëse, e cila po vazhdon, mbrojtja e Shalës ka folur dhe në seancë private, derisa ka prezantuar materiale konfidenciale.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që janë mbajtur të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala është arrestuar më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe është transferuar në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat