Tahiri: Jetesa në Kosovë është bërë e papërballueshme, Qeveria i ka braktisur qytetarët

Aktuale

Tahiri: Jetesa në Kosovë është bërë e papërballueshme, Qeveria i ka braktisur qytetarët

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 11:18
Abelard Tahiri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka braktisur qytetarët pasi është fokusuar vetëm në dialogun me Serbinë.

Sipas tij, në dy vitet e fundit shifrat e largimit të qytetarëve nga Kosova janë tmerruese.

“Gjatë 2021 sipas ASK-së janë larguar 42 mijë qytetarë, ndërsa më 2022 vetëm me viza pune janë pajisur 42 mijë qytetarë. Dje lexuam edhe shifrat e frikshme të largimit të nxënësve nga vendi ynë. Çdo ditë lexojmë lajme për largim të mjekëve”, ka deklaruar Tahiri.

Ai tutje ka thënë se kostoja e jetesës në Kosovë është bërë e papërballueshme në dy vjetët e fundit.

“Këto shifra janë indikatorë se diçka nuk është në rregull me shtetin tonë dhe mënyrën se si po funksionon Qeveria. Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët por ne nuk mund të pajtohemi me një gjë të tillë. Ne duhet t’ia bëjmë me dije kryeministrit se ka edhe çështje të tjera të cilave duhet t’u kushtojë rëndësi përveç dialogut”.

“Më skandaloze bëhet kur lexohet një deklarate e kryeministrit për revistën franceze ‘Le Monde’ ku thotë se ‘disa po ikin por të tjerët do të kthehen’. Nuk mund të flasim me kaq papërgjegjësi karshi këtyre numrave alarmantë”, është shprehur Tahiri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat