“S’ka vend për negociata, është merre ose lëre”, pasojat në rast se plani evropian nuk pranohet – krejt çka tha dje Lajçak para takimit të 27 shkurtit

Aktuale

“S’ka vend për negociata, është merre ose lëre”, pasojat në rast se plani evropian nuk pranohet – krejt çka tha dje Lajçak para takimit të 27 shkurtit

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 07:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ndërmjetësi Evropian për Dialog, Miroslav Lajçak dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

I dërguari special i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka folur për pritshmëritë e tij para takimit mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiqit, më 27 shkurt në Bruksel.

Ai tha se në këtë takim do të diskutohet për propozimin evropian, duke shtuar se nuk do të ketë vend për negociata, por plani ose do të pranohet ose jo si i tillë.

“Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është I hartuar nga Bashkimi Evropian. Palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe ne nuk shohim arsye, as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë se është plani që trajton çështjen, që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, deklaroi Lajçak.

Tutje, Lajçak tha se presin që, në takimin e 27 shkurtit, të dy liderët ta pranojnë propozimin evropian.

“27 shkurti është sigurisht një ditë shumë e rëndësishme, ku do të kemi takimin tonë mes dy liderëve, por, për herë të parë, do t’i kushtohet propozimit evropian për normalizim të marrëdhënieve. Pra, u takon dy liderëve që ta bëjnë atë një Ditë D, dhe shpresoj që do të jetë rezultati”.

“Ne presim që ata zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin”.

Ai shtoi se, pas pranimit të propozimit, nga palët pritet që të dalin me plane konkrete se si ta zbatojnë atë.

“Do të jetë më shumë se pranim gojor, por nuk dua të flas për ceremoni sepse ne duam të diskutojmë dhe planifikojmë. Do të diskutojmë për planin e zbatimit, sepse është shumë e rëndëishme që të zbatohet edhe ajo që do të dakordohet. Dhe kështu i inkurajomë palët që të vinë me propozime konstruktive dhe të arsyeshme në lidhje me planin e zbatimit”, tha emisari Lajçak.

Por çfarë do të ndodhte nëse plani evropian do të refuzohej nga Kosova dhe Serbia?

“Refuzimi i atij propozimi do të thotë refuzim i normalizimit të marrëdhënieve dhe refuzim i rrugës evropiane, ndaj kësaj do të reagonin SHBA-ja, komuniteti ndërkombëtar dhe BE-ja, dhe nuk dua të hyj në atë se cilat do të ishin pasojat negative. Mendoj se është e qartë për të gjithë se nuk duhet t’i themi ‘jo’ Bashkimit Evropian dhe Amerikës, veçanërisht nëse në këtë mënyrë mund të arrijmë stabilizimin, normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, stabilizimin e atmosferës në Ballkan dhe një rrugë të përshpejtuar evropiane”, bëri të ditur i dërguari special i BE-së.

Emisari i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka komentuar edhe përpjekjet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak tha se ani pse si marrëveshje u nënshkrua në vitin 2013, nga përfaqësues të tjerë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet marrë parasysh nga ata që aktualisht udhëheqin me shtetin e Kosovës.

“Kur bëhet fjalë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ka shumë deklarata për të jashtë dialogut dhe jo në dialog. Uroj që kjo të ishte ndryshe. Është propozim që u dakordua mes Kosovës dhe Serbisë më 2013. Por kur njerëzit që përfaqësonin Kosovën dhe Serbinë dhe BE-në u ulën dhe u morën vesh. Qeveritë ndryshojnë por paktet mbesin. Kjo është pika numër 1. Nuk duhet ta shohim atë si armik apo kërcënim, por si mundësi. Mundësi për të sjellë besim në mes të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe shqiptarëve. Ekzistojnë modele funksionale europiane që mund të merren si shembull”, tha Lajçak në intervistë për RTK-në.

Tutje, Lajçak foli edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin, të cilin Kurti po e përdor si një prej arsyeve pse kjo strukturë nuk duhet themeluar.

Ai tha se e di përmbajtjen e vendimit, dhe se, sipas tij, Kushtetuesja e lejon themelimin e Asociacionit.

“Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e di gati përmendësh. Ajo thuhet që duhet themeluar dhe se qeveria duhet ta marrë parasysh konstatimin e gjykatës. Mendoj se udhëzimi është shumë i qartë. Mendoj se Kosova është multi-etnike. Nuk mendoj se ka një komunë të vetme mono-etnike. Ka shqiptarë që jetojnë në veri të Kosovës. Nuk duam të aplikojmë modele që do të përjashtonin njerëz. Kosova është palë e barabartë në dialog. Të mos kemi frikë”, thotë Lajçak.

Emisari Lajçak shtoi se ende nuk është vendosur asgjë lidhur me procesin e themelimit apo jo të Asociacionit, por se disa elemente janë dakorduar.

“Nuk ka marrëveshje. Ka disa elemente të dakorduara. Por jemi shumë larg asaj ku do ta dimë se si do të jetë. Personalisht jam kundër diçkaje që duhet të testohet për herë të parë dhe nuk është testuar askund tjetër. Jam rojtar i asaj që quhen vlera europiane dhe ato duhet të implementohen në dialog”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat