Joseph: Pas takimit në Bruksel, Kurti e Osmani të shkojnë në Kyiv për të kërkuar njohjen e Ukrainës

Aktuale

Joseph: Pas takimit në Bruksel, Kurti e Osmani të shkojnë në Kyiv për të kërkuar njohjen e Ukrainës

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 08:54
Analisti amerikan, Edward P. Joseph

Analisti amerikan, Edward P. Joseph, ka thënë se pas takimit të së hënës në Bruksel, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti duhet të shkojnë në Kyiv për të kërkuar njohjen e Ukrainës nga presidenti Zelensky.

Ai thotë se kjo do të përbënte një goditje për presidentin e Rusisë, ndërsa njohja nga Ukraina do të shërbente si përshpejtues për të marrë pesë njohjet nga shtetet e BE-së që ende s’e kanë njohur Kosovën.

“Kurti dhe Vuçiq do të shkojnë në Bruksel më 27.02 për një takim të madh për propozimin e SHBA-BE. Ndalesa e radhës për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin duhet të jetë në Kyiv për të diskutuar për njohjen e Kosovës nga Ukraina me Zelenskyn  për t’i dhënë një goditje Putinit”, ka shkruar Joseph në Tëitter.

Ai argumenton se si njohja nga Ukraina siguron katalizatorin për njohjen uniforme të Kosovës në të gjithë NATO-n.

“Së pari, si vendi që, siç ka thënë Presidenti Biden, është “në vijën e parë të frontit duke luftuar për të shpëtuar parimet thelbësore demokratike që bashkojnë të gjithë njerëzit e lirë”, Ukraina ka autoritet të madh moral. Duke njohur Kosovën, Ukraina do ta zhvendoste çështjen e Kosovës nga një çështje lokale e Ballkanit në një çështje të rangut të parë të sigurisë europiane. Njohja ukrainase e Kosovës do të shkatërrojë menjëherë status quo-në për ata që nuk e njohin. Në vend të zgjedhjes mes Presidentit Vuçiq dhe Kryeministrit Kurti, ato qeveri do të pyeteshin nëse qëndrojnë me Zelenskyn për Kosovën, apo me Putinin”.

Së dyti, thotë Joseph, njohja e Ukrainës do t’i jepte Athinës kontekstin që zyrtarët grekë thonë se duhet të njohin Kosovën.

“Athina tashmë ka marrëdhënie të mira me Prishtinën dhe ka shprehur gatishmërinë për të njohur Kosovën për të çuar përpara interesat e rëndësishme greke. Athina ka nevojë për stabilitet në Ballkan dhe ka interes të parandalojë një ndarje të Kosovës, e cila do t’i hapte derën “Serbisë së Madhe”, “Shqipërisë së Madhe” dhe ndikimit më të madh turk në Ballkan. Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka zgjidhur implikimet e mundshme për Qipron në përplasjen me Turqinë dhe veriun e shkëputur të vendit. Duke cituar opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJND) të vitit 2010 për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, Dendias ka identifikuar baza të hekurta ligjore për të bërë dallimin në rastet e Qipros dhe Kosovës, duke mbrojtur pozicionin e Nikozisë”.

“Njohja e Ukrainës do ta përforconte këtë arsyetim të shëndoshë. Nëse Kievi, si Athina, mund të shohë se e drejta ndërkombëtare favorizon sovranitetin dhe integritetin territorial të shteteve, duke vendosur një pengesë të lartë që Kosova ka pastruar, atëherë Rumania, Sllovakia, Spanja dhe të tjerët duhet të jenë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë. Ukraina sjell besueshmëri specifike për frikën që ndajnë Rumania dhe Sllovakia për separatizmin etnik hungarez të promovuar nga Budapesti. Ashtu si me sfidën kinetike nga Putini, Zelensky e kupton se mbrojtja më e mirë kundër kërcënimit hibrid të Hungarisë është uniteti. Kryeministri hungarez Viktor Orbán do të përballej me komplikime në përpjekje për të shfrytëzuar njohjen e Kosovës nga tre fqinjët e tij”, thotë Joseph.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat