Historia e bastisjeve të Speciales: Pse aksione të tilla 2 vjet e gjysmë pas arrestimeve?

Aktuale

Historia e bastisjeve të Speciales: Pse aksione të tilla 2 vjet e gjysmë pas arrestimeve?

Më: 24 shkurt 2023 Në ora: 10:21
Gjykata Speciale ka vendosur t’i vazhdojë aksionet

Kur janë bërë më shumë se dy vjet e gjysmë që nga koha kur u arrestuan krerët e UÇK-së dhe kur procesi i gjykimit është në prag të fillojë, Gjykata Speciale ka vendosur t’i vazhdojë aksionet. Kësaj radhe subjekt ishte ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Adil Behramaj. Banesa e Behramajt u bastis për 9 orë me radhë ditën e mërkurë.

Dhomat e Specializuara të Hagës deri më tash nuk e kanë dhënë asnjë detaj të vetëm për këtë rast. “Nuk i komentojmë hetimet”, thuhej në përgjigjen e vetme që pati Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Adil Behramaj, ish-këshilltar i presidentit Thaçi, tash pronar i mediumit Demokracia, nuk pranoi të komentojë pas bastisjes. Megjithatë, avokati i tij Artan Qerkini, deklaroi se sipas Speciales, hetimet janë kryer rreth një vepre penale.

“Nuk është specifikuar, është specifikuar vetëm një hetim për një vepër penale e cila bie sipas tyre nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara …. Është shumë herët të thuhet një gjë e tillë, ata nuk kanë dhënë komente se për çfarë hetimi bëhet fjalë, zoti Behramaj nuk është njoftuar as për shkakun as për bazën e akuzave potenciale kundër tij. Kështu është fazë shumë e hershme e hetimit dhe këto informata nuk i janë dhënë mbrojtjes, për këtë arsye nuk dëshirojmë të spekulojmë”, ka thënë Qerkini.

Bastisja në banesën e Behramajt, ka nxitur reagime të ndryshme. Ndër të parët që reagoi ishte kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku.

“Pseudozyra e të ashtuquajturit Prokuror i Specializuar, vazhdon me skandale. Është duke bastisur banesën e udhëheqësit të mediumit ‘Demokracia’, dhe ish-këshilltar i Hashim Thaçit, Adil Behramaj. Skandali edhe më i madh është se edhe pas gati dy vite e gjysmë të ngritjes së aktakuzave, kinse po bëjnë hetime”, ka shkruar Klinaku.

Ish-deputetja e ushtarja e UÇK-së, Aida Dërguti, hodhi dilema se kjo bastisje mund të jetë kryer për shkak të një shkrimi që ka bërë Behramaj.

Nëse arsyeja e bastisjes se Adil Behramit qenka editoriali i tij, atëhere në shenjë të përkrahjes, po ia ripostoj deklaratën”, ka shkruar Dërguti.

Një reagim e pati edhe analisti e ish-këshilltari tjetër i Thaçit, Artan Behrami.

“Nëse për 20 vjet padrejtësisht i kemi demonizuar, paragjykuar dhe kritikuar krerët dhe veteranët e UÇK-së, çfarë është kjo frikë me kritiku me drejt një Prokurori të Gjykatës Speciale, e cila terrorizon gazetarët dhe krejt opinionin publik!”, ka shkruar Behrami.

Bastisja ka zgjatur rreth 9 orë, dhe asnjë detaj tjetër nuk dihet deri më tash.

Bastisjet e Gjykatës Speciale

Bastisjet ‘speciale’ nga Dhomat e Specializuara të Hagës nisën qysh para më shumë se dy vjet e gjysmë. Ndër aksionet e para që ndërmorën hetuesit e speciales ishte në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës. Deri te ky aksion erdhi pas publikimit të dosjeve të famshme në tri konferenca radhazi.

Bastisja kishte zgjatur orë të tëra. Ishin arrestuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Ishin konfiskuar shumë dokumente, kryesisht ato që shkonin në zyret e OVL-UÇK-së nga personi që ende nuk dihet kush ishte. Krejt ky aksion ishte zhvilluar më 25 shtator 2020.

Vetëm pak javë më pas, Specialja do të niste një valë tjetër arrestimesh. Subjekt i parë ishte ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Shtëpia e tij në Prishtinë dhe ajo në Negroc të Drenasit, u bastisën në të njëjtën kohë nga hetuesit e Speciales. U konfiskuan edhe dokumente, të cilat tash do të përdoren në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së. Bastisja në shtëpinë e Krasniqit dhe arrestimi i tij kishte ndodhur më 4 nëntor 2020.

“Aneksi 2 përmban draftet e deklaratave publike të UÇK-së, komunikatave dhe deklaratave politike që janë sekuestruar gjatë një operacioni të autorizuar të kontrollimit dhe sekuestrimit në rezidencën e të akuzuarit Jakup KRASNIQIt, si dhe versione të deklaratave zyrtare që KRASNIQI i kishte përfshirë në një dorëshkrim të pabotuar libri. Për arsyet e dhëna më sipër në lidhje me Aneksin 1 dhe siç detajohet më tej në Aneksin 2, të gjitha këto materiale janë relevante, autentike dhe provuese. Përveç sekuestrimit nga rezidenca e të Akuzuarit, shumë prej draft versioneve të deklaratave publike në Aneksin 2 u publikuan dhe u shpërndanë përfundimisht”, thuhet në një parashtrim të Gjykatës Speciale.

Më 5 nëntor ishin arrestuar Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi. Pasi u arrestuan e dërguan në Hagë, në shtëpitë e të tre ish-krerëve të UÇK-së u zhvilluan bastisje të tjera. Hetuesit e Speciales kryen bastisje në shtëpinë e Thaçit, Veselit e Selimit me datën 6 nëntor 2020.

“Ka përfunduar bastisja në shtëpinë e tij. Sa i përket qëllimit të bastisjes, mund të them se qëllimet ishin të përgjithshme. Pa e nënvlerësuar këtë fakt, mbetet e paqartë në aspektin procedural dhe logjik që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës. Duket se Prokuroria po kërkon ende prova për të mbështetur një aktakuzë që e ka ngritur”, kishte deklaruar pas bastisjes avokati i Hashim Thaçit, Dastid Pallaska.

Përveç bastisjeve e arrestimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Gjykata Speciale e ka hetuar edhe Driton Lajçin. Ky i fundit dyshohej për pengim të drejtësisë sa ishte Udhëheqës i Zyrës për Mbrojtjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Procesi dhe hetimet ndaj tij po vazhdojnë ende, pavarësisht kërkesës së avokatit që hetimi të mbyllet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat