Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari thotë se asnjëherë s’ka punuar në familjen e ish-presidentit

Aktuale

Rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari thotë se asnjëherë s’ka punuar në familjen e ish-presidentit

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 18:00
Uke Rugova

Në gjykimin ndaj 15 të akuzuarve për mashtrim me viza, i njohur si rasti “Ukë Rugova II”, dëshmitari Nazmi Ismajlaj ka thënë se asnjëherë nuk ka punuar në familjen e ish- presidentit Rugova.

Këtë deklarim, dëshmitari Ismajlaj e ka dhënë në seancën e së martës, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Florijes Shamolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit në këtë rast, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voça, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 prill 2022.

Dëshmitari Ismajlaj tha se për vizë italiane shengen kishte aplikuar vet personalisht.

Dokumentet të cilat i kishte dorëzuar sipas tij, ishin dëshmia që nuk është nën hetime, pasaportën, sigurimin shëndetësorë dhe adresën e personit ku kishte pasur të shkoj.

Por, ai tha se viza iu kishte refuzuar për shkak se dokumentacioni nuk kishte qenë në rregull.

Paraprakisht, dëshmitari Ismajlaj pohoi se kishte dhënë deklaratë në policinë e EULEX-it dhe shtoi se qëndron pranë asaj deklarate.

Në këtë seancë janë dëgjuar edhe shtatë dëshmitarë tjerë, Alban Lika, Lush Dreni, Fatime Ademi, Kaltrina Dervishi, Kreshnik Dervishi, Xhyljeta Izmaku-Rama dhe Agron Gubetini.

Dëshmitari Lika po ashtu deklaroi se ka dhënë deklaratë në polici në vitin 2014 dhe deklaroi se në atë kohë i njëjti ka qenë i interesuar për një vizë shengen.

“Në atë kohë kam qenë i interesuar për një vizë shengen, nuk më kujtohet a ka qenë italiane. Unë kam apliku për këtë vizë përmes një agjencioni në Prishtinë”, deklaroi dëshmitari Lika, duke shtuar se nuk i kujtohej emri i agjencionit.

I njëjti ka thënë se kur ka shkuar në atë agjencion personi i cili kishte qenë aty i kishte thënë se nëse kryhet puna dhe i behët viza duhet t’i paguajë 1 mijë euro.

“Unë kam shku dhe jam interesu për vizë në agjencion, ai djali që ka qenë aty ka thënë se nëse të kryhet puna dhe të del viza i paguan 1 mijë euro, unë ja kom dhënë 1 mijë euro, me qenë se viza mu ka refuzu ai mi kthy të hollat dhe nuk ka ndonjë obligim asgjë ndaj meje”, ka thënë Lika.

Kurse, emri i atij personit dëshmitari Lika tha se nuk i kujtohej, mirëpo sipas tij të gjitha dokumentet i kishte dorëzuar tek ai.

E dëshmitari Lush Dreni, ka thënë se nuk i kujtohej nëse ka qenë i interesuar për një vizë italiane.

Por, të njëjtit iu kujtohej se kishte dhënë një deklaratë në polici në vitin 2015, për të cilën tha se qëndron pranë asaj deklarate.

Dëshmitari Dreni tha se e njeh personin Gjergj Gecaj dhe se përmes tij e kishte njohur edhe një person me emrin Butrint.

Gjithashtu, ai tha se nuk i kujtohej nëse kishte biseduar ndonjëherë me Gjergjin për rregullimin e vizës.

Mirëpo, vizën italiane 7 ditore dëshmitari Dreni tha se e kishte marrë përmes spitalit Salus, i cili deklaroi në atë kohë e kishte nënën e sëmur dhe kishte udhëtuar bashkë me të për një operacion.

“Asnjëherë nuk kam apliku për vizë tjetër përveç kësaj. Unë e di një të sigurt së unë e kam pas nënën e sëmurë edhe shans nuk ka pas me dal unë jashtë e me lan nënën e sëmurë”, deklaroi tutje dëshmitari Dreni.

Pasi që prokurorja Shamolli ia rikujtoi një pjesë të deklaratës së tij të dhënë në polici, ku thuhej se i njëjti kishte thënë se për vizë kishte dhënë 1 mijë e 500 euro, dëshmitari Dreni tha se ky nuk është deklarimi i tij.

“Nuk është ai deklarimi im sepse unë i ka shit te gjitha senet qe i kam pas për shëndetin e nënës”, tha ai.

Atë deklaratë, dëshmitari Dreni tha se e kishte nënshkruar por të njëjtën nuk e kishte lexuar dhe shtoi se policia nuk kishte përdorur ndonjë dhunë ndaj tij.

Edhe dëshmitarja Ademi ka thënë se në vitin 2014 kishte dhënë deklaratë në polici dhe tha se qëndron pranë asaj deklarate.

Në vitin 2014, ajo tha se kishin shitur sigurime për kompaninë “SIGAL”, pasi që në atë kohë e kishin pasur agjencionin turistik “FIA”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shamolli, dëshmitarja Ademi deklaroi sigurimet shëndetësore mund t’i bëjnë edhe familjarët por që duhet pasaporta e personit.

E njëjta ka thënë se në atë kohë ka pasur edhe numër të telefonit mobil privat dhe numrin e zyrës, por numrin personal ajo tha se nuk e ka përdorur askush tjetër përveç saj, ndërsa numrin e zyrës e ka përdoruar edhe punëtorja e zyrës.

Tutje u dëgjua dëshmitarja Kaltrina Dervishi e cila deklaroi se në vitin 2014 nuk i kujtohej se ka dhënë deklaratë në polici.

Në vitin 2013-2014 dëshmitarja Dervishi tha se kishte qenë e interesuar për një vizë shengen e cila tha se kishte aplikuar njëherë në ambasadë por viza iu kishte refuzuar.

“Në fakt kom shku për vizë ma kanë refuzu vizën, unë kam qenë me vëllain atë ditë, afër ambasadës kemi bisedu me një djalë, ai na ka dhënë një ofertë që e ka një agjencion, viza ka thanë është e garantume, jo në mënyrë të parregullt, gjithçka ka me qenë me rregull vetëm se duhet me i dhënë një shumë të parave dhe sa më kujtohet i ka kërku 1 mijë e 500 euro”, deklaroi dëshmitarja Dervishi.

Ndërsa, me tjera procedura ajo tha se është marrë vëllai i saj, në këtë rast dëshmitari Kreshnik Dervishi.

Ajo tha se viza nuk i ishte bërë tha pasaporta i ishte kthyer.

“Dhe në fund nuk e di a ma kanë kthy policia pasaportën a po ai vet, pasaporta ju ka dorëzu vëllait”, tha ajo.

Qëllimi i saj që të pajisje me vizë shengen ishte për të shkruar tek ish-bashkëshorti i saj pasi që sipas saj, i njëjti asnjëherë nuk kishte shprehur interesim për fillimin e procedurave për ta marrë të njëjtën.

E njëjta ka thënë se, nuk ka biseduar me vëllain e saj se kush ishte ai person, të cilin person tha se edhe nëse e sheh nuk e njeh.

Ndërsa, ajo tha se nuk ka qenë në dijeni se çfarë vize ka qenë, por e njëjta deklaroi se sot e kuptoi që ka qenë vizë italiane.

E dëshmitari Kreshnik Dervishi, i cili njëkohësisht është vëllai i dëshmitares Kaltrina Dervishi ka thënë se motra e tij ka qenë e interesuar për një vizë për shengen.

Arsyeja që motra e tij ka qenë e interesuar për një vizë ishte pasi që te njëjtës i ishte refuzuar viza nga ambasada.

“Kur ju ka refuzu viza gjermane unë kam shku me marrë motrën tek amabsada, aty na u ka lajmëru një djalë që më ka thënë e kam një agjencion nëse s’gaboj në Prizren, edhe ai m’ka thënë që mujna me kry vizën”, ka thënë dëshmitari Dervishi.

Sipas tij, vlera për këtë vizë ka qenë diku 3 mijë e 500 euro, i cili tha se të nesërmen kishte shkuar në Prizren dhe një kopje të pasaportës së motrës ia kishte dhënë atij peronit.

“1 mijë e 500 euro ja pata dhënë atij personit ndërsa për pjesën tjetër kam pas me dhënë pasi ta marrim vizën. Nuk më ka premtu për ndonjë afat kohor se kur bohet viza”, ka thënë Drevishi.

Por, se si quhej ai personi dëshmitari Dervishi tha se nuk i kujtohej.

Më pas, ai tha se e kishin thirrur Policia dhe të njëjtëve iu ishte dhënë një dëshmi sikur se sot.

“Atë person më nuk e ka parë kurrë, unë pastaj kam shku te agjencioni me i kërku të hollat por agjeniconi ka qenë i mbyllur. Në momentin kur m’ka thirr policia nuk kam provu mo më kontaktu me atë person”, deklaroi dëshmitari Dervishi.

Por ai person ai tha se nuk është në sallë të gjykimit.

Kurse, dëshmitarja Xhyljeta Izmaku-Rama, ka thënë se ka punuar në Postën e Kosovës si drejtoreshë për Resurse Njerëzore, Administratë dhe Protokoll në periudhën 2013-2014.

Ajo tha se nuk ka pasur kompetencë që të bëjë kontratë, por vetëm i ka konvertuar të njëjtat në gjuhën angleze kur punëtorëve iu kanë nevojitur për vizë.

Ajo tha se ka qenë e mundur që policia iu ka prezantuar një listë me emrin e 34 personave të cilët kanë rezultuar që nuk janë punëtorë të Postës.

Emri i personit që është në kontratë Rafet Jashari ajo pohoi se i njëjti në atë periudhë ka qenë duke ushtruar pozitën e përfaqësuesit ligjor në Postë.

Ndërsa, Abedin Gashin ajo tha se nuk i kujtohej nëse ka qenë punëtor.

Prokurorja Shamolli, të njëjtës ia prezantoi një kontratë që i ka lëshuar posta, por për të njëjtën ajo tha se nuk është kontrata e formës standarde që ka lëshuar Posta.

“Jo nuk është kontrata, është llogo, por nuk është forma standarde e kontratës që ka lëshu Posta”, ka thënë Izmaku-Rama.

I fundit në këtë seancë u dëgjua dëshmitari Agron Gubetini, i cili deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në polici në vitin 2015.

I njëjti deklaroi se në vitin 2013 ka qenë i interesuar për një vizë për të shkuar tek motra e tij në Gjermani.

“S’kom pas lidhje me këtë, vëllai ka qenë i interesuar me ma bo një termin për vizë edhe s’kam arrit me marrë këtë vizë, vëllai quhet Fevzi Gubetini edhe ai ka qenë dëshmitar”, deklaroi Gubetini.

Ai tha se nuk e njeh të akuzuarin Azem Koskovikun dhe se nuk është në dijeni nëse vëllai i tij e njeh.

Ndërsa, personin Rrahim Llugaliu ai tha se e ka djalë të hallës por me të njëjtin ai tha se asnjëherë nuk ka biseduar për punën e vizës.

Gubetini tha se vëllai i tij e ka marrë kopjen e pasaportës por nuk e din se ku e ka dorëzuar.

Gjithashtu, ai tha se nuk është në dijeni se në emër të tij në vitin 2013 është bërë ndonjë rezervim i hotelit ose rezervim i biletës.

Seancat e radhës për këtë rast u caktuan për 20 dhe 28 prill 2023.

Ndryshe, ky rast gjykohej nga misioni i EULEX-it, por pas përfundimit të mandatit, lënda ishte transferuar të vendorët.

Pasi që lënda ishte transferuar tek gjykatësit vendor, në janar të vitit 2018, përpjekja e parë për mbajtje të seancës ishte bërë pas një viti, përkatësisht në janar të vitit 2019, mirëpo kjo seancë kishte dështuar në mungesë të katër të akuzuarve.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e ngritur më 16 maj të vitit 2016, e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë. Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.

Aktakuza që ishte përpiluar nga prokurori Allen Cansick, thekson se PSRK-ja ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish–ambasadorit Italian në Kosovë, Michael Giffoni.

PSRK-ja po pretendon se 15 të akuzuarit Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami, kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, me qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.

Ky rast është ndarë në dy pjesë, pasi siç kishte thënë gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, një gjë e tillë është bërë në mënyrë që gjykim të jetë më efikas. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat