Baraliu: Me propozimin për Kishën Ortodokse, po dëshirojnë të bëjnë shtet kishtar brenda shtetit të Kosovës

Aktuale

Baraliu: Me propozimin për Kishën Ortodokse, po dëshirojnë të bëjnë shtet kishtar brenda shtetit të Kosovës

Më: 28 shkurt 2023 Në ora: 21:25
Mazllum Baraliu

Plani franko-gjerman përmban 11 nene brenda tij.

Ky plan tashmë është pranuar nga të dyja palët, ani pse nuk është nënshkruar.

E, për njërën ndër pikat që po ka debate të shumta është pika 7  në të cilën thuhet se palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Lidhur me këtë ka folur njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Baraliu thotë se pika e cila flet për Kishën Ortodokse Serbe është jashtë çdo standardi evropian.

 “Ajo pikë është e ndërlidhur me të drejtat shtesë jashtë standardeve evropiane, do të thosha edhe botërore që me këtë plan po iu jepen komunitetit serb, gjegjësisht kishës së tyre, kjo është e para deri te ekstra territorialiteti sepse statusi i tyre nuk ka çka rregullohet, ai është i rregulluar me ligje të veçanta, pastaj është Asociacioni nën dy që i është dhënë në bazë të këtyre marrëveshjeve që duhet realizuar dhe e treta është dhënë ajo vetëqeverisja ose ata e kanë quajtur vetmenaxhimi i komunitetit serb do të thotë më shumë se Asociacioni, më shumë se plani i Ahtisarit, më shumë se 6 pikat e Ban Ki Moon-it”, tha ai.

Baraliu tha se kjo është hapje e pakos dhe rihapje e statusit të Kosovës për të drejtat e këtij komuniteti.

Sipas tij, statusi i Kishës Ortodokse është i rregulluar me ligj të veçantë dhe tani po serbw po dwshirojnw ekstra territorialitet.

“Do të thotë po dëshirojnë me bë shtet kishtar brenda shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Baraliu.

Sipas tij, me pranimin e këtij plani, Serbia do të jetë trefish e pranishme në Kosovë.

Serbia do të jetë trefish e pranishme me autonomi territoriale në veri dhe në komunat tjera, do të jetë me Asociacion dhe do të jetë me ri rregullimin e pozitës së Kishës Serbe”, është shprehur Baraliu.

Thotë se nëse kjo ndodhë, atëherë në të ardhmen do të lindin probleme

Kjo, pasi që komunitetet e tjera po diskriminohen.

“Po qysh s’do të ketë probleme sepse ajo është e papranueshme dhe krejt ai plan është i papranueshëm për shqiptarët. Unë nuk di si kanë mendu evropianet dhe amerikanët me imponu një gjë të tillë sepse ky është imponim, ajo nuk shkon dhe ata duhet të dinë mirë që po krijojnë probleme jo vetëm në Kosovë eventualisht mund të ketë pabarazi ndaj komuniteteve tjera. Tash komunitetet tjera diskriminohen në relacion me komunitetin serb i cili e ka pozitën e vet të rregulluar me ligjin mbi bashkësitë fetare që tash ka hy në fuqi”, ka thënë ndër të tjera ai.

Kurse, sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, Baraliu thotë se kjo s’është askund.

“Njohja s’është askund hiq, prandaj po them mos u merrni me skajet e problemit të këtij plani, shtrojeni çështjen nëse doni të mirën e vetvetes dhe fëmijëve tuaj duhet të merreni me planin si tërësi. Plani është i papranueshëm sepse që në premabul atje thotë, pa marrë parasysh faktet historike dhe pikëpamjet e ndryshme të palëve lidhur me çështjet themelore dhe me çështjet e statusit është pru ky plan, pra aty e hjek krejt përgjegjësinë që do të thotë e kthen Kosovën edhe njëherë Kosovën në fillim me rregullua statusin e Kosovës e statusi i Kosovës është rregulluar që me shpalljen e pavarësisë dhe me vendimin e  GJND-së”, ka pohuar Baraliu.

Baraliu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk ka të drejtë ta pranojë këtë plan, pasi që thotë që është i dëmshëm për shtetin e Kosovës.

“Kryeministri Kurti nuk ka të drejtë ta pranojë këtë plan. Kur e përfaqëson duhet të bëjë gjithçka në frymë të Kushtetutës e jo në kundërshtim, Prandaj kushdo që do ta pranojë atë, ky se ka pranua ende sepse nuk e ka nënshkruar, por edhe nëse e pranon ai edhe askush tjetër nuk ka të drejtë siç nuk kanë pas të drejtë ata Hasemi edhe Isa në ato dy marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 as ky tash nuk ka të drejtë të nënshkruaj diçka të tillë që është e dëmshme për Kosovën. Pra, ky plan është i papranueshëm për Kosovën sepse është i dëmshëm”, është shprehur ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat