A do të intervistohen Kurti e Haxhiu për rastin Dehari? Ja çka thotë Kryeprokurori Isufaj

Aktuale

A do të intervistohen Kurti e Haxhiu për rastin Dehari? Ja çka thotë Kryeprokurori Isufaj

Më: 1 mars 2023 Në ora: 10:53
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja Albulena Haxhiu

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, tha se janë duke analizuar gjithçka për rastin e  zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. I pyetur nëse pas intervistimit të deputetit Haki Abazi, a do të intervistohet kryeministri Albin Kurti e ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, kryeprokurori Isufaj tha se “nuk mund të thotë asgjë”.

Teksa nuk u lëshua në detaje, kryeprokurori Blerim Isufaj, tha se për këtë rast janë intervistuar mjaftë persona.

“Kurgjë nuk mundem me ju thënë, jemi duke analizu gjithçka, çkado që të vlerësojmë ndërmarrim por tash nuk mundem me ju thënë asgjë…Nuk mundem më shumë me folë, mundem me thënë që kemi intervistu mjaftë, nuk mundem me thanë shifrën”, tha Isufaj mërkurën.

Prokuroria Speciale ka intervistuar deputetin Haki Abazi lidhur me deklaratat e tij për rastin e zhdukjes së mostrave të ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, është shprehur i habitur se si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit.

Ai ka deklaruar se Instituti i Mjekësisë Ligjore është i monitoruar 24 orë prej kamerave të sigurisë dhe sipas tij dihet qartë se kush ka hyrë te frigoriferi për t’i zhdukur mostrat e Deharit.

“Shkarkimi im është minor kundrejt borxhit që kemi për ta sqaruar se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari dhe si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe kryeministri Kurti të mos e thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Për ne as si shoqëri as si qytetarë e as si deputet nuk mund të rrijmë të heshtur përballë një procesi të këtillë dhe ne duhet të gjithë ta kryejmë punën që na takon për ta zbardhur këtë çështje deri në fund. IML është i monitoruar 24 orë prej kamerave, dihet qartë se kush ka hyrë tek frigoriferi dhe ka nxjerrë mostrat që kanë qenë të vendosura nën mostrat e tjera dhe janë zhdukur”, është shprehur Abazi.

Deputeti Abazi ka thënë se për rastin e Astrit Deharit dhe zhdukjen e mostrave të tij duhet të merren në pyetje disa figura të Vetëvendosjes, duke filluar nga kryeministri Kurti.

“Nuk besoj që kamerat mund të gënjejnë se çfarë ka ndodhur. Prokuroria duhet të marrë në pyetje kryeministrin Kurti, Dejona Mihalin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balaj dhe Flutura Gogaj-Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për t’u mbajtur mbi supet e qytetarëve. Rrugët janë të qarta se si duhet të bëhet kjo punë”, ka deklaruar Abazi.

Para dy muajsh, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, prej ku njoftoi se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Këto mostra po ruheshin në Laboratorin e Toksikologjisë, që funksionon në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Por, se kush i zhduku, s’dihet as sot kur kanë kaluar disa javë. Nga Prokuroria Speciale kanë thënë se s’ka ende asnjë person të dyshuar për rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat