A është i lejuar publikimi i emrave të viktimave nga Specialja? Flasin avokatët

Aktuale

A është i lejuar publikimi i emrave të viktimave nga Specialja? Flasin avokatët

Më: 1 mars 2023 Në ora: 18:14
Hashim Thaçi

Specialja ka bërë të ditur të mërkurën emrat e disa nga viktimave që pretendohen se janë vrarë dhe disa të tjerëve që pretendohen se janë zhdukur me forcë.

Emrat e rreth 70 viktimave të pretenduara, shqiptarë e serbë, figurojnë në një version publik, të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka dorëzuar më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Disa nga emrat janë të redaktuar, të tjerëve nuk iu dihet identiteti. Ka edhe prej atyre që u publikuan me emër e mbiemër.

Avokati i akredituar i Speciales, Artan Qerkini thote se Prokuroria ka rënë në kundërshtim me veten kur ka vendosur të publikojë emrat.

“Vihet në pah kundërthënia në mes qëndrimeve të Prokurorisë, sepse në njërën anë ata vazhdimisht kanë kërkuar që emrat e personave të dëmtuar të fshihen për shkak të ndikimit në dëshmitarë e në anën tjetër po i publikojnë emrat”, u shpreh Qerkini.

Megjithatë, Qerkini ka një sqarim.

“Publikimi i emrave nuk do të thotë se ata që janë të akuzuar janë përgjegjës për zhdukjen apo vrasjen e tyre. Është çështje e Prokurorisë”, ka thënë Qerkini.

Në Komunën e Lipjanit, si viktima të vrasjes përmenden: Bojan Cvetkoviq, Zarko Filipoviq, Dragoljub Tanaskoviq, Zivota Todoroviq, Dragan Vuçetiviq.

Kurse, në Komunën e Podujevës si viktimë përmedet Osman Sinani, derisa në Komunën e Rahovecit përmendet Cvetko Pleviq, e po ashtu edhe Hysen Krasniqi. Në Suharekë, si viktima përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli.

Në Komunën e Drenasit, si viktima të vrasjes përmenden: Emin Emini, Ibush Hamza, Hyzri Hajrizi, Shaban Hoti, Safet Hysenaj, Bashkim Rashiti, Lutfi Xhemshiti, Shyqyri Zymeri dhe Hasan Hoxha. Tutje, përmendet edhe Ajet Gashi.

Si viktima të zhdukjes me forcë në Ferizaj përmenden: Rrahim Elezi, Riza Kiki, Faik Reci dhe Nezir Topojani. Kurse, në Suharekë, përmenden Latife Kololli dhe Rrushe Kololli. Ndërsa, në Gjakovë përmendet Pal Krasniqi.

Avokati tjetër i akredituar i Speciales, Skender Musa thotë se Prokurorinë nuk e obligon ligji t`i zbulojë emrat, por as s`ka ndalesë për t`i mbajtur të fshehtë.

Ky, sidoqoftë, thekson se në këtë formë dëmtohet interesi i mbrojtjes së të akuzuarit.

“Publikimi i emrave të viktimave nuk mund të them se është i ndaluar, mirëpo konsiderojë që mund ta dëmtojë interesin e mbrojtjes së të akuzuarit për shkak se krijohet një opinion në publik që të akuzuarit janë fajtorë”, u shpreh Musa.

Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së pritet të fillojë më 3 prill.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat