Mustafa: Plani franko-gjerman nuk zgjidh asgjë me Serbinë, është marrëveshje për siguri

Aktuale

Mustafa: Plani franko-gjerman nuk zgjidh asgjë me Serbinë, është marrëveshje për siguri

Më: 2 mars 2023 Në ora: 21:14
Isa Mustafa

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, për planin franko-gjerman thotë që nuk është dokument i cili është orientuar në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, ky propozim për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk përfundon me njohjen reciproke.

“Është një dokument, i cili është dhënë për një moment të caktuar për të siguruar stabilitetin dhe sigurinë, nuk është dokument që është orientuar në zgjidhjen e problemeve politike të Kosovës, që do të përfundonte me njohjen reciproke nga Serbia ose nuk është dokument për të cilin ne kemi menduar se do të përmblidhte të gjitha çështjet e hapura me Serbinë”, ka thënë ish-kryeministri.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se ky dokument më shumë është i orientuar në fushën e sigurisë.

“Është dokument më shumë i orientuar në fushën e sigurisë, që të mos ketë probleme të sigurisë mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj edhe i tillë është dhënë, mos të them i imponuar, sepse vetë fakti i deklaratave të palës tonë kanë qenë që është dokument që ne e kemi pranuar ‘merre ose lëre’”, tha ai.

Ndërsa, po të ishte duke qeverisur Mustafa, ai thotë që LDK nuk do ta sillte situatën deri në këtë gjendje, që sipas tij, duhet ta pranosh një dokument se nuk ke alternativa tjera.

“Po të isha unë, ose dikush tjetër nga LDK nuk do të vinte situata këtu, nuk do ta sillnin situatën që neve të na shtrohet përpara një dokument të cilin duhet domosdo ta pranosh, sepse nuk ke çfarë të bësh tjetër, nuk ke alternativa tjera”, deklaroi ish-kryetari i LDK-së.

Pajtimi për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është konfirmuar në takimin e datës 27 shkurt në Bruksel, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kjo marrëveshje nuk është nënshkruar, pasi që Vuçiq nuk ka qenë i gatshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat