Ish i dërguari i BE-së për Kosovën: Plani evropian, hap i mirë përpara – Asociacioni s’duhet t’i ngjajë Republika Sërpskas

Aktuale

Ish i dërguari i BE-së për Kosovën: Plani evropian, hap i mirë përpara – Asociacioni s’duhet t’i ngjajë Republika Sërpskas

Më: 3 mars 2023 Në ora: 10:13
Wolfgang Petritsch

Ish i dërguari i BE-së për Kosovën, Ambasadori Wolfgang Petritsch, e ka cilësuar propozimin franko-gjerman si një hap të ndërmjetëm drejt njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se rruga evropiane e Serbisë është e kushtëzuar me njohjen e Kosovës dhe njëkohësisht i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq që përfundimisht ta marrin vendimin politik për ta mbështetur dhe zbatuar propozimin gjermano-francez.

Petritsch tha se përmes propozimit, BE-ja do që të përshpejtojë negociatat me Beogradin, por njëkohësisht që ta shtyjë përpara edhe aplikimin e Prishtinës për anëtarësim në BE.

Në një intervistë për rtv21, ai tha se Bashkimi Evropian po kërkon themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative dhe që nuk është një lloj i Republikës Serbe, një shembull sipas tij shumë i keq.

“Së pari, ka 10 vjet që kur kjo është nënshkruar. Sikundër e dimë në marrëdhëniet ndërkombëtare “pacta sunt servanda” (marrëveshjet duhet të zbatohen), secila qeveri duhet t’i përmbahet asaj që një qeveri e mëparshme ka nënshkruar. Pastaj duhet të flitet për atë se si në terme konkrete ky asociacion duhet të duket. Kjo është ajo që duhet të bëhet. Ka një grup punues aty, ka shumë ide atje, ka propozime ndërkombëtare dhe mendoj se është përgjegjësi e të dyja palëve që të lëvizin posaçërisht për Prishtinën sepse kjo po ndodh, ky Asociacion do të jetë pjesë e shtetit sovran të Kosovës. Prandaj ka një obligim shtesë për Prishtinën që ta përmbushë.

Ajo është nënshkruar vite më parë, më shumë se dhjetë vjet më parë, tani na duhet ta zbatojmë dhe përfundimisht duhet të bëhen propozime se si do të duket kjo. Secili është, natyrisht, në favor të asaj që të kemi një Asociacion të komunitetit shumicë që nuk ka fuqi ekzekutive dhe as legjislative, që nuk është një lloj i Republikës Serbe. Ne nuk e duam këtë. Ne kemi përvojë shumë të keqe. Unë isha atje Përfaqësues i Lartë në Bosnjë e Hercegovinë dhe e se sa vështirë është që të merresh me Republikën Serbe. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare, Bashkimi Evropian është absolutisht kundër këtij lloji të modelit. Por duhet të ketë, mendoj se duhet t’i qasen këtij Asociacioni në mënyrë praktike, se çka mund të bëhet në jetën e përditshme për qytetarët atje. Dhe nuk duhet të jetë i vendosur një sistem apartheidi ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Ky definitivisht nuk është një rast. Ideja ime është se duhet të ketë bashkëpunim të qartë ndërmjet qytetarëve të të dyja komuniteteve kur bëhet fjalë edhe për këtë Asociacion. Mendoj se nëse keni çfarëdo propozimi për shërbimet ose gjëra të tilla mendoj se bashkëpunimi i përditshëm duhet t’i përfshijë shqiptarët në rajonet me shumicë serbe, gjithashtu. Kjo është e qartë dhe ju nuk mund të thoni se nuk mund të bëjmë asgjë në këtë shtëpi sepse aty jeton një shqiptar. Kjo nuk është ideja për një Asociacion”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat