E sulmoi një person në KQZ, shtyhet gjykimi ndaj Sami Kurteshit të Vetëvendosjes

Aktuale

E sulmoi një person në KQZ, shtyhet gjykimi ndaj Sami Kurteshit të Vetëvendosjes

Më: 3 mars 2023 Në ora: 13:08
Sami Kurteshi

Shkaku se i dëmtuari Adnon Berisha s’është ftuar me rregull është shtyrë shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për sulm, Sami Kurteshi, i cili është anëtar i Vetëvendosjes në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Kurteshi akuzohet se në gusht të vitit 2021, në selinë e KQZ-së, me dashje ka përdorur forcën ndaj të dëmtuarit Berisha, i cili nuk kishte vendosur maskë.

Sipas gjykatësit të rastit Sabit Sadikaj, gjykata nuk ka prova nëse i dëmtuari Berisha është ftuar në mënyrë të rregullt për seancën e së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të pranishëm në këtë seancën e së premtes ishin prokurorja e shtetit, Elza Bajrami dhe i akuzuari Sami Kurteshi.

Meqenëse nuk kishte kushte për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, seanca u shty kurse e radhës është caktuar për 11 maj 2023.

Më 14 shkurt kishte dështuar seanca pasi Sami Kurteshi ishte në udhëtim zyrtar.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po ngarkohet se më 25 gusht 2021 në selinë e KQZ-së, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) kishte nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat