Kurti: Dixhitalizimi po formëson të tashmen dhe të ardhmen tonë

Aktuale

Kurti: Dixhitalizimi po formëson të tashmen dhe të ardhmen tonë

Më: 3 mars 2023 Në ora: 14:25
Kryeministri Albin Kurti

Sot u inaugurua Shkolla Kombëtare e Kërkimit në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Kosovë. Me këtë rast, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar si një nga folësit kryesor në këtë ceremoni.

Në fjalën e tij kryeministri Kurti tha se dixhitalizimi padiskutim po formëson të tashmen dhe të ardhmen tonë dhe se roli dhe potenciali i tij nuk mund të kontestohen në vitin 2023.

Ai shprehu përkushtimin e Qeverisë në përdorimin e teknologjisë për të rritur transparencën dhe llogaridhënien në qeverisje, për të përmirësuar shërbimet për qytetarët dhe bizneset tona dhe për të rritur produktivitetin dhe konkurrencën e ekonomisë sonë.

“Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit në vendin tonë ka një potencial të madh. Këtë muaj do të arrijmë mbulimin e plotë të zonave të banuara me infrastrukturë të internetit broadband. Me një industri dhe komunitet të gjallë, TIK-u është një nga sektorët e paktë ku kemi një bilanc pozitiv tregtar. Pra, nuk është befasi që procesi i vazhdueshëm i vlerësimit të Strategjisë së Specializimit të Zgjuar e ka identifikuar tashmë TIK-un si një nga pesë sektorët prioritarë në ekonominë tonë që kanë potencialin më të lartë për rritje dhe inovacion’’, u shpreh kryeministri.

Në bashkëpunim me qeverinë gjermane, Qeveria e Kosovës, theksoi kryeministri, vazhdon të investojë në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren – si një nga platformat kyçe brenda ekosistemit tonë kombëtar të inovacionit. Ai bëri të ditur po ashtu se së shpejti do të inaugurohet Parku i Teknologjisë Dixhitale në Bërnicë, që patjetër ofron edhe një platformë që do të sigurojë infrastrukturën për zhvillimin dhe rritjen e industrisë së TIK-ut.

Shkolla Kombëtare e Kërkimeve, sipas kryeministrit, është një bllok i rëndësishëm ndërtimi i progresit që synojmë të krijojmë dhe se programi do të ndihmojë në zhvillimin e ideve inovative që kanë potencial për të krijuar produkte, biznese dhe vende pune të reja dhe për këtë arsye do ta udhëheqin këtë vend drejt hapave transformues.

Duke folur për projektin, ai vendosi theksin edhe te një aspekt i rëndësishëm i tij, e që është përfshirja e diasporës sonë akademike, e cila në radhët e saj ka shumë profesionistë, hulumtues, akademikë dhe ndërmarrës. Andaj, na duhet ta zhbllokojmë potencialin e bashkëpunimin duke krijuar mundësi për diasporën tonë që të sjellë në Kosovë dijen, ekspertizën dhe përvojën e tyre në fusha të ndryshme, shtoi kryeministri.

Në fund, Kryeministri përgëzoi Universitetet partnere për këtë projekt të shkëlqyer dhe u uroi suksese në zbatimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat