​MINT prezanton draft strategjinë për zhvillim para partnerëve ndërkombëtarë

Aktuale

​MINT prezanton draft strategjinë për zhvillim para partnerëve ndërkombëtarë

Më: 3 mars 2023 Në ora: 23:47
Foto nga vendi i ngjarjes

“Draft Strategjia për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetjen e Bizneseve 2030” u prezantua dhe diskutua edhe sot, në vazhdën e diskutimeve publike që po zhvillohen për këtë strategji.

Nën organizimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, “Draft Strategjia për Zhvillimin Industrial dhe Mbështetjen e Bizneseve 2030” sot u prezantua para të gjithë partnerëve zhvillimorë ndërkombëtarë, nga ministrja Rozeta Hajdari së bashku me Valbona Dushi, drejtore e Departamentit të Industrisë.

Në fjalën e saj, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, foli për rëndësinë e këtij dokumenti strategjik i cili shpreh vullnetin e përbashkët që Qeveria dhe Bizneset kanë për të rritur biznesin që është me interes për kompanitë, punëtorët dhe popullsinë e përgjithshme të Kosovës dhe shtoi se efektiviteti i Politikës Industriale do të kërkojë veprime të vendosura, angazhimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet Qeverisë së Kosovës, sektorit privat dhe partnerëve zhvillimorë ndërkombëtarë në Kosovë.

Duke njoftuar të pranishmit për procesin e hartimit të Politikës Industriale gjithëpërfshirëse, Hajdari theksoi se pas analizës së performancës industriale te shumica e sektorëve, kjo politikë industriale është e dedikuar për të mbështetur sektorin e prodhimit dhe për të shpalosur atë potencial për arritjen e një transformimi strukturor të ekonomisë dhe për të kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të vendit në mënyrë më efektive.

Kurse drejtorja e Departamentit të Industrisë, Valbona Dushi, prezantoi në detaje objektivat, nën objektivat dhe masat kryesore të politikës industriale, për zgjerimin e prodhimit industrial, reduktimin e deficitit tregtar industrial, gjenerimin e punësimit gjithëpërfshirës dhe më të mirë, lehtësimin e Industrisë Qarkore dhe të Gjelbër si dhe maksimizimin e vlerës shtesë vendore.

Të pranishmit dhanë komentet dhe reflektimet e veta lidhur me përmbajtjen e kësaj strategjie dhe e vlerësuan si shumë konkrete duke shfaqur interesimin e tyre të vazhdueshëm për mbështetje për zhvillimin e sektorit privat.

Në komunikatën e MINT-it thuhet se konsultimet publike gjithëpërfshirëse për këtë strategji po rezultojnë shumë produktive dhe po shprehin interesimin e lartë të të gjithë akterëve të përfshirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat