Flasin krerët e shtetit në seancën solemne për “Epopenë e UÇK-së”: Rezistenca e Jasharve është vetë trungu për Kosovën

Aktuale

Flasin krerët e shtetit në seancën solemne për “Epopenë e UÇK-së”: Rezistenca e Jasharve është vetë trungu për Kosovën

Më: 6 mars 2023 Në ora: 07:23 Përditësuar në ora: 13:29 më 06.03.2023
Kuvendi i Kosovës

Deputetja e AAK-së: Nëse ka diçka që duhet të jenë krenarë shqiptarët, është UÇK-ja

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka thënë se datat 5,6 dhe 7 mars janë datat e kthesës historike të Kosovës.

Ajo ka thënë Epopeja e UÇK-së kulmoi pas përpjekjes shekullore te brezave për liri.

Kadrijaj ka thënë se sot nderojnë ata që humbën jetën.

“Një familje si në legjenda luftoi me heroizëm, duke mos rënë asnjë i gjallë në dorën e armikut. Aty ranë heroikisht për të mos vdekur kurrë. Ai që do të mbetet i gjallë gjithmonë është komandant Adem Jashari. Lufta dhe sakrifica e Jasharëve mobilizoi shqiptarët në gjithë botën. Se lufta e Adem Jasharit ishte e drejtë e dëshmojnë se krah tyre u bënë aleatët më të mëdhenj. Nëse ka diçka shumë të vlefshme që duhet të krenohen fort shqiptarët ku do që janë është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë ajo.

Rifat Jashari në Kuvend: Ju lus të jeni bashkë e të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia

Përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifati në seancën solemne për 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, ka kërkuar unitet në përballej me Serbinë. 

Jashari ka thënë se i gjithë spektri politik duhet të jetë bashkë që “të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia”.

“Duke i falënderuar SHBA-në, bijat dhe bijtë tanë, ne sot kemi arrit këtu jemi të lirë që t’i qajmë hallet me njeri tjetrin. SHBA dhe shtetet mike i kemi prape para nesh. I falënderoj nënat e dëshmorëve, veteranët invalidët të gjithë juve. Lavdi e nder të gjithë atyre që ranë. 

Këtu është Kuvendi që merren vendimet për të ardhmen e vendit, ju kisha preferuar që të jeni në një anë të gjithë e që të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia”, ka thënë ai.

Abdixhiku: Qëndresa e familjes Jashari ishte rilindje e jona kombëtare

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se të kujtohet dhe shënohet Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të thotë të kujtohet dhe shënohet fondamenti i shtetit të Kosovës.

Në fjalën e tij të mbajtur në seancën solemne të së hënës në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku ka thënë se qëndresa e familjes Jashari përballë sulmeve të forcave serbe, ishte rilindje e jona kombëtare.

“Qëllimi i shuarjes së trungut tuaj familjar një çerek shekulli më parë ishte qëllim i shuarjes së popullit shqiptar në Kosovë. Qëndresa juaj atëherë ishte rilindje e jona kombëtare. Qëndresa e tyre përballë forcave të shumta ushtarake ishte zgjim për ne”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se familja Jashari sot qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj.

“Të kujtosh e shënosh Epopenë e UÇK-së, do të thotë të kujtosh e shënosh vetë fondamentin e shtetit të Kosovës dhe përpjekjen tonë kolektive për liri. Do të thotë të kujtosh e shënosh sakrificën, qëndresën e vetë kushtrimin e popullit tonë të reflektuar në një familje të vetme, në atë që sot na qëndron si tempull pelegrinazhi për brezat e rinj, e që një çerek shekulli më parë na qëndronte si thirrje e rrugës sonë finale drejt lirisë. 25 vjet më parë mes thirrjeve monumentale të brezave nëpër histori, në familjen Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Shaban Jashari dhe 56 anëtarë të familjes, të afërm e bashkëluftëtarë ranë në altarin e lirisë duke i dhënë vendit jo vetëm një histori sakrifice, por edhe një thirrje nacionale për përmbushjen e një rrugëtimi që nuk mund të ndalej më. Në historinë e popullin e Kosovës nuk ka asnjë ngjarje tjetër që arrin të ofrojë dhembshuri dhe krenari në të njëjtën kohë”, është shprehur ai.

Krasniqi: Pa Adem Jasharin vështirë se do të kishte UÇK

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se pa komandantin e Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharin, vështirë se Kosova do të kishte një ushtri çlirimtare.

Sipas Krasniqit, sakrifica e familjes Jashari dhe marsi i lavdishëm i 98-s, i vunë themelet e Kosovës së lirë e të pavarur.

Krasniqi tha se sakrifica e Komandantit Legjendar frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit.

“Pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte pasur kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur. Pa Adem Jasharin dhe Marsin e Lavdishëm të 98-tës, vështirë se do të kishte pasur një Ushtri Çlirimtare. Prandaj, vlera e kësaj Epopeje, nuk mund të kuptohet si një ngjarje në kuadrin e historisë, por si një epokë që i bën bashkë të gjitha ngjarjet. UÇK-ja e ka mbrojtur pragun e shtëpisë, por nuk ka luftuar vetëm për pragun e shtëpisë. Ka luftuar për kauzën tonë kombëtare shekullore. Ka luftuar për drejtësinë historike. Dhe madhështia e UÇK-së nuk e merr kuptimin e plotë pa sakrificën e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes Jashari, që frymëzoi dhjetëra mijëra djem e vajza për t’iu përgjigjur kushtrimit për çlirimin e vendit. Me këtë rast, në këtë ditë të lavdisë shembullore, na mungojnë bashkë-rrugëtuesit e Adem Jasharit, që nuk ju ndanë rrugës së tij deri në bërjen e Kosovës shtet të lirë e të pavarur, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, dhe bashkëluftëtarët e tyre, që të privuar nga liria, po mbahen larg nesh në betejën e fundit për të vërtetën e luftës së drejtë të UÇK-së”, theksoi kreu i PDK-së.

Krasniqi tha se Slobodan Milosheviqi ishte agresor që s’e kuptonte gjuhën e dialogut, të paqes e as të drejtësisë.

“Por, Serbia nën regjimin e Millosheviqit, ishte agresor që s’kuptonte as gjuhën e paqes, as të dialogut, e as të drejtësisë që natyrshëm i takonte vendit dhe popullit tonë. Për afër një dekadë, përkundër se pati një konsistencë nga brenda, pati një status-quo nga jashtë. Prandaj, dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha fund asaj status-quoje”, theksoi ai.

Selimi: Epopeja e UÇK-së është themeli, mburoja dhe simboli i lirisë së Kosovës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka thënë se Epopeja e UÇK-së në historinë e luftërave të shqiptarëve për liri është themeli, mburoja dhe simboli i lirisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se sot kujtojnë të gjithë gratë e burrat që ranë për vendin.

Selimi ka thënë se lufta çlirimtare ishte luftë e drejtë e popullit të Kosovës, dhe amanet i Adem Jasharit.

Jam krenare që isha pjesë e asaj lufte me pushkë në dorë. Marsi i Jasharëve dhe i UCK-së tregon fuqishëm se lufta çlirimtare nuk tjetërsohet. Ashtu si në çdo mars edhe sot populli e di se ku i ka rrënjët liria”, ka thënë ai.

Konjufca: Lufta e familjes Jashari, e pashembullt edhe në historinë botërore

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, deklaroi se lufta e familjes Jashari ishte ngjarje e pashembullt jo vetëm në historinë e Kosovës, por edhe në historinë botërore.

Ai tha para deputetëve në Kuvend se në tri breza, familja Jashari mbrojti lirinë e Kosovës “deri në vetëflijimin e tyre të plotë”.

Lufta e Prekazit dhe sakrifica e Jasharëve është ngjarje e pashembull jo vetëm në historinë tonë kombëtare. Një të ngjashme nuk e njeh as historia botërore. Familja e gjerë Jashari, 3 breza në kullën e tyre shekullore, në token e lashtë të stërgjysheve, nga baci Shaban, e deri te Blerimi i vogël, e shpallën lirinë e popullit tonë dhe e mbrojtën deri në vetëflijimin e tyre të plotë. Lufta ishte aq legjendare, sakrifica aq sublime, kurse vetëmohimi aq tronditës, saqë kombi shqiptar kaloi në një dimension tjetër të vetëdijes, e bota u zhvendos nga orbita e vet politike. Ky është momenti kur UCK-ja u bë frymë dhe e përfshiu tërë popullin tonë”, deklaroi Konjufca.

Kreu i Kuvendit theksoi se 12 Qershori dhe 17 Shkurti janë kapituj të “librit monumental” të lirisë së Kosovës.

Kurti: Rezistenca e Jasharve nuk është një degë në historinë e Kosovës, por vetë trungu

Kryeministri Albin Kurti, duke kujtuar Epopenë e UÇK-së, ka thënë se rezistenca e Jasharve në Prekaz nuk është një degë më shumë në historinë e Kosovës por është vetë trungu.

Kurti, në në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, tha se rezistenca e Jasharve dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës.

“E hëna e sotme na ka mbledhur këtu për ta përkujtuar Epopenë e UÇK-së në 25 vjetorin e saj. Plot një çerek shekulli më parë mijëra forca të armatosura të Serbisë e rrethuan Prekazin”.

“Pas 5,6,7 marsit të viti 1998 ushtria e UÇK-së do të rritej si një ushtri vullnetarësh. Në historinë e UÇK-së dhe të Kosovës rezistenca e Jasharve dhe figura e Adem Jasharit janë themeltare dhe qendrore dhe të tilla do të mbeten”.

“Rezistenca e Jasharve në Prekaz nuk është edhe një degë më shumë në historinë e Kosovës por ajo është vetë trungu. Lavdi Epopesë së UÇK-së dhe 59 të rënëve të rënë me 5,6,7 mars”, ka përfunduar Kurti.

Osmani: Epopeja e UÇK-së, një ndër shtyllat më të forta të ngritjes së shtetit tonë

Presidentja Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, për 25 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”, ka thënë se 5,6 dhe 7 marsi i vitit 1998 përbejnë një ndër shtyllat më të forta të ngritjes së shtetit të Kosovës.

Osmani, mes tjerash, tha se Epopeja e UÇK-së është epope e dinjitetit e krenarisë, duke përmendur rezistencën e familjes Jashari, të cilën ajo e çmoi shumë.

Çdo fillim mars kthehemi në ngjarjet historike. Këto ngjarje janë pjesa jonë më e rëndësishme e historisë. 5, 6, dhe 7 mars, 1998 përbejnë njërën ndër shtyllat më të forta të ngritjes së shtetit tonë”.

Kjo epope e UÇK-së është epope e dinjitetit e krenarisë. Makineria vrasëse serbe nuk ka kursyer as fëmijët e as pleqtë. Në këtë ditë kujtojmë të gjitha gratë e familjes Jashari, kujtimi për to do të jetë i përjetshëm”.

Tutje, Osmani tha se beteja e Jasharve është shndërruar në frymëzim për mijëra të rinj dhe të reja.

“Është shumë e rëndësishme për ta mbajtur të gjallë kujtesën, ne duhet e do ta mbajmë të gjallë kujtesën e familjes Jashari dhe luftës së UÇK-së”.

Ne e fituam lirinë sepse në rrethana të vështira qëndruam e përballuam dhimbjen. Ne që e kemi provuar shtypjen e dimë më së miri këtë. Këtë e kishte kuptuar prijësi i UÇK-së, Adem Jashari. Ai ishte i vendosur. Ai u sfidua me rrethimin e familjes para se të binte në betejën e marsit. Beteja e Jasharave u shndërrua në frymëzim për mijëra të rinj dhe të reja. Përfundimisht në jemi të lirë e ai është i gjallë”.

Rifat Jashari pritet me duartrokitje në seancën solemne për “Epopenë e UÇK-së

Rifat Jashari ka mbërritur në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku po mbahet seanca solemne për nder të “Epopesë së UÇK-së”, së bashku me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kuri.

Jashari është pritur me duartrokitje nga deputetët.

Ardhja e tij ka gëzuar deputetët duke u ulur kështu pranë presidetes Osmani.

Nis seanca solemne në 25 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”

Me ceremoni ka filluar seanca solemne në 25 vjetorin e “Epopesë së UÇK-së”.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i ka ftuar të gjithë deputetët dhe mysafirët që janë pjesë e kësaj seancë që të ngrihen në këmbë derisa interpretohet himni i Kosovës dhe ai Kombëtar.

Të pranishëm në këtë seancë janë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, Rifat Jashari dhe ambasadorë të vendeve mike të Kosovës.

Pas ceremonisë, Konjufca ka kërkuar që të mbahet një minutë heshtje për të gjithë të rënët për çlirimin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat