Baton Haxhiu prezanton disa modele evropiane të Asociacionit

Aktuale

Baton Haxhiu prezanton disa modele evropiane të Asociacionit

Më: 6 mars 2023 Në ora: 13:47
Baton Haxhiu

Gazetari Baton Haxhiu ka prezantuar disa nga modelet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e të cilat thotë se janë evropiane.

Ai pretendon me anë të burimeve diplomatike se zgjidhja për Asociacionin po kërkohet duke kombinuar elemente të ndryshme të modeleve që zbatohen në Gjermani, Itali, Francë dhe Belgjikë.

“Përkatësisht, modelet e Belgjikës Lindore (vetëqeverisja e komunitetit gjerman), modeli i Alzasit në Francë, modelet e vetëqeverisjes për komunitetin gjermanofolës dhe frankofon në Itali si dhe modeli i vetëqeverisjes së komunitetit danez në Gjermani, shtojnë ata”, shkruan Haxhiu.

Megjithatë, Haxhiu thotë që po provohet të krijohet një model sui generis që do të ishte i përshtatshëm për Kosovën në mënyrë që të mos merren (sic) “copy paste” modelet e mësipërme.

Haxhiu madje edhe citon diplomatët anonimë të përfshirë në këtë proces:

“Serbia dhe Kosova nuk mund të pretendojnë që të bëhen pjesë e civilizimit perëndimor e në ndërkohë zgjidhjen e çështjes së pakicave kombëtare ta bazojnë në modele të ish lindjes komuniste,”

Ai prezanton po ashtu edhe ato që i quan “veçoritë kryesore” që duhet të dalin nga Asociacioni, e ku po ndajmë atë të statutit që sipas burimeve të gazetarit duhet të jetë “i ndërmjetëm”, më shumë se kompetencat e një komune por më pak se niveli i dytë i pushtetit.

“Asociacioni është i pashmangshëm, të shmangshme janë gabime që mund të bëhen nëse nuk tregohet kujdes i shtuar në hartimin e statutit, prandaj më pak retorikë, më shumë punë nga Qeveria e Kosovës”, përfundon Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat